Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, Zotit të të gjitha botëve! Paqja dhe bekimet qofshin mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe mbi të gjithë pasuesit e tij.
Vëllezër të dashur!
Hutbeja e sotme titullohet: Çka është feja?
Në fillim të kësaj hutbeje do t’ju rrëfej një tregim të vërtetë:
Një djalë nga Parisi, duke u shoqëruar me muslimanë, e pëlqeu mënyrën islame të jetesës dhe e përqafoi Islamin. Kur dëgjoi për këtë nëna e tij, i ndërpreu të gjitha kontaktet me të, por pastaj ndodhi një mrekulli. Djali papritur u sëmur dhe së shpejti vdiq. Nëna dëgjoi për vdekjen e tij. E kërkoi dhe e gjeti, pikërisht në gasulhane, derisa shokët e tij po ia lanin xhenazen. Ajo thotë se kishte kërkuar leje për të marrë pjesë gjatë ritualit të larjes dhe ata e kishin lejuar. Ajo e përcillte me kujdes dhe psherëtinte. Pasi e lanë mirë, e mbështollën bukur me qefinë të bardhë, e parfumosen me aromë të mirë, nëna kërkoi leje për ta puthur, dhe ata e lejuan.
Pastaj ajo pyeti: Më tregoni se si u konvertua djali im në Islam?
Ata i thanë: Duke u shoqëruar me ne, ai e pa bukurinë e Islamit dhe e përqafoi!
Nëna i tha: Unë nuk po ju pyes pse u konvertua në Islam, por mënyrën si e pranoi Islamin!
Ata i thanë: Ah, kjo është e lehtë, së pari duhet të lahet (gusul), pastaj ta deklarojë shehadetin: Eshhedu en la ilahe il-lallah ve eshhedu enne Muhammeden Resulullah.
Nëna i pyeti: A mund të vij unë përsëri këtu pak më vonë?
Ata i thanë se mundet. Pas një kohe të shkurtër erdhi nëna, por tani e mbuluar si muslimane e vërtetë. Ju afrua djemve dhe tha: A mund t’i shqiptoj unë fjalët me të cilat hyhet në Islam?
Pasi që e pranoi Islamin dhe e shqiptoi shehadetin, djemtë e pyetën nënën: Na thuaj tani, jo si e pranove Islamin, sepse elhamdulilah ne dëgjuam dhe pamë, por pse e pranove Islamin?
Ajo ju tha shkurt dhe qartë: Për shkak të asaj që unë pash pak më parë. Kur feja islame kërkon të silleni në atë mënyrë ndaj të vdekurve, atëherë çfarë është me të gjallët!
Çka donë të thotë të jesh musliman – çka donë të thotë të jesh besimtar?
Transmetohet se një burrë erdhi para Pejgamberit (savs) dhe e pyeti:O i Dërguari i Allahut, më trego çka është feja?
Pejgamberi (savs) u përgjigj: Sjellja e bukur!
Burri i doli nga ana e djathtë dhe përsëri e pyeti: O i Dërguari i Allahut, çka është feja?
Pejgamberi (savs) u përgjigj: Sjellja e bukur!
Pastaj burri i doli nga ana e majtë dhe e pyeti: O i Dërguari i Allahut, çka është feja?
Pejgamberi (savs) u përgjigj: Sjellja e bukur!
Burri pastaj i doli pas shpine dhe e pyeti: O i Dërguari i Allahut, çka është feja?
Pejgamberi (savs) u përgjigj: Sjellja e bukur!
Pastaj njeriu përsëri i doli përpara dhe e pyeti: O i Dërguari i Allahut, çka është feja?
Ndërsa Pejgamberi (savs) tash i tha: Feja është që të mos zemërohesh!
Vëllezër të dashur!
Nëse duam që të jemi besimtarë të vërtetë, nëse duam të jemi muslimanë të vërtetë, atëherë ne duhet të zbukurohemi me durim, fisnikëri, sinqeritet, tolerancë, dashuri, bujari, buzëqeshje, mëshirë, dhe me një numër të karakteristikave tjera, të cilat të gjitha së bashku e përbëjnë sjelljen e mirë.
Sjellja e mirë arabisht quhet ‘hulukun’, që është derivat i fjalës ‘haleka’– krijim. Që donë të thotë, bëhu ashtu siç të ka krijuar Allahu. Allahu na ka krijuar, që të na dojë secili dhe ne ta duam secilin. Allahu na ka krijuar të paprishur. Allahu na ka krijuar të atillë që mos të na interesojë ajo që nuk na përket neve. Allahu na ka krijuar normal dhe të natyrshëm.
