Mbulesa e gruas – havalja

1911

Bashkim Aliu

Shumë promovohen si humanistë e liberalë, duke u shprehur se u vjen keq për femrën e mbuluar muslimane, sepse, sipas tyre, ajo është privuar nga liria dhe i është bërë padrejtësi e madhe, duke e lënë të mbyllur, të izoluar dhe larg shkollimit e ngritjes intelektuale. Akuzat e tyre janë krejt të zbehta, sepse mbulesa, para së gjithash, është përgjigje ndaj urdhrit të Zotit, i Cili robit të Vet ia urdhëron vetëm atë që është e dobishme për të. Poashtu, mbulesa është mbrojtje edhe për femrën, e më tepër për mashkullin dhe shoqërinë nga degjenerimi moral dhe përhapja e sëmundjeve të ndryshme, para së gjithash atyre morale, apo siç është shprehur edhe profesori i shquar musliman nga Turqia, Dr.Beqir Topallogllu, me këtë pritet ambicja e njerëzve që mund të kenë në zemrën e tyre sëmundjen e prostitucionit.

Ndërkaq, pandehja e tyre e pa logjikshme se kjo e ndalon nga shkollimi, është absurd dhe paradoks i kohës, sepse vendet e zhvilluara nuk e shohin këtë problem dhe as që e ndalojnë femrën e mbuluar t’i ndjek ligjëratat dhe mësimet, por këtë e problematizojnë disa pseudointelektualë, të cilët nga mllefi ndaj Islamit dhe prapambeturia e tyre intelektuale, marrin këso hapa absurd jo civilizues dhe jo njerëzorë bile edhe në mjediset islame. Për atë, ata që e sulmojnë mbulesën nuk kanë dert për pozitën e femrës dhe atë që e quajnë “liri e saj e humbur”, por kjo vjen nga synimi i një anarkie në këtë plan dhe zhveshjen e muslimanit dhe muslimanes nga të gjitha parimet dhe dispozitat fetare. Edhe pse janë deklaruar se i takojnë Islamit, njerëzit e tillë duket se asnjëherë nuk i kanë takuar me zemër, e as që e kanë kuptuar atë dhe as që ia duan të mirën.

