Kur dikush të thotë të largohesh nga njerëzit, dije se të gënjen! Kur dikush të thotë se qetësinë do ta gjesh duke u larguar nga njerëzit që të shqetësojnë dhe mërzisin, dije se të gënjen. Biri im, duke ikur nga problemet nuk i shmang dot, thjeshtë i grumbullon. Këtë duhet ta dish.
Biri im, njeriu përbëhet nga tre komponentë: trupi, mendja dhe shpiriti. Këto duhet të jenë të shëndosha dhe në kondicion që të përballesh me sfidat dhe sprovat e jetës në mënyrë të suksesshme.
Biri im, trupin do ta mbash të shëndosh nëse ushtron vazhdimisht. Kjo nuk do të thotë se duhet të shkosh fitnes, thjeshtë mundohu të ecësh sa më shumë. Kur kthehesh nga puna apo shkolla mundohu të ecësh, mos hip gjithmonë në autobus. Kjo mjafton si fillim. Ji i lumtur se kujdesesh për trupin tënd, por mos mendo se ke bërë gjithçka, sepse mendjemadhësia është cilësi e njerëzve të dobët.
Mendjen apo psiken do ta mbash të shëndosh nëse je i kujdesshëm se kur dhe me cka ushqehesh, mu sikur edhe trupin. Mundohu të hash më shumë fruta dhe perime , edhe pse në kohën e sotme janë shtrenjtë. Mundohu të ikësh nga mishrat sa më shumë, mos e tepro në asgjë. Mos u bëj vegjetarian sepse çdo teprim nuk është i dobishëm as për trupin por as për mendjen. Ke kujdes se çfarë shikon dhe çka lexon.
Shpirtin, biri im, do ta stërvitësh me përulësi në namaz, lexim të Kuranit dhe lutje. Por, mos e tepro në namazet vullnetare dhe lexim të Kuranit, ose lutje, se do të bëhet barrë. Me këtë i ndihmon shejtanit kundër teje! Bëj vepra të vogla por të përhershme sepse Allahu i do punët e vogla që janë të përhershme. Kij qetësinë tënde, ndajë kohë për veten dhe Zotin.
Kështu, biri im, nëse e ushtron trupin, mendjen dhe shpirtin, do të kesh mundësi më lehtë të përballesh me sfidat e kësaj bote. Kjo nuk do të thotë se do kesh sukses gjithmonë, por sa më shumë të ushtrosh dhe të stërvitesh, kjo me ndihmën e Allahut do t’i lehtësoj gjërat. Asnjëherë mos ik nga njerëzit! Qoftë edhe nga ata që të urrejnë dhe të shqetësojnë. Ti mund të largohesh nga vëllau, motra, mund edhe të ndahesh nga gruaja, por të kaluarën nuk mund ta fshish! Gjithmonë do të kesh lidhje me to, andaj është e rëndësishme të mos ikësh nga askush, por ta ushtrosh trupin, mendjen dhe shpirtin që të përballesh më lehtë me sprovat e dunjasë.
Bir im, bëj sa më shumë istigfar dhe kujtoje Allahun, dhe Allahun gjithmonë do ta kesh mbështetje. Dërgo sa më shumë salavate për Pejgamberin a.s. dhe Allahu do t’i pranoj lutjet dhe do të plotësoj dëshirat e tua….
Asim Husanoviç
Përshtati: Arsim Dauti
(Islampress)