Mos u bëni nga ata që publikisht e mallkojnë shejtanin, kurse fshehurazi miqësohen me të!

1335

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Dërgojmë salavat dhe selam mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin (savs), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar dhe kanë vdekur me besim në zemër.

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është: Mos u bëni nga ata që publikisht e mallkojnë shejtanin, kurse fshehurazi miqësohen me të

Transmetohet se Ibrahim ibn Ed’hemi ka thënë: “Kërkoni dituri për hir të veprave, sepse ka shumë njerëz që posedojnë dije si kodra, por veprat e tyre janë si farat e sinapit.”

Një burrë iu ankua Ibrahim ibn Ed’hemit për numrin e madh të anëtarëve të familjes e për sasinë e vogël të nafakës, të cilit Ibrahimi i tha: “Ma dërgo mua çdo fëmijë, të cilit Allahu nuk i ka caktuar furnizim.” Dhe njeriu heshti.

Ibrahim ibn Bishri, tregon: “Unë kam qëndruar me Ibrahim ibn Ed’hemin në qytetin Tarablus dhe me vete kisha vetëm dy bukë për ne të dy. Në një moment erdhi një i varfër dhe m’i kërkoi ato bukët, dhe,Ibrahimi më tha: “Jepja atij bukët, çka po pret!” Unë hezitova, kurse ai më tha: “Çka po ndodh me ty, jepja atij bukët!”Dhe unë ia dhashë bukët atij, duke u habitur me këtë veprim të Ibrahimit, i cili e dinte se ne nuk kishim asgjë tjetër për të ngrënë. Ai e vuri re këtë dhe më tha: “Dije se nesër do ta gjesh atë që nuk e ke gjetur deri më tani. Do ta gjesh nesër, në Ditën e Gjykimit, atë që e ke dhuruar,por nuk do të gjesh atë që ke mbajtur për vete, andaj, përgatitu për takimin me Allahun, sepse nuk e din se kur do të befasojë caktimi i Allahut.”

Një burrë e takoi Ibrahim ibn Ed’hemin dhe i tha: “Unë dua të ta dhuroj këtë mantel, prandaj merre hedije (dhuratë) nga unë.” Ibrahimi i tha: “Nëse je i pasur, unë do të marr mantelin tënd, por nëse je i varfër, nuk do ta marr.” Burri u përgjigj: “Unë jam i pasur.” Atëherë Ibrahimi e pyeti: “Sa pasuri ke?” Ai u përgjigj: “Dy mijë monedha ari.” Ai e pyeti përsëri: “A do të kishe dëshiruar që t’i kesh katër mijë monedha ari?”Po,” u përgjigj burri. Atëherë Ibrahimi i tha: “Kjo do të thotë që ti je i varfër, dhe nuk je i pasur. Prandaj, unë nuk do të marr mantelin tënd.”

Ibrahim ibn Ed’hemi ishte i ftuar në një takim, dhe kur kishte shkuar mes njerëzve, ata kishin filluar t’i merrnin nëpër gojë muslimanët e tjerë, meqë rast, Ibrahimi u thotë atyre:“Te ne është zakon që mishin ta hamë pas buke, kurse ju menjëherë filluat me mishin.”

Njerëzit kishin kërkuar nga Ibrahim ibn Ed’hemi që t’i këshillonte dhe t’i porosiste diçka të dobishme për ta, kështu që,ai u tha atyre:

“Kur të shihni se njerëzit janë të preokupuar me këtë botë – ju veten angazhonie me vepra të ahiretit, kur njerëzit janë të preokupuar me dekorimin e pjesës së tyre të jashtme – ju preokupone veten me dekorimin e brendësisë tuaj, kur njerëzit janë të preokupuar me punimin e tokës dhe ndërtimin e pallateve – ju preokupone veten me ndërtimin e banesës së fundit, kur njerëzit janë të preokupuar me shërbim të krijesave – ju preokupone veten me shërbim të Krijuesit,kur njerëzit janë të preokupuar me hulumtimin e gabimeve të njerëzve të tjerë – ju preokupone veten me hulumtimin e gabimeve tuaja. Merrni nga kjo botë pajisje për rrugë, e cila do t’ju ​​mjaftojë edhe për botën tjetër, sepse kjo botë është arë e ahiretit.”

Vuhejb ibn Vird ka thënë: “Mos u bëni nga ata që publikisht e mallkojnë shejtanin, kurse  fshehurazi miqësohen me të.”

Transmetohet se Dhun-Nun el-Misri, se ka thënë: “Prishja vjen për shkak të gjashtë gjërave: (1) Për shkak të mungesës së nijetit për të bërë vepra që sjellin dobi në botën tjetër, (2) për shkak se trupat njerëzorë janë bërë peng i pasioneve, (3) për shkak se njerëzit i ka mbizotëruar shpresa e gjatë, përkundër jetës së shkurtër në këtë botë, (4) për shkak se ata preferuan kënaqësinë e njerëzve mbi kënaqësinë e Krijuesit, (5) për shkak se i ndoqën tekat e tyre dhe ia kthyen shpinën Sunetit, (6) për shkak se numrin e vogël të mëkateve të brezit të parë,e morën si rrethanë lehtësuese për veten dhe për mëkatin e tyre, ndërkohë që kanë varrosur dhe kanë harruar shumë nga virtytet dhe veprat e tyre të mira.”

Besimtarë të nderuar!

Transmetohet se Hatim el-Esami se ka thënë: “Mos të ju mashtrojë bukuria dhe mirësia e një vendi në këtë botë, sepse nuk ka vend më të bukur dhe më të mirë se sa xheneti, sepse Ademit në xhenet i ndodhi ajo që i ndodhi. Mos u mashtroni nga shumica e ibadeteve, sepse Iblisit, pas një periudhe të gjatë ibadeti dhe bindjeje, i ka ndodhur ajo që i ka ndodhur. Mos u mashtroni nga sasia e diturive, sepse Bel’am ibn Baura edhe pse e dinte emrin më sublim të Allahut, shikoni se çfarë i ndodhi atij (Allahu e përshkruan atë në Kuran si një qen që merr frymë vazhdimisht, pasi që për shkak të begative të kësaj bote u largua nga Rruga e drejtë). Mos u mashtroni duke parë dhe njohur njerëz të mirë dhe të devotshëm, sepse nuk ka njeri më të mirë,as më të devotshëm se Muhamedi (savs), dhe të afërmve të tij (të cilët nuk e pranuan Islamin) nuk u ndihmoi fakti që ata e panë dhe e njohën atë.”

Ai gjithashtu ka thënë: “Nëse një njeri i devotshëm dhe i respektuar ulet pranë jush dhe shkruan atë që thoni, ju me siguri do të kujdeseni për atë që thoni,kurse fjalimi juaj i ekspozohet Allahut çdo ditë, dhe megjithatë, ju nuk i kushtoni vëmendje asaj që thoni.”

Një burrë i kërkoi Hatim el-Esamit ta këshillonte, kështu që, Hatim el-Esami i tha: “Kur të dëshiron të bësh mëkat, bëje atë në një vend ku Allahu nuk të sheh ty.”

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë ose mposhtin pabesimtarët.       

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)