Dhe ajo që është normale dhe e natyrshme është që ne të gjithë ta duam të mirën dhe mirësinë. Dhe duhet ta dimë se mirësia nuk është në të holla, as në post, as në prejardhje, por në sjellje të mirë.
Për këtë arsye Pejgamberi (savs), ka thënë: Ju kurrë nuk do t’i përfitoni njerëzit me pasurinë tuaj, por do t’i përfitoni me fytyra të buzëqeshura dhe me sjellje të mirë.
Nëse ju e ndani pasurinë, nuk do jetë e mjaftueshme për të gjithë njerëzit, kurse buzëqeshja juaj dhe sjellja e mirë mund të jenë të mjaftueshme.
Pejgamberi (savs), po ashtu ka thënë: O Ebu Hurejre, përpiqu që të kesh moral sjellje të mirë. Ebu Hurejre e pyet: Çka është kjo, o i Dërguari i Allahut? Ai i thotë: Që të mbash lidhje me atë që i ka ndërprerë me ty, ta falësh atë që të ka bërë padrejtësi, dhe t’i japësh ati i cili nuk të jep ty!
Të nderuar vëllezër!
Le t’u bëjmë mirë njerëzve për shkak të vetvetes. Nëse na e kthejnë me të mirë, ata e konfirmojnë vlerën e tyre, e nëse na e kthejnë me të keqe, ata nuk e prishin vlerën tonë, por vetëm e konfirmojnë pavlefshmërinë e tyre.
E kanë pyetur Et-Tusteriun: Çka është sjellja e mirë?Ai është përgjigjur: Unë do t’ua tregoj nivelin më të ulët të mirësjelljes, kurse më të lartin nuk mundem. Shkalla më e ulët e mirësjelljes është, që t’i përballosh dobësitë njerëzore, që mos t’i marrësh pagesë dikujt që i kryen një shërbim, të jesh i mëshirshëm ndaj atij që të ka bërë padrejtësi, dhe të lutesh për të që Allahu ta lirojë nga ajo padrejtësi që e bën. Ky është niveli më i ulët i mirësjelljes.
Pejgamberi (savs) thotë se, besimtari më i mirë dhe ai që është më afër tij, është ai që i ka sjelljet më të mira. Ai thotë: Më i dashuri nga ju dhe më i afërt me mua në Ditën e Gjykimit do të jetë,kush i ka sjelljet më të bukura. Ndërsa më i urrejtur dhe më larg nga unë në Ditën e Gjykimit do të jetë kush flet shumë, kush bën zhurma për asgjë, dhe kush është arrogant dhe kryelartë.
Për të qenë besimtarë të vërtetë, të mirëfilltë, ata me të cilët do të krenohet Pejgamberi ynë, fenë duhet ta kemi në jetën dhe sjelljen tonë të përditshme.
Fakti që muslimani falet, agjëron, jep zekat, dhe shkon në haxh, nuk është mirësia përfundimtare. Kjo është detyra e përditshme e besimtarit, ndërsa mirësi përfundimtare është sjellja e mirë.
Namazi është shtylla e fesë sonë, po ashtu agjërimi, zekati, e gjithashtu edhe haxhi. Këto janë shartet e Islamit, do të thotë, janë kushte që të mund të regjistrohemi si muslimanë. Për tu regjistruar si banorë të xhenetit, duhet ta dimë se rruga për në atë shoqëri të zgjedhur është sjellja jonë, morali ynë, sepse, siç thamë, feja është sjellja e mirë.
Prandaj, nëse e duam xhenetin, duhet ta ruajmë mirë gjuhën tonë, sepse ajo do t’i shpjerë shumë njerëz në zjarrin e xhehenemit.
Pejgamberi (savs), shpesh e bënte këtë lutje, të cilën po e bëjmë edhe ne: O Allah, unë nga Ti kërkoj shëndet, ndershmëri, ruajtje të amanetit, sjellje të mirë, dhe kënaqësi me caktimin Tënd!
O Allah, falja Jote është shumë më e madhe se mëkatet tona, dhe mëshira Jote na jep shpresë më të madhe se veprat tona. Andaj, ki mëshirë për ne, na i fal mëkatet tona dhe mbuloje turpin tonë në Ditën e Gjykimit!
O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!
O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!
O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!
O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!
O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë ose mposhtin pabesimtarët.
O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin!
Pështati: Miftar Ajdini