Realisht, Islami me atë që e mbuloi gruan, dëshmoi se gruaja ka vlerë të madhe dhe pozitë të veçantë në Islam, për këtë edhe meriton mbrojtje të veçantë. Ajo nuk është monedhë për kursim dhe vegël në dorë të kompanive për të realizuar përfitime të majme nga reklamimi i prodhimeve të veta. Përfitimet që realizon femra nga reklamimet dhe favorizimi i saj në fushën e marketingut dhe reklamave, nuk është liri dhe nder për të, por realisht nënçmim dhe privim i saj nga funksioni më madhor dhe më i lavdishëm, të qenit nënë, ngase nxjerrja e saj në tregun e reklamimit, detyrimisht e obligon të ketë kujdes ndaj pamjes dhe vijave të trupit, gjë që e largon nga lindja dhe përkushtimi ndaj rritjes së fëmijëve. Në këtë konteskt, intelektuali i shquar musliman Ali Bullaç ka thënë:”Ajo (gruaja) sot gjendet në një robëri më të tmerrshme. Ja si duket sot realiteti i gruas në shoqërinë perëndimore: Ajo është mjet reklame e një çamçakëzi të thjeshtë. Kompanitë e mëdha kapitaliste e shfrytëzojnë atë tej çdo mase. Duke ia treguar dhe reklamuar tregut pjesët më intime, më të bukura të trupit të vet, gruas nuk i mbetet asnjë vlerë të cilën njeriu do ta dëshironte, do ta respektonte apo mbronte…Ajo është një krijesë e mjerë e lënë nën kontrollin, nën mbikëqyrjen e forcave, institucioneve të mëdha ndërkombëtare. Këto qarqe të profitit e të interesit e kanë bërë monopol dëshirën dhe vullnetin e saj, ndërsa ajo të gjitha dobësitë, të gjitha ndjenjat e interesat i ka lënë në dorë të tyre. Ndërmarrjet e mëdha reklamuese, kinematë, televizioni dhe shtypi jetojnë duke e thithur gjakun e saj sin jë shushunjë” . Në fakt, Islami e ngre gruan, kur e urdhëron atë të mbulohet, ngase e konsideron njeri me vlerë, njeri me ideale dhe që lufton për kauzë. Poqese ndiqen ajetet Kur’anore të cilat flasin për mbulesën e gruas, do të shihet se gruas i bëhet thirrje të mbulohet me cilësi të saj si besimtare dhe bartëse e kauzës Islame, e jo thjesht për të bërë diferencë në imixh, pa mbështetje ideore dhe pa bindje. I Lartmadhërishmi ka thënë:<< Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vejnë shamitë mbi krahrorin e tyre… >> ; << O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le të vëjnë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues (59) >>. Islami, me atë që e urdhëroi gruan të mbulohet, e theksoi vlerën e saj dhe të qenit e saj shtyllë e familjes dhe shoqërisë. Është shumë normale se gjërat me vlerë mbrohen, ndërkaq gjërave pa vlerë, nuk u kushtohet kujdes. Kështu është në jetën e përditshme të njerëzve. Edhe gruaja, duhet ta kuptojë se, rregullat e Islamit për mbulimin e saj, tregojnë se Islami atë e respekton dhe e çmon lartë, e nuk bëhet kjo nga shkaku se atë don ta shtypë apo ta kufizojë nga liria e prezantimit në publik e veshur sipas qejfit të saj. Mbulimi i pjesëve të trupit të gruas, në fakt është vlerësim i vërtetë që i bëhet pozitës dhe rolit të gruas, e jo kufizim i lirisë së saj. Ndërkaq, tregtarët e njerëzve, bossat e sfilatave të modës, garave të bukurisë-Miss dhe marketingut, me nxjerrjen e femrës në tregun e reklamave, ekspozimin e modës dhe në garat e bukurisë, ku femrës i matet çdo pjesë e trupit të saj, në fakt nuk e vlerësojnë femrën, por e devalvojnë duke e shndërruar në mjet reklame dhe objekt vlerësimi komisionesh të vijave të trupit, madhësisë së syve, buzëve dhe gjoksit, si dhe peshës së trupit. Mbrojtjen e nderit të gruas dhe kujdesin për gruan, në veçanti në drejtim të moralit, nga ana e Islamit, e kanë theksuar si veçori pozitive edhe disa mendimtarë joislamë. Kështu, Peter Bayle (v.1706) në librin e tij Dictionnaire Historique et Critique përmend ndjeshmërinë e grave turke në çështjen e nderit, duke e krahasuar këtë me shkujdesjen morale në Evropë. Me këtë rast, duhet përmendur edhe rrezikun që u kanoset sot femrave muslimane në drejtim të respektimit të urdhërit të mbulesës si rezultat i imitimit të verbër dhe shndërrimit të dukurive të këtilla negative në modë të kohës me përmasa botërore. Me fjalë tjera, ndoshta disa femra muslimane nuk e kuptojnë seriozitetin e mbulesës si rezultat i asaj se mosmbajtja e mbulesës është dominante në shumë mjedise, në veçanti në perëndim, ashtu që formohet bindja se ndoshta edhe kështu bën, apo se ja, të gjithë shkojnë në këtë mënyrë. Kjo bindje aspak nuk duhet të ekzistojë në kokën e muslimanes, ngase për të autoritet numër një dhe i pakrahasueshëm me askend tjetër që duhet të respektohet është Kur’ani, e Kur’ani e urdhëron femrën të mbulohet. Poashtu, përhapja e një dukurie dhe dominimi i saj në një mjedis, saqë bëhet dukuri normale, nuk është dëshmi se ajo është e drejtë dhe rruga e vërtetë që duhet të ndiqet. E vërteta nuk vlerësohet në bazë të hapësirës që zen te njerëzit, ngase është shumë e mundëshme që pjesa më e madhe e njerëzve të mos e ndjekin të vërtetën, por në bazë të burimit dhe përmbajtjes, gjegjësisht nëse vjen prej burimit hyjnor, kjo është e vërteta që duhet të ndiqet, pa marrë parasysh se çfarë qëndrimi mund të kenë pjesa dërmuese e njerëzve. Me këtë rast, duhet theksuar se edhe ata që nuk besojnë në burimin hyjnor të dispozitave islame, kanë dhënë vlerësime pozitive dhe kanë treguar respekt të veçantë ndaj përmbajtjes së dispozitave islame. Këtë rast e kemi edhe me mbulesën dhe rregullat tjera islame përkitazi me trajtimin e femrës.

