Lexoni më tutje …
Çdo besimtar dëshiron që një ditë të hyjë në xhenet dhe të kënaqet me bukuritë e tij. Mirëpo, a e dimë se cila është rruga më e shpejtë dhe më e lehtë deri te begatitë e xhenetit?
BAMIRËSIA NDAJ PRINDËRVE.
Pejgamberi i Islamit (savs), në shumë transmetime ka paralajmëruar se hyrja në xhenet do të jetë e lidhur ngushtë me respektin, mirësjelljen dhe bamirësinë tonë ndaj prindërve. Kështu, në hadithin të cilën e transmeton Ebu Derda (r.a.), thotë se e ka dëgjuar Pejgamberin (savs), duke thënë: “Prindi është dera e mesme e xhenetit, nëse don lëre, e nëse don ruaje!” [1]
Ebu Umame (r.a.), transmeton se një burrë e pyeti Pejgamberin (savs): “O i Dërguari i Allahut, cila është detyra e fëmijës ndaj prindërve?” Për të cilën ai u përgjigj: “Ata janë xheneti dhe xhehenemi yt.” (…)
Duke u kujdesur për prindërit, me të vërtetë, mund të fitohet xheneti. Prindërit janë një mundësi e jashtëzakonshme që duke u bërë bamirësi, t’i fitojmë bukuritë e xhenetit.
Në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejre (r.a.), Pejgamberi (savs), me një rast ka thënë: “Mallkuar qoftë!” dhe këtë e përsërit tri herë. Sahabët e pyeten: “Kush, o i Dërguari i Allahut?” Ai u përgjigj: “Ai që i ka dy prindërit e vet pleq, ose vetëm njërin prej tyre dhe nuk e fusin në xhenet” (d.m.th. që nuk sillet me ta sa dhe si duhet, që të fitojë kënaqësinë e tyre dhe të Allahut xh.sh., që të bëhet i denjë për xhenet). (Muslimi)
Respekti ndaj prindërve garanton shoqërimin tonë me pejgamberë, me shehidë dhe njerëz të sinqertë në Ditën e Gjykimit.
Amër b. Murre el-Xhuheni transmeton se një njeri burrë tek i Dërguari i Allahut (savs), dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, dëshmoj se ti je i Dërguari i Allahut, i fali pesë namazet ditore, në mënyrë të rregullt e jap zekatin nga pasuria ime, e agjëroj muajin ramazan.” Pejgamberi savs atëherë i tha atij: “Kush vdes, ndërsa i ka kryer këto detyra, do të jetë në Ditën e Gjykimit në shoqërinë e pejgamberëve, të sinqertëve dhe shehidëve, duke e treguar këtë me dy gishta afër njëri-tjetrit – por me kusht nëse nuk ka qenë mosrespektues i prindërve.”(Transmetojnë Ahmedi, Taberaniu, Ibn Huzejme dhe Ibn Hibban)./Nedim Botiq; Akos.ba./
Përshtati: Miftar Ajdini
[1]) Es-Sujutiu thotë se me shprehjen “dera e mesme e xhenetit” mendohet në derën më të mirë të xhenetit. Shih: Ibn Maxhe, Sunen, 2/1208.