Xhamia ka shenjtërinë e saj, hytbeja e xhumasë ka rolin e saj reformues, ndërsa hatibi ka madhështinë e tij, i cili kërkon nga xhemati që t’i dëgjojë fjalët e tij, të cilat janë trajtim i çështjeve të fesë dhe çështjeve të kësaj bote.
Mimberi i të Dërguarit të Zotit a.s., do të mbetet simboli i çdo thirrje për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, dhe do të vazhdojë të mbetet ndër thirrjet më të drejtpërdrejta dhe më me ndikim në mesin e mjeteve, ngase ajo përdoret pa ndërmjetës. E gjithë kjo na bënë përgjegjës për ta shpjeguar rëndësinë e hytbes së xhumasë, në mënyrë që të ketë ndikim pozitiv në jetën e myslimanëve. Duhet pasur parasysh se edhe rëndësia e dëgjuesit nuk është më e vogël sesa rëndësia e hytbes, ngase që të dy janë po si krahët, ku vetëm me njërin prej tyre nuk mund të fluturohet.
Rëndësia e hytbes së xhumasë
Hytbeja e xhumasë ka një rëndësi të madhe dhe luan një rol të veçantë në jetën e myslimanit. Ajo është një prej simboleve të islamit, konferencë javore për myslimanët dhe një pikë referimi në jetën e tyre. Çdo të premte, myslimanët nxitojnë për në xhami për ta dëgjuar hytben, për të shtuar informacionet të cilat forcojnë vendosmërinë, si dhe ripërtërijnë dhe e rrisin besimin.
Zoti e ka veçuar ditën e xhuma për myslimanët, duke e bërë atë festë javore. Në të ka bërë obligim namazin e xhumasë dhe hytben e saj, duke i urdhëruar myslimanët që të shkojnë për t’i bashkuar zemrat e tyre në një fjalë, ta mësojnë atë që nuk e dinë, t’ua tërheq vërejtjen neglizhuesve, ta kthejë të humburin, t’i zgjoj motivet, ta mprehë vendosmërinë, në mënyrë që myslimanët ta njohin fenë e tyre dhe të dinë se çfarë kërkohet nga ta.
Hytbeja e xhumasë është një nga mjetet më të rëndësishme për t’i shërbyer thirrjes në Islam dhe përhapjes së tij, si dhe ka rol efektiv në formimin e sjelljes së njerëzve dhe ndikimit mbi ta në të gjitha fushat. Ajo është ligjëratë për ndërgjegjësimin e shoqërisë, madje një nga treguesit e vetëdijesimit të saj. Ajo është mjet i rëndësishëm i davetit, përcjelljes së mesazhit dhe tërheqjes së vërejtjes.
Hytbeja e xhumasë është për t’i mbajtur shqetësimet e shoqërisë dhe për rrahjen e çështjeve të saj, madje edhe për të qenë i vetëdijshëm për nxjerrjen nga krizat e saj. Ajo është një mesazh që kërkon vëmendje dhe kujdes. Forcohet me fuqinë e hatibit dhe dobësohet nga dobësia ose mungesa e interesimit të tij.
Ebu Zehra, duke folur për rëndësinë e hytbes, thotë: “Hytbeja konsiderohet një nga mjetet e davetit, që thërrasin për te Zoti dhe është një nga mjetet më të rëndësishme të edukimit, udhëzimit dhe ndikimit. Ajo jep shumë fryte, zgjidh problemet, ndërprenë armiqësitë, qetëson shpirtrat revoltues, ngjallë entuziazmin e atyre me shpirt të thyer, ngrit të vërtetën, ul gënjeshtrën, vendos drejtësinë dhe rikthen të drejtat e pronarëve. Ajo është zëri i të shtypurit dhe gjuha e udhëzimit.” [1]
Është kështu ngase hytbeja e xhumasë nuk është e veçantë vetëm për ndonjë shtresë apo për ndonjë grup, por është për të gjithë të pranishmit që e dëgjojnë atë. Ngase atë e dëgjojnë njerëz të niveleve dhe të klasave të ndryshme shkencore dhe shoqërore. Në mesin e tyre ka me iman të fortë dhe të dobët, të shkolluar dhe analfabet, të rinj dhe të vjetër, të pasur dhe të varfër, qeveritar dhe qytetar të thjeshtë. Prandaj, ajo është një mundësi e madhe që me ndihmën e Allahut të ketë ndikim tek ata që marrin pjesë. Kjo llojllojshmëri e pjesëmarrjes nënkupton tejkalimin e pengesave që parandalojnë zbatimin e metodave të reformës sociale. Punëtorit dhe punëdhënësit, nxënësit dhe mësuesit, punonjësit dhe presidentit, të gjithëve u predikohet në të njëjtën kohë dhe të gjithë vendosen para përgjegjësive të tyre. Nuk i drejtohet një grupi në mungesë të grupit tjetër dhe nuk ngarkon me përgjegjësi njërën kategori e tjetrën jo.
Nga ana tjetër, marrja pjesë në të nuk është e kufizuar vetëm për të zgjedhurit, ngase ka shumë nga ata që nuk marrin pjesë në faljen me xhemat në xhami, por marrin pjesë në ditën e xhuma, dhe kjo ia mundëson hatibit që t’u drejtohet të gjithëve, si dhe të flasë me shumë njerëz që nuk ndjekin ligjërata, seminaret dhe mësimet e xhamisë. Me fjalë të tjera, hytbeja është fusha e vetme që është në dispozicion të predikuesve, ku nëpërmjet saj i drejtohen të gjithëve. Andaj, përderisa hytbeja e xhumasë është për çdo javë, ajo mbetet një rast i volitshëm për hatibin që t’i trajtoj çështjet që e preokupojnë xhematin, qoftë çështjet e fesë, por edhe ato të kësaj bote, të cilat edhe prekin realitetin e njerëzve. Kjo ngase, Islami nuk është fe e ritualeve të ngurta në të cilat nuk ka jetë në to. Nga mimberi i xhumasë, Pejgamberi a.s. dhe kalifët pas tij, i diskutonin ato gjëra që i preokuponin njerëzit dhe çështjet e tyre, ngase Islami është fe gjithëpërfshirëse për të gjitha aspektet e jetës dhe në asnjë rast nuk duhet të përjashtohet. Është e ditur se njerëzit aq sa kanë nevojë për rikujtim të çështjeve të besimit, të fesë dhe të jetës pas vdekjes, po aq kanë nevojë edhe për ato që i shqetësojnë në realitetin e jetës së tyre.
Virtyti i të dëgjuarit të hytbes së xhumasë
Namazi i xhumasë është kurs javor për ta dëgjuar e për t’u trajnuar. Në të zbatohen të gjitha kriteret kryesore të cilat kërkohen në dialog. P.sh. falësit e namazit praktikojnë një parim themelor në të, e që është mos ndërprerja e folësit, derisa ai ta përfundoj fjalën e tij. Atyre nuk u lejohet as lutja për personin që teshtinë, as përshëndetje, e madje as prekja e guralecëve. Kjo është metaforë për të mos lejuar shpërqendrimin nga imami i cili mban hytben. Madje është e habitshme se, edhe nëse shokut pranë i thuhet “hesht”, gjersa imami është duke mbajtur hytben, kjo gjë e prish shpërblimin e hytbes. Mund ta imagjinoni sikur çdo dëgjues t’i pëshpëriste atij që ka afër me një fjalë ose me një pyetje, xhamitë do të gumëzhinin nga bisedat anësore që nuk tregojnë respekt për folësin, si dhe kjo bie në kundërshtim me virtytet e të dëgjuarit.
Andaj mund të themi se, ngjarja më e rëndësishme e xhumasë për një mysliman është hytbeja e xhumasë. Ajo është ibadet që ka qëllimet e veta, nga ku hatibi dhe dëgjuesi bashkëpunojnë për t’i arritur ato. Ashtu sikurse që është art zbatimi i hytbes nga hatibi, po ashtu edhe mënyra se si të pranishmit dëgjojnë predikimin është një art tjetër. Ky art ka të bëjë me rregullat juridike dhe etikën në lidhje me pjesëmarrësit. Në mënyrë që hytbeja ta japë frytin e saj, të përmbush rolin e saj dhe të ketë efekt, duhet që të dyja palët (hatibi dhe dëgjuesi) të jenë të integruar në arritjen e objektivave të përcaktuara për hytbe. Shpeshherë kritika i drejtohet hatibit, duke e konsideruar të si palën më të rëndësishme në këtë rast, duke anashkaluar kështu rolin e rëndësishëm të dëgjuesit. Sidoqoftë, predikuesi ka një mesazh tjetër ndryshe nga mesazhi i dëgjuesit. Por, nëse vëmë re ajetet dhe hadithet e transmetuara në lidhje me hytben e xhumasë, shumica e tyre u drejtohen kryesisht të pranishmëve në xhuma, domethënë dëgjuesve, ngase ata janë më shumë.
