Është dhuratë e madhe për ata muslimanë që kanë mësuar alfabetin arab dhe atë ua kanë mësuar edhe fëmijëve të tyre, që edhe ata ta lexojnë fjalën e Allahut, ajetet e Kur’anit të Shenjtë.
Mësimi dhe leximi i Kur’anit, nuk duhet kurrsesi të anashkalohet, sepse për çdo shkronjë të lexuar (harf) pason shpërblimi. Për këtë, I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush lexon një harf – shkronjë nga Libri i Allahut (Kur’ani), do të ketë shpërblim, e shpërblimi do të dhjetëfishohet. Unë nuk them që `Elim Lam Mim` është një harf – shkronjë, por `Elif` një shkronjë, `Lam` është një shkronjë dhe `Mim` është një shkronjë.” (Sahih, Tirmidhiu)
Megjithatë, pavarësisht kur dhe sa kohë ia kushtojmë leximit të Kura’nit, a e kemi pyetur ndonjëherë veten, apo ndoshta në një farë mënyre a e kemi testuar qëndrimin tonë ndaj Kur’anit gjatë leximit dhe sa jemi të vetëdijshëm për atë që lexojmë. Me këtë nuk kam për qëllimin përkthimin e kuptimit, por të menduarit se me të vërtetë jemi duke i lexuar fjalët e Allahut xh.sh.? A ndikon leximi i tij në zemrën, gjendjen dhe disponimin tonë? Apo ndoshta marrëdhënia jonë me Kur’anin, është reduktuar në atë masë, sa që e marrim thjesht për shkak të shprehisë që duhet ta lexojmë, që para Allahut mos të dukemi si të pavëmendshëm ndaj Kur’anit. Është shprehi e mirë, që çdo ditë, ta lexojmë së paku një faqe, por mendoj se nganjëherë më shumë zhytemi në leximin e gazetave apo të ndonjë libri, se sa në leximin e Kur’anit.
Çfarë qëndrimi duhet të kemi derisa lexojmë Kur’anin, më së miri na tregon shembulli që ka ndodhur në kohën e Imam Ahmed ibn Hanbelit r.a.
Transmetohet se tek Imam Ahmedi ka ardhur lajmi, se si një nga nxënësit e tij e lexon tërë Kur’anin brenda natës, më pas e fal namazin e sabahut dhe bie në gjumë. Kur Imam Ahmedi e dëgjoi këtë, vendosi ta mësoj nxënësin se si duhet të sillet ndaj Kur’anit gjatë leximit, dhe e thirri. Kur erdhi, e pyeti: “Kam dëgjuar se brenda natës ti e bënë hatme Kur’anin?” Nxënësi iu përgjigj: “Po, është e vërtetë mësues”. Imam Ahmedi tha: “Mirë, por dëshiroj të provosh diçka. Sonte kur të lexosh Kur’anin, lexo sikur ta lexosh para meje, d.m.th., sikurse unë jam duke e përcjell leximin tënd”. Nxënësi premtoi se do të bëjë ashtu.
Të nesërmen, nxënësi u kthye dhe kur Imam Ahmedi e pyeti, sa ka lexuar nga Kur’ani, ai u përgjigj: “Mësues, mezi i lexova dhjetë xhuze.”
Imam Ahmedi tha: “Mirë, sonte do të lexosh, sikur ta lexosh para Pejgamberit s.a.v.s.”
Kur të nesërmen u kthye, nxënësi tha: “Mësues, mezi arrita ta lexoi xhuzin e fundit (xhuzin Amme).”
Pastaj Imam Ahmed tha: “Sonte, kur të lexosh, lexo sikur je duke lexuar para Allahut xh.sh.”
Nxënësi e dëgjoi dhe ashtu veprojë. Dhe kur erdhi pas disa ditësh, në fytyrën e tij vëreheshin gjurmët e lodhjes dhe ankthit, arriti vetëm të thotë: “Mësues, pasha Allahun, tërë natën kam lexuar, por nuk kamë arritur ta lexoj as Fatihanë”.
Mesazhi: Kur’ani është Fjala e Allahut xh.sh., prandaj ai duhet së pari të lexohet me zemër e pastaj me gjuhë.
Prof.Saudin Cokoja,
Përshtati Esat Rexha
(islamgjakova)