Le të përgatitemi për varr!

1393

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, Zotit të të gjitha botëve! Paqja dhe bekimet qofshin mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe mbi të gjithë pasuesit e tij.

Vëllezër të dashur!

Hutbeja e sotme titullohet: Le të përgatitemi për varr!

Imam Ibnul-Xhevzi ka thënë: “Vëlla i dashur, nëse dëshiron ta dish gjendjen tënde pas vdekjes, shko në varreza dhe shikoji të gjitha ato varret. Pastaj imagjinoje varrin tënd në mesin e tyre, dhe shiko çka të nevojitet në varr, e pastaj shtoje atë që do të të nevojitet në varr për shkak të qëndrimit të gjatë në të. Ato pra, janë veprat e mira. Sa u përket gjërave të tjera, përveç veprave të mira, nuk do të kesh nevojë për asnjë nga gjërat e kësaj bote, sepse ato do të bëhen fatkeqësi dhe pikëllim për ty në varrin tënd.

Prandaj, shikoje gjendjen tënde në të cilën gjendesh. Nëse gjendja jote është e mirë dhe e përshtatshme për vdekje dhe për qëndrim në varr, atëherë vazhdo në atë rrugë. Por, nëse gjendja jote nuk është e mirë dhe e përshtatshme për këto të dyja, atëherë pendohu te Allahu i Madhëruar dhe kthehu tek ajo që është e mirë dhe e drejtë.”(Bustanul-va’idhin, I / 192)

Shpëtimi ynë në Ditën e Gjykimit duhet të jetë projekti personal i secilit nga ne.

Vëllezër të nderuar!

Shpëtimi ynë në Ditën e Gjykimit dhe fitimi i kënaqësisë së Allahut, duhet të jetë projekti ynë personal.

Nuk do të kemi asnjë justifikim, as nuk do të pyetemi për të metat e dijetarëve apo të njerëzve të thjeshtë, dhe as për devijimet e njerëzve të njohur apo të panjohur.

Jeta jonë e kësaj bote,