Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të Cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Salavatet, selami dhe bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin (a.s.), për familjen e tij, për shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në Ditën e Gjykimit.Vëllezër besimtarë!Sipas kalendarit musliman për këtë vit – 2021, nesër në mbrëmje (ditë e shtunë, 27 mars), është nata e madhe dhe e bekuar, e cila quhet nata e Beratit. Fjala “berat” në gjuhën arabe do të thotë: të shpëtosh, të falesh e të lirohesh prej gjynaheve, fajeve dhe dënimeve. Në këtë natë shumë muslimanë gjejnë faljen dhe lirimin prej gjynaheve nga ana e Allahut të Plotfuqishëm, i arrijnë mirësitë dhe dhuntitë e Zotit dhe zemrat ju mbushen me nur e dritë hyjnore.Është kjo natë e bekuar dhe e madhe ngase, sipas disa komentatorëve të Kuranit, në këtë natë Kurani fisnik ka zbritur në formë të plotë nga qielli i 7 (shtatë) në të parin, pra në qiellin e dynjasë, kurse në natën e Kadrit ka filluar t’i shpallet Pejgamberit (savs), në formë të shkallë-shkallshme brenda 23 viteve. Këta komentatorë, për këtë mbështeten në ajetet e para të sures ed-Duhan:
بِسْمِ اللهِ الرَّحْمنِ الرَّحِيمِحم . وَالْكِتَابِ الْمُبِينِ . إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةٍ مُّبَارَكَةٍ إِنَّا كُنَّا مُنذِرِينَ . فِيهَا يُفْرَقُ كُلُّ أَمْرٍ حَكِيمٍ .
“Ha. Mim. Pasha librin sqarues (të së drejtës nga e kota)! Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar. Vërtet që Ne gjithnjë po këshillojmë. Në atë natë zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë.” (ed-Duhan,1-4)
Në këtë natë të bekuar ka zbritur Kurani me të cilin Kuran Allahu e këshillon dhe ia tërheq vërejtjen njerëzimit për gabimet dhe humbjen e mashtrimin që është duke përjetuar. Është nata kur me dijen dhe gjykimin e Allahut të Plotfuqishëm vendoset për të gjitha çështjet, si: vdekjet, lindjet, furnizimet, fatkeqësitë etj. për tërë vitin e ardhshëm.Edhe pse disa komentatorë të tjerë thonë se, në këtë sure flitet për natën e Kadrit e jo të Beratit, për vlerën e madhe të saj që ka, flasin edhe mjaft hadithe dhe sjellje të Pejgamberit (savs).
Ai gjatë muajit Shaban, në të cilin gjendet edhe nata e Beratit, rregullisht bçnte agjërim nafile. Kur e pyetnin se përse agjëronte kaq shumë në muajin Shaban, ai përgjigjej: “Në këtë muaj punët dhe veprat tona ngrihen te Zoti i botëve. Unë dua që punët e mia t’i paraqiten Zotit duke qenë me agjërim në gojë.” (Nesaiu, Sijam, 70).Ja edhe disa hadithe të tjera të Pejgamberit (savs), lidhur me madhështinë e kësaj nate: –
Kur të vijë nata e 15 e muajit Shaban, kalojeni me ibadet dhe itaat Zotit, kurse ditën e 15 kalojeni me agjërim! Sepse atë natë Zoti me rahmetin e vet i shfaqet qiellit të dynjasë dhe thotë: ‘A ka kush pendohet sonte dhe Unë ta fali? A ka kush kërkon rizk (furnizim e nafakë) sonte dhe Unë t’i jap? A ka kush që është i sëmurë dhe kërkon prej Meje shërim dhe Unë t’i jap shëndet? A ka kush kërkon diçka tjetër sonte e Unë t’i jap?’ Kështu vazhdon deri në agimin e ditës së nesërme.” (Ibni Maxhe, Ikame, 191).- S’ka dyshim se në natën e 15 të muajit Shaban, Zoti zbret (në mënyrë të panjohur për ne) në qiellin më të afërt me Tokën dhe i fal gjynahet (ose gjynahqarët) qofshin ato më tepër se edhe qimet e dhenve të fisit Kelb.” (Tirmidhiu, Savm, 39)
Këto ishin shkurtimisht të mirat dhe bekimet e kësaj nate madhështore.
– Është pra një natë;
– kur Allahu i Plotfuqishëm me të madhe e lëshon rahmetin, mëshirën, rizkun dhe faljen e Tij;
– është nata kur ne duhet sinqerisht të pendohemi për gjynahet që i kemi bërë dhe që jemi duke i bërë, e t’i drejtohemi Allahut me kërkesë për të na falë, e të na pastrojë prej të gjitha ndyrësive të jetës së kësaj bote, e të na ngrejë në shkallën ku shpirtrat tanë do të jenë të kënaqur me Allahun dhe ku edhe Allahu do të jetë i kënaqur me ne;
– është nata kur duhet të vendosim t’i largohemi çdo të keqeje që na çon në mosbesim;
– kur ne duhet t’i harrojmë e t’i shuajmë ndjenjat e armiqësisë e të urrejtjes ndërmjet nesh si muslimanë;
– kur ne duhet t’i vizitojmë, të afrohemi dhe të pajtohemi me farefisin dhe të afërmit tonë;
– kur ne duhet ta shuajmë ndjenjën e krenarisë, mendjemadhësisë dhe të stolisemi me kokultësi e respekt ndaj Krijuesit tonë, Allahut;
– kur ne duhet ta respektojmë e nderojmë babën dhe nënën tonë;
– kur përfundimisht duhet ta braktisim alkoolin, zinanë dhe çdo gjunah tjetër të madh e të vogël, sepse Pejgamberi (savs), në një hadith të tij thotë:
“Në natën e Beratit Zoti ua fal gabimet të gjithë muslimanëve, përveç atij që merret me magji (sihir), atij që e ushqen ndjenjën e urrejtjes e të armiqësisë, atij që i ndërpret lidhjet farefisnore, atij që e kundërshton dhe nuk e dëgjon babanë dhe nënën e vet, dhe atij që është i dhënë pas alkoolit e zinasë.”
Për neve si qenie që nuk e dimë se kur do të vdesim, dhe që për çdo ditë vetëm po ngarkohemi me gjynahe të ndryshme, kjo natë dhe netët e ditët tjera të mëdha, janë raste të volitshme, kur mund të pendohemi, e të kërkojmë falje, për mëkatet tona dhe ta vazhdojmë jetën ashtu siç dëshiron të na shohë Allahu, dhe ashtu siç dëshirojmë ne të jemi të lumtur e të rehatshëm në këtë botë dhe në botën tjetër.
I lutemi Allahut që ta bëjë jetën tonë në shenjë të veprave të mira dhe bindjes ndaj Tij!
O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!
O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!
O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!
O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!
O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët.
O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty!
Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin!
Përshtati:
Miftar Ajdini