Hytbeja ka objektiva dhe urtësi legjitime, të parapara nëpërmjet dispozitave dhe etikës së xhumasë, siç është urdhri për të shpejtuar në namaz, lënia e shitblerjes, obligimi i heshtjes, për t’i nxjerrë ato nga mënyra formale që njerëzit janë mësuar, në realitetin e objektivave të këtyre dispozitave në bashkëveprim të vërtetë me hytben e xhumasë, mësimin, kuptimin, edukimin dhe praktikumin.
Hatibi mund të ketë rol në shfaqjen e ndonjë defekti në largimin e hytbes nga roli i saj, por edhe dëgjuesi ka një rol në të, jo më pak të rëndësishëm se roli i predikuesit. Andaj, që hytbeja ta luaj rolin e saj, ai që merr pjesë në namazin e xhumasë duhet të hesht kur imami të predikoi. Transmetohet nga Ebu Derda r.a., i cili thotë: “U ul Pejgamberi a.s. në mimber dhe filloi t’u predikonte njerëzve dhe e këndoi një ajet. Në anën time ishte Ubej bin Kabi, kështu që i thashë atij: “O Ubej, kur ka zbritur ky ajet?” Ai nuk pranoi të më fliste. Mandej e pyeta dhe ai nuk pranoi të më fliste, derisa zbriti (nga mimberi) i Dërguari i Zotit a.s. Mandaj Ubej më tha mua: “Ju nuk keni asgjë nga xhumaja, përveç shpërblimit të humbur. Kur u largua Pejgamberi a.s. shkova dhe i tregova, e ai më tha:
“Të vërtetën e ka thënë Ubeji, kështu që kur ta dëgjosh imamin duke folur, hesht derisa ai të mbarojë.” [2] Kjo tregon se gjersa imami ta mbaroj hytben në ditën e xhuma, të heshturit është obligim, ndërsa të folurit është i ndaluar.
Nuk i lejohet të flas personit me të tjerët, edhe nëse fjala është për ta heshtur tjetrin. Edhe pse heshtja e tjetrit është bërë si urdhërim për të mirë dhe ndalim nga e keqja, megjithatë edhe këtë e ka ndaluar Pejgamberi a.s. gjatë hytbes, për shkak të dhënies përparësi të asaj që është më e rëndësishme, e që është heshtja për dëgjimin e predikimit të imamit, mbi atë që është e rëndësishme, e që është urdhri për të mirë gjatë hytbes. Këtë e dëshmon edhe hadithi, të cilin e transmeton Ebu Hurejre r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Nëse i thua shokut tënd “hesh” në ditën e xhuma, gjersa imami e mban hytben, e ke zhvlerësuar dobinë e xhumasë.” [3]
Nëse urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është e ndaluar gjatë hytbes, atëherë si është puna me atë që është nën këtë rang?! S’ka dyshim se ajo ka më përparësi për t’u ndaluar.