Dëshmia që do ta përmendim në vazhdim, vjen nga një gazetare amerikane jomuslimane, e cila edhe pse nuk ka besuar në shpalljen e fundit të Zotit, ka treguar konsideratë të lartë për mënyrën e trajtimit të femrës së Islam, si dhe pakënaqësi ndaj mënyrës së trajtimit të femrës në perëndim, edhe pse ndoshta në shiqim të parë duket se ka njëfarë lirie. Gazetarja amerikane Hillsian Stransbury, pas një vizite në Kajro, ka thënë:”Shoqëria arabe është shoqëri e integruar dhe e shëndoshë. Ajo duhet që edhe në të ardhmen të jetë e lidhur fort me traditat dhe zakonet e saj, të cilat e kufizojnë lirinë e të rinjve në mënyrë të arsyeshme. Kjo shoqëri ndryshon nga nga shoqëria amerikane dhe europiane, sepse ajo është e lidhur fort me traditat e trashëguara të cilat e kufizojnë lirinë e gruas dhe e obligojnë respektin ndaj prindërve. Për më tepër, në këtë shoqëri nuk lejohet degjenerimi i cili e ka shkatërruar shoqërinë dhe familjen në Europë dhe Amerikë.

Duke u bazuar në këtë, unë mendoj se kufizimi i lirisë së vajzës nën moshën 20 vjeçare në shoqërinë arabe është i vlefshëm dhe i dobishëm. Këshilla ime për këtë shoqëri është që të lidhen fort me moralin dhe traditat e tyre, të mos lejojnë bashkimin e djemve dhe vajzave në një shkollë dhe të kufizojnë lirinë e gruas. Kthehuni tek vënia e shamisë, sepse ajo është më e mirë se moskufizimi i asgjëje, shthurja dhe degjenerimi që ka pushtuar shoqëritë perëndimore.. Ndalojeni bashkimin e djemve dhe vajzave në një shkollë nën moshën 20 vjeç, sepse kjo gjë ka shkaktuar shumë probleme në Amerikë. Shoqëria amerikane është bërë më komplekse dhe aty shfaqen të gjitha format e shthurjes morale. Viktimat e lirisë dhe dhe bashkimit të djemve dhe vajzave në shkolla nën moshën 20 vjeç, sot mbushin burgjet, trotuaret, pijetoret dhe shtëpitë publike ilegale. Liria që i kemi dhuruar bijve dhe bijave tona në Amerikë i ka bërë ata anëtarë të bandave kriminele dhe pjesëtarë të rrjetit të drogës dhe prostitucionit.

Bashkimi i djemve dhe vajzave në shkolla dhe moskufizimi i lirisë në shoqëritë perëndimore, ka rezultuar në shkatërrimin e familjes dhe në tronditjen e vlerave dhe parimeve morale. Vajza nën moshën 20 vjeç në Perëndim është gjatë gjithë kohës në kontakt me djem, frekuenton diskot, përdor alkool, pi duhan dhe merr drogë në emër të civilizimit, emancipimit dhe lirisë. Ajo që habit më shumë në shoqëritë europiane dhe amerikane është se vajza nën moshën 20 vjeç luan, dëfrehet dhe shkon në shtrat me cilindo që dëshiron me dijeninë e prindërve të saj. Ajo sfidon prindërit, mësuesit dhe kujdestarët e saj në emër të lirisë. Ajo mund të vendosë të martohet në çast dhe të ndahet pas disa orësh ose disa ditësh, dhe më pas, në emër të lirisë, martohet dhe ndahet përsëri”. Mbulesa e gruas muslimane, në kohën e fundit, u bë test serioz i demokracisë perëndimore. Edhe pse vazhdimisht perëndimi është parë si bastion i respektimit të të drejtave të njeriut, pa dallim feje, ngjyre apo kombi, në rastin e mbulesës islame, u pa se kjo demokraci akoma qëndron në këmbë të brishta kur janë në pyetje muslimanët.

Në disa shtete evropiane u aktualizua çështja e mbajtjes së mbulesës nga gratë muslimane nëpër shkolla dhe në institucionet publike, në veçanti në Francë, e cila është simbol i demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut. Çfarë logjike është ajo që e paraqet Evropën si djep të demokracisë dhe të drejtave e lirive të njeriut në botën e sotme, kur po në këtë Evropë, në disa pjesë të saj, femra muslimane ndalohet nga respektimi i një nga detyrat e saj fetare, mbajtjen e mbulesës. Me këtë vendim, femra muslimane diskriminohet në shoqërinë perëndimore ngase nuk i jepen asaj të njejtat mundësi që i jepen edhe femrës jomuslimane, apo asaj që nuk mban mbulesë. Shoqëritë demokratike nuk do të duhej ta diskriminojnë në këtë formë një shtresë anëtaresh të tyre.

Bile që është edhe më shqetësuese, vendimi i këtillë e diskriminon femrën muslimane të mbuluar edhe në aspektin e shkollimit, ngase e privon nga shkollimi në shkollat shtetërore të cilat janë pa pagesë, e ndoshta shkollimi në shkolla private nuk është i mundur për të gjitha femrat për shkak kushteve materiale. Por, është për të pyetur se pse shoqatat e ndryshme qytetare për të drejtat e njeriut, nuk janë aq të zëshme në këtë rast, si në rastet tjera?! Dëgjon të ngritet zëri lartë për diskriminim gjinor, për shkak të qëndrimeve të caktuara ndaj homoseksualëve, por jo edhe aq fuqishëm për privimin e gruas muslimane me mbulesë nga shumë beneficione të institucioneve publike.

MBULESA DHE NDERI ME FUQI

Kur jemi te mbulesa, nuk mund ta tejkalojmë dilemën që e parashtrojnë disa njerëz, bile edhe të palës muslimane, sipas të cilëve mbulesa është një mënyrë e imponimit të nderit për femrën me fuqi. Poashtu, në një mënyrë tjetër, ata pretendojnë se gruaja mund të jetë e ndershme edhe duke qenë e zbuluar e jo vetëm e mbuluar, gjegjësisht ka shumë prej atyre që mbajnë mbulesë dhe janë të shthurrura moralisht, ndërkaq ka shumë femra që nuk mbajnë mbulesë dhe janë të paprekshme në aspektin moral. Mirëpo, këto dilema janë të paqëndrueshme, ngase e neglizhojnë natyrën e femrës, e cila është tërheqëse dhe nxitëse për gjininë tjetër. Kjo nuk mund të mohohet. Për atë, një femër e cila mban veshje të shkurtëra, edhe nëse nuk bën lëvizje dhe veprime porovokative, vetë pamja e saj është provokative për gjininë tjetër. Për këtë, është më se e nevojshme që të ruhet gjinia tjetër nga provokimi, të mos lehet hapësirë për elementet destruktive dhe pasionet ta bëjnë punën e vet dhe në përgjithësi, të mundësohet ambient stabil në këtë plan. Kur është në pyetje çështja e detyrimit, mendoj se defekti qëndron në mënyrën se si paraqitet detyrimi. Nuk ka gjë, në sferën e legjislacionit, që nuk ka një dozë detyrimi, por kjo është për të mirën e shoqërisë dhe individit. Në këtë drejtim, profesor Beqir Topallogllu thotë:”Edhe një kundërshtim i kësaj forme nuk është me vend. Sepse “virtyti formohet edhe pak me forcë”. Në këtë thënie ka një të vërtetë të madhe. Nuk formohen shprehi pa kushte dhe pa vepruar një detyrim. Detyrimi bëhet shkak, e ruan personin, dhe kështu fitohet shprehi, formohet virtyti. Mbulimi mënjanon shkaqet e këqia, përgatit mjedisin. Të mendosh të kundërtën e kësaj, do të thotë të kundërshtosh krijimin dhe kapacitetin njerëzor”.

Poashtu, edhe dilema e shthurrjes morale e fshehur nën mbulesë, dhe nderit e moralit edhe pa mbulesë, nuk është e qëndrueshme dhe është një peisazh i pikturuar keq, ngase nuk diskutojmë për moralin e vetë femrës përkatëse, por për ndikimin që ka pamja e jashtme dhe veshja e saj te gjinia tjetër. Nuk diskutohet se një grua mund të jetë e moralshme, edhe përskaj asaj se nuk ka mbulesë fetare, por nuk mund të mohohet fakti se ajo me veshjen e saj që nuk është sipas rregullave fetare, bën provokimin e gjinisë tjetër dhe i bën që të bëjnë mëkat duke ia ngulur sytë. E, Islami, nuk mjafton vetëm me urdhërin për ta ulur shikimin, por merr masa konkrete që mos të shkaktojë tërheqjen e vëmendjes për gjininë tjetër dhe të mundësojë një stabilitet shoqëror në këtë drejtim. Këtë çështje e ka shtjelluar edhe profesori i shquar Beqir Topallogllu dhe ka shënuar:”Thuhet se sa shumë gra të mbuluara të pamoralshme ka, më të këqia se të mbuluarat. Kjo është shprehje e tepruar. Le ta supozojmë të drejtë. Një grua e mbuluar e pamoralshme mund të kuptojë vetëm një burrë të pamoralshëm si veten dhe mund të krijojë lidhje me të. Por ama nuk ushtron ndikim mbi shumicën e të rinjve të padjallëzuar që s’marrin vesh asgjë. Ndërsa një grua e zbuluar, sido që ta ketë mendimin apo qëllimin, me paraqitjen dhe veshjen e saj i ngacmon njerëzit me fuqi seksuale, i shtyn ata në emocione seksuale. Çdo njeri është i ndershëm po s’ekzistoi i pandershmi. Prandaj me veprimet dhe veshjen duhet të respektojmë ndjenjat e të tjerëve, s’duhet të ushtrojmë dhunë mbi ta”.