Jeta jonë është koha, ndërsa koha është jeta jonë. Njeriu është ditë të numëruara dhe kur ik një ditë, ik edhe një pjesë e tij. Koha është një mirësi që na është dhënë në dunja dhe për të cilën do të pyetemi në Ditën e Gjykimit. Duhet të jemi të kujdesshëm me këtë dhunti që na është dhënë.
Kur njeriu në duart e veta ka ndonjë resurs material, ai mundohet ta ruaj në mënyrën më të mirë. Mirësia më e madhe pas imanit është koha. Ajo është kapitali ynë dhe nga ne varet se si do ta harxhojmë. Do ta humbim kot siç thonë shumica nga ne, e që është një gjë shumë e rrezikshme për besimtarin.
Ata që kanë lexuar historinë e Pejgamberit a.s. dhe i dinë sukseset e tij, mund të pyesin se si ka mundësi që një njeri nga mishi dhe gjaku të arrij të kryej gjithë obligimet në kohën e vet.
Nëse analizojmë vetëm një pasqyrë nga jeta e Pejgamberit a.s. do të mësojmë se si ai e menaxhonte kohën e tij. Kur shkonte në shtëpi, së pari merrej me familjen e tij, pastaj i përkushtohej vetes. Kur dëgjonte ezanin njerëzit e shtëpisë nuk mund ta njihnin sepse me gjithë qenien e tij iu kthente Krijuesit. Pastaj, gjithë ato udhëtime, delegacione, probleme…. Asgjë në jetë nuk iu dukej bajat dhe ai që bisedonte me atë i dukej vetja se për Pejgamberin a.s. ishte njeriu më i dashur, sepse i Dërguari i Allahut gjithë vëmendjen e tij ia kushtonte bashkëbiseduesit.
Pikërisht, i Dërguari ynë na mëson se njerëzit dy mirësi i neglizhojnë: kohën e lirë dhe shëndetin.
Besimtari është i vetëdijshëm për rëndësinë e kohës. Ai kohën nuk e kalon kot, sepse e di se me këtë nuk fiton as në këtë botë as në Botën tjetër. Omeri r.a. ka thënë: “Urrej të shoh dikë të jetë përtac, që nuk punon as për dunja as për ahiret.”
Besimtari mundohet që çdo moment dhe në çdo vend të bëj vepra të mira. Ai është i vetëdijshëm se çdo moment mund ta kaplojë sëmundja apo vdekja, është i vetëdijshëm se vjen pleqëria dhe nuk ka fuqi për të bërë mirë.
Inkurajimi për tu larguar nga dembelia dhe gjithmonë të jemi aktiv në fushën e veprave të mira, është hadithi i Muhamedit a.s. ku thotë: “Kur njeriu sëmuret apo është në udhëtim, Allahu xh.sh i shkruan shpërblim për atë punë të mirë që e ka bërë kur ka qenë i shëndetshëm dhe ka qenë në shtëpi
Andaj, besimtari nuk do të bëhet pishman kur do ta kap pleqëria apo sëmundja sepse edhe atëherë do ti regjistrohen vepra të mira që i ka bërë kur ka qenë i aftë për ti bërë.
Ibn Kethiri përmend se sahabët kur takonin njëri tjetrin i lexonin suren Asr, duke dashur që të përkujtojnë rëndësinë e kohës,
Ai që e humb kohën kot le ta dijë se edhe koha do ta humbë atë. Askush nga ne nuk është krijuar pa një qëllim. Gjithmonë kërkoni kuptimin e gjërave që i bëni. Pse erdha në këtë botë? Pse duhet të bëjë këtë? Gjeni kuptimin tuaj të jetës në vendin dhe kohën ku jetoni. Para se gjithash duhet të kemi qëllime shoqërore por edhe individuale.
Çka bëj unë për fenë tima? Çka bëj për vendin tim? Çka është qëllimi i jetës sime? Me çka e mbush ditën? Vallë, kjo mënyrë e jetës që bëjë më çon në shkatërrim apo në fitore?
Në islam të gjitha ibadetet dhe obligimet janë të lidhura me kohë të caktuar, kështu që Allahu nga ne kërkon precizitet. Është për të ardhur keq që muslimanët sot, kanë ardhur në gjendje që të jenë sinonim i papërgjegjësisë dhe përtacisë.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se dunjaja është fusha e Ahiretit, andaj ta mbjellim atë fushë me farën më të mirë, ndërsa fara më e mirë janë punët e mira që do të kenë vlerë për gjithë njerëzimin.
Zoti ynë, na bëj të vetëdijshëm për rëndësinë e kohës dhe na udhëzo ta kalojmë në kënaqësinë Tënde! Amin
Përktheu: Arsim Dauti
Islampress