Ndalimi përfshinë po ashtu edhe përgjigjen ndaj pyetjeve fetare, si dhe atyre që kanë të bëjnë me çështjet e botës, t’i thuhet “jerhamekullah” atij që teshtinë, të bërit dhikër, të dhënit selam, dhënia e vërejtjes apo komentit, e gjithë kjo në mënyrë që njerëzit të dëgjojnë. Të gjitha këto janë mekruh tahrimen, qysh prej kur imami të hip në mimber, e derisa ta përfundojë hytben. Dhe kjo, pavarësisht se a dëgjojnë hatibin, apo janë larg e nuk e dëgjojnë atë, ngase xhemati janë urdhëruar me dy gjëra, me dëgjim dhe me heshtje. [4] Transmeton Nubejsheh el Hudhelij r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Nëse myslimani pastrohet në ditën e xhuma, pastaj shkon në xhami, nuk e dëmton askënd dhe nëse nuk e gjen imamin që ka dalë (për hytbe), fal çfarë dëshiron; e nëse e gjen imamin që ka dalë (për hytbe), ulet dhe e dëgjon dhe hesht derisa imami ta përfundojë xhumanë dhe fjalën e tij, nuk mbetet pa iu falë të gjitha mëkatet në këtë xhuma të tij dhe nuk mbetet pa qenë kefaret për xhumanë, e cila e pason atë.” [5]
Ky hadith ka bërë ndarjen mes daljes së imamit për mbajtjen e hytbes dhe mos daljes së tij. Heshtja në këtë rast është lidhur me daljen e imamit dhe mos daljen e tij për mbajtjen e hytbes. Kur imami të dalë për hytbe, ndalohet të folurit. [6] Ibën Abdulberri thotë: “Ibën Abasi dhe Ibën Umeri e kanë urryer bisedën dhe namazin pas daljes së imamit dhe se nuk ka asnjë që i kundërshtona ata.” [7]
Me fjalë të tjera, gjatë hytbes së xhumasë ndalohet çdo gjë që e shpërqendron njeriun nga dëgjimi i hytbes dhe angazhimi me diçka tjetër, madje edhe në qoftë se është prekja e guralecëve, siç e theksuam edhe më lartë. Këtë e dëshmon edhe hadithi, të cilin e transmeton Ebu Hurejre r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Kush merr abdes dhe merr mirë, pastaj vjen në xhuma, dëgjon dhe hesht, i falen mëkatet në mes tij dhe mes xhumasë, si dhe tri ditë shtesë. Kurse kush prek guralec, ai ka zhvlerësuar dobinë e xhumasë.” [8]
Es Sindi thotë: “Kjo do të thotë, nuk ka xhuma për të dhe nënkuptohet se ai do të privohet nga shpërblimi shtesë.” [9]
En Neveviu thotë: “Në të ka ndalim të prekjes së guralecit, si dhe loja me diçka tjetër gjatë hytbes. Gjithashtu në të ka dëshmi për drejtimin e zemrës dhe gjymtyrëve kah hytbeja. Ndërsa, me “lagv” për qëllim këtu është e pavlefshme, e qortuar, e refuzuar.” [10]
Nëse kjo është në prekjen e guralecit, po kështu është edhe për atë që luan pa prekjen e guralecit, i cili luan me lëvizjen e lapsit, orës, ose diçkaje tjetër, gjersa imami është duke e mbajtur hytben. Pejgamberi a.s. e ka përmendur guralecin për shkak se xhamitë e tyre kanë qenë të shtruara me guralec[11] dhe disa njerëz mund të luajnë me ta, qoftë duke i drejtuar guralecët me dorë për ta drejtuar tokën, ose t’i rrotullojë ata, e të ngjashme. Fjalën tonë mund ta përmbyllim me një fjali se, gjendja e myslimanit gjatë hytbes së xhumasë është po si gjendja e tij në namaz, nuk flet dhe nuk angazhohet me asgjë tjetër, përpos se me dëgjim të hytbes dhe heshtjes. Por, nëse personi flet, qoftë edhe një fjalë të vetme, apo vepron ndonjë veprim prej atyre që theksuam më lartë, ai e ka zhvlerësuar dobinë e xhumasë dhe nuk e arrin shpërblimin e saj.
_____________________
[1] El-Hitabetu li ebi Zehra, fq.21-22.
[2] Ahmedi, nr: 21729, 36/59-60; Sherh meani el-athar, nr: 2160, 1/367; Ma’rifetu es-sunen, nr: 6522, 4/379. El-Hejthemi, në Mexhma Ez-Zevaid, 2/185, thotë: E transmeton Ahmedi dhe Et Taberani në “El-Kebir”, kurse transmetuesit e Ahmedit janë të besueshëm.
[3] El-Buhari, nr: 934, 2/13; Muslimi, nr: 851, 2/583.
[4] Redu el-Muhtar, 1/376-377.
[5]Ahmedi, nr: 20721, 34, 321. El-Hejthemi, në Mexhma Ez-Zevaid, 2/171, thotë: Transmetuesit e tij janë transmetues të sahihut pos shejh Ahmedit dhe ai është i besueshëm.
[6] I’lau Es-Sunen, 2/78.
[7] El-Istidhkar, 2/21.
[8] Muslimi, nr: 857, 2/588.
[9] Hashijetu Es-Sindij, 1/339.
[10] Sherhu En-Nevevi ala Muslim, 6/147.
[11] Fejdu el-kadir, 1/414; Miratu el-mefatih, 3/375.
Dr. Ilmije Kuqi /islamgjakova/