Nëse e doni pejgamberin (savs), atëherë mos e shembni dhe mos e hiqni atë që ai e ka vendosur dhe urdhëruar
Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, Zotit të të gjitha botëve. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe të gjithë pasuesit e tij.
Vëllezër të dashur!
Xhaxhai i Pejgamberit (savs), Abas ibn Abdul-Mutalibi, e kishte një ulluk në rrugën nëpër të cilën kalonte hz. Omeri (r.a.), nga shtëpia e tij për në xhami. Një të premte, hz. Omeri, në kohën kur ishte halif, e veshi xhyben e tij për xhuma dhe shkoi në xhami për ta mbajtur hutben. Disa anëtarë të familjes Abas i kishin therur dy zogj në çatinë e shtëpisë, kështu që e kishin marrë një enë me ujë dhe po e lanin gjakun, mu në momentin kur kaloi hz.Omeri pa e vërejtur, kështu që disa pika uji të përzier me gjak e spërkatën hz. Omerin, dhe ai urdhëroi që ulluku të nxirrej nga vendi i tij.
Pastaj ai u kthye shpejt në shtëpinë e tij, i ndërroi rrobat dhe menjëherë u kthye në xhami. Pas namazit të xhumasë, iu afrua Abasi dhe i tha: “Të betohem në Allahun, se këtë ulluk në këtë vend e ka vendosur Pejgamberi (savs), me dorën e tij.”
Atëherë hz. Omeri i tha: “Kurse unë ty po të betohem në Allahun,që të hipesh në shpinën time dhe ta vendosësh ullukun në pozicionin në të cilin e ka vendosur Pejgamberi (savs).” (Transmeton Ahmedi)
Hazreti Omeri e hoqi ullukun sepse atë e pa si të dëmshëm, pasiqë u spërkatën rrobat e tij me ujë të ndyrë, kështu që mund të ndodhë që edhe rrobat e njerëzve të tjerë që kalojnë në atë rrugë të ndoten. Pasi që ai është halif i muslimanëve, dhe e ka për detyrë që t’i largojë dëmet nga muslimanët sa më shumë që të mundet. Mirëpo, kur Abasi e informoi se ullukun e kishte vendosur personalisht Pejgamberi (savs), ai i kërkoi Abasit që të hipte në shpinën e tij dhe ta kthente në vendin e vet. Çfarë dashurie e papërshkrueshme, çfarë kthimi tek e vërteta, çfarë përulësie dhe çfarë ndjekja e Sunetit?!
Megjithatë, Pejgamberi (savs), ka vendosur gjëra më të çmuara dhe shumë më të vlefshme sesa ulluku. Pra, a po i ruajmë ne ato që i ka lënë dhe i ka vendosur ai?
Ai ka vendosur dhe ka urdhëruar bamirësinë ndaj prindërve. Por, a jemi ne bamirës ndaj nënave dhe baballarëve tanë, apo jemi mosrespektues ndaj tyre, dhe kështu, me duart tona po e shkatërrojmë dhe përdhosim atë që Pejgamberi (savs), e ka vendosur dhe forcuar me dorën e tij të bekuar?!
Ai ka vendosur dhe ka urdhëruar bamirësinë ndaj grave. Por, a jemi ne dashamirës dhe bamirës ndaj grave tona, apo ato vuajnë ofendime nga ne në formën e fjalëve të shëmtuara, sjelljeve të këqija dhe dhunës të cilat ta thyejnë zemrën, dhe kështu ne me duart tona e grisim atë që Pejgamberi (savs), e ka vendosur dhe forcuar me dorën e tij të bekuar?!
Ai ka vendosur dhe ka urdhëruar bamirësinë ndaj fqinjëve, por, a jemi ne bamirës ndaj fqinjëve tanë, apo i fyejmë ata, herë duke bërtitur, herë duke bërë thashetheme, herë duke ndjekur dhe hulumtuartë metat e tyre, kurse ndonjëherë duke shkatërruar ose uzurpuar pasurinë e tyre, dhe kështu e përdhosim dhe rrënojmë me duart tona, atë që Pejgamberi (savs), e ka vendosur dhe forcuar me dorën e tij të bekuar?!
Ai ka vendosur dhe forcuar lidhjet farefisnore, por, a jemi ne nga ata që i mbajmë lidhjet farefisnore, apo jemi nga ata që i shkëpusin ato për shkak të gjërave të parëndësishme të kësaj bote. Kështu që për këtë shkak vëllai nuk e viziton vëllain e vet, as motra nuk e njeh vëllain e vet, ndërsa xhaxhallarët dhe dajallarët janë harruar plotësisht, sikur të mos ekzistojnë. Ata i kujtojmë vetëm nga bajrami në bajram, dhe kështu e përdhosim dhe shkëpusim me duart tona,atë që Pejgamberi (savs), e ka vendosur dhe forcuar me dorën e tij të bekuar?!
Hazret Omeri (r.a.), e përkuli shpinën e tij që të hipte Abasi mbi të për ta rivendosur ullukun në vendin e tij, vetëm për dashurin e papërshkrueshme që kishte për Pejgamberin (savs), dashuri për bindje dhe pasim të padiskutueshëm. Prandaj, nëse e doni Pejgamberin (savs), atëherë mos e prishni dhe mos e hiqni atë që ai e ka vendosur dhe caktuar. Por, nëse rastësisht hiqni një pjesë të saj, atëherë përkulne shpinën si hz. Omeri, dhe menjëherë përsëri ktheni gjërat në vendin e tyre.(Edhem Sherkavi) .
O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!
O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!
O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!
O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!
O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët.
O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini