Dr. Keith Kramlinger
Hulumtimet gjatë 25 viteve të fundit kanë treguar mundësi më të lartë të zhvillimit të depresionit tek njerëzit me qëndrime pesimiste të jetës krahasuar me njerëzit me qëndrime optimiste. Gjithashtu, pesimistët zakonisht janë me shëndet më të dobët, më shpesh përdorin shërbime të sistemit shëndetësor dhe kanë jetë më të shkurtër se optimistët.
Rezultatet e një studimi të Klinikës Mayo të botuar në vitin 2000 konfirmojnë se njerëzit me këndvështrim optimist për jetën jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm në krahasim me pesimistët. Hulumtimi u krye me një grup të anketuarve që e plotësuan testin e personalitetit 30 vjet më parë. Rezultatet e testit të personalitetit të secilit të anketuar e krahasuan me cilësinë aktuale të jetës dhe shëndetin e përgjithshëm.
Rezultatet e hulumtimit konfirmojnë se jetëgjatësia është më e gjatë se sa pritej në grupin e optimistëve, ndërsa pesimistët janë në rrezik të rritur të vdekjes së parakohshme. Pesimistët zakonisht i shpjegojnë aksidentet në mënyrë të ndryshme nga optimistët. Zakonisht ata fajësojnë veten e tyre dhe e perceptojnë fatkeqësinë si të përhershme dhe depërtuese: “Ky problem do të zgjasë përgjithmonë dhe do t’i prekë të gjithë. Përkundrazi, optimistët zakonisht situatën e vështirë e konsiderojnë si gjendje të përkohshme të një problemi specifik që mund të zgjidhet.
Mayo Clinic
Përktheu: Lutfi Muaremi
[Isl@mpress.ch]