Disa këshilla të Llukmanit për birin e vet

1081

Biri im, ruaju nga borxhi, sepse borxhi është poshtërim gjatë ditës, kurse brengë e pa përballueshme dhe ankth gjatë natës.

Biri im, dikur njerëzit ishin hipokritë në atë që punonin, kurse sot ata janë hipokritë në atë që nuk punojnë!

Ruaju nga lypja, sepse ajo ta heq turpin nga fytyra.

Biri im, kurrsesi mos e shtyj pendimin, sepse vdekja vjen papritmas.

Biri im, kur je në namaz ruaje zemrën, kur ha ruaje barkun, kur je në shtëpi të huaj ruaje shikimin, ndërsa kur je në shoqëri ruaje gjuhën!

Ruaju nga zilia, sepse zilia e prish fenë, e dobëson shpirtin dhe çon në pendim.

Biri im, fillimi i zemërimit është çmenduri, kurse fundi është keqardhje e hidhur.

Biri im, mirësia është kulmi i mençurisë.

Ruaju nga shoku i keq, sepse ai është si shpata, duket bukur, kurse gjurmët i ka shumë të dhimbshme.

Biri im, mos fito dituri për tu mburrë para dijetarëve (ulemave) dhe të fitosh pikë nga injorantët. Kur të shohësh njerëzit që e përmendin Allahun ulu me ta, nëse je dijetar ata do të përfitojnë nga njohuritë tuaja, ndërsa nëse je injorant ti do të mësosh diçka prej tyre, në qoftë se asgjë tjetër, atëherë ndoshta Allahu i përshkon me mëshirë, që do të kaplojë edhe ty.

Biri im, mos i bën shirk Allahut, sepse ajo është dhuna (zullumi) më e madhe.

Mundohu që ushqimin tënd ta hanë ekskluzivisht të ndershmit, dhe gjithmonë për gjithçka konsultohu me dijetarët.

Biri im, mos polemizo me të mençurit, mos diskuto me injorantët, mos i mbështet zullumqarët dhe mos u shoqëro me të dyshuarit.

Biri im, unë shpesh jam penduar për atë që kam thënë, por kurrë nuk jam penduar pse kam heshtur.

Në qoftë se e do dikënd për mik, së pari zemëroje, nëse është i drejtë në zemërimin e tij – është i mirë, përndryshe ik nga ai.

Biri im, nëse di ta ruash sekretin, zgjedhja është në dorën tënde.

Biri im, mos u bën i ëmbël, sepse të hanë, por as i hidhur, sepse të pështyjnë!

Biri im, secili e ka qenin e tij, kurse ti mos lejo të bëhesh qen i askujt!

Biri im, gruaja e ndershme është si një kurorë mbi kokën e perandorit, kurse gruaja e prishur është si një barrë e rëndë mbi shpinën e një plaku të rraskapitur.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)