Dita e Ashures

2819

Falënderimet janë për Allahun e Madhërishëm, Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë.
Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.
Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq.
Dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin gjithmonë me të, është rob i Allahut dhe është i Dërguari i Tij i fundit.
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Për çdo vjet muslimanët gëzohen me rastin e Ashures, ditën e 10 të muajit Muharrem, për këtë arsye këtë hutbe do t’ia kushtojmë kësaj teme.
Historiku i Ashures:
Dita e Ashures ka qenë ditë e dalluar edhe te popujt e kaluar. Ka qenë ditë e bekuar ashtu siç transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi, se arabët në periudhën para islame e kanë agjëruar këtë ditë, kanë agjëruar Kurejshët, e ka agjëruar edhe Pejgamberi (savs) në Meke para se të bëjë hixhret. Aishja (r.a.) thotë: Kurejshët e agjëronin ditën e Ashures para Islamit. Edhe Pejgamberi (savs), e agjëronte këtë ditë para Islamit, e pasi që shkoi në Medine edhe të tjerët i urdhëroi të agjërojnë. Kur u bë obligim agjërimi i Ramazanit, dita e Ashures mbeti të agjërohet sipas dëshirës.
Është cekur nëpër disa transmetime se kjo ditë ka qenë e bekuar qysh në kohën e Nuhit (a.s.).
Transmeton Ebu Hurejre (r.a.), se Pejgamberi (savs), kaloi pranë disa hebrenjve të cilët e agjëronin ditën e Ashures. Pejgamberi (a.s.), i pyeti për shkakun që i shtynte ata të agjërojnë këtë ditë, e ata u përgjigjën: Kjo është dita në të cilën Allahu i Plotfuqishëm e ka shpëtuar Musain (a.s.) … dhe në këtë ditë është ndalur anija e Nuhit (a.s.) në kodrën Xhedva, dhe për këtë agjëroi Nuhi dhe Musai (a.s.), në shenjë falënderimi ndaj Allahut të Plotfuqishëm. (Ahmedi)
Pra edhe hebrenjtë kanë agjëruar këtë ditë duke festuar triumfin e Musait (a.s.), ndaj faraonit të cilin e fundosi Allahu i Plotfuqishëm. Transmetohet nga Ibni Abbasi (r.a.), i cili thotë: Kur erdhi Pejgamberi (a.s.) në Medine, aty i pa hebrenjtë që e agjëronin ditën e Ashures. Ai i pyeti: ç’është kjo ditë? Ata u përgjigjën: Kjo është dita në të cilën Allahu i ka shpëtuar Beni Israilët nga armiku i tyre dhe për këtë Musai e agjëroi këtë ditë. Pejgamberi (a.s.), tha: Mua më parë më takon ta pasoj Musain se ju. (Buhariu dhe Muslimi).
Besimtarë të nderuar!
Pejgamberi (a.s.), i ka nxitur muslimanët që ta agjërojnë këtë ditë duke shpresuar që Allahu i Plotfuqishëm me këtë do t’i shlyejë mëkatet e një viti të plotë. Transmeton Ebu Hurejre (r.a.), se Pejgamberi (a.s.), është pyetur për agjërimin e ditës së Ashures, dhe është përgjigjur: I shlyen mëkatet e vitit të kaluar. (Muslimi) Kurse në transmetimin e Ibni Maxhes qëndron: Unë shpresoj që me agjërimin e Ashures t’i falë Allahu i Plotfuqishëm mëkatet e vitit që ka kaluar.
Sa shpërblim i madh që është ky! I falë mëkatet e një viti të tërë! E ne jemi njerëz që bëjmë shumë mëkate, kundërshtojmë fenë e Allahut në shumë raste, lëmë mangu obligimet tona ndaj Tij, andaj e lusim Allahun që të na falë.
Nuk është për tu habitur pse Pejgamberi (a.s.) e ka nderuar këtë ditë në këtë mënyrë, nëse vërtetohet se agjërimi i kësaj dite ka qenë prej fesë së Ibrahimit (a.s.), sepse në fakt, feja e Muhamedit (savs) është ripërtëritje e fesë së Ibrahimit (a.s.).
Agjërimi i ditës së Ashures ka kaluar në disa etapa:

  • Pejgamberi (a.s.), e agjëronte këtë ditë qysh në Meke siç përmendëm më lartë.
  • Po ashtu, ai agjëroi pasi që bëri hixhret në Medine dhe i urdhëroi muslimanët që të agjërojnë. Kështu ishte para se të shpallej obligimi i agjërimit të muajit Ramazan. …
  • Pejgamberi (a.s.), duke u nisur nga parimi për t’u dalluar nga hebrenjtë i nxiti muslimanët që ditës së Ashures t’ia bashkëngjitnin edhe një ditë tjetër para ose pas. Ai vendosi që nëse jeton deri në vitin e ardhshëm, të agjërojë ditën e 9 dhe të 10 të muajit Muharrem, siç flasin për këtë transmetime të shumta.
  • Njëherit kjo tregon se Pejgamberi (a.s.), i ka kushtuar rëndësi të posaçme kësaj dite deri në fund të jetës së tij. Ai, savs, në lidhje me këtë ka thënë: Po të jem gjallë deri në vitin e ardhshëm, do ta kisha agjëruar edhe ditën e nëntë.” Transmetuesi thotë: Kur erdhi viti i ardhshëm, Pejgamberi (a.s.), tani më kishte vdekur. (Muslimi)
    Vëllezër besimtarë!
    Sa i përket çështjes së urtësisë së agjërimit të kësaj dite themi:
    Njeriu është i përbërë prej dy elementeve, prej trupit dhe shpirtit. Ashtu sikur trupi që ka nevojë për ushqim, edhe shpirti ka nevojë për ushqim. Ndikimi i agjërimit në shpirtin e njeriut është i dëshmuar. Ai është mjet për ta arritur devotshmërinë, dhe është metodë për ushtrimin e shpirtit në ambicie të larta. Agjërimi e liron shpirtin nga arroganca, i kalit emocionet, e zbut zemrën dhe e ngrit moralin.
    Pasi që Islami është fe e lehtësimit dhe tolerancës, Allahu i Plotfuqishëm nuk i ka obliguar muslimanët me agjërim përveç muajit të Ramazanit, kurse për çdo agjërim tjetër e ka lënë vullnetin e njeriut të lirë. Agjërimi pra, në shumë raste është vullnetar (i preferuar, jo i obliguar) e njëri prej tyre është edhe dita e Ashures.
    Është për tu brengosur për faktin se shumica e muslimanëve e kanë lënë pas dore këtë sunet. I sheh ata duke u kujdesur për namazet vullnetare mirëpo në agjërim pak prej tyre nxitojnë.
    Lusim Allahun e Gjithmëshirshëm që të na ndihmojë t’i praktikojmë sa më tepër sunetet e Pejgamberit tonë të dashur, ndër të cilët bën pjesë edhe agjërimi i kësaj dite të madhe!
    O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!
    Na ndihmo ta ruajmë atdheun tonë!
    Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!
    Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!
    O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e sollën dritën e Islamit!
    Kurse, fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!
    O Zot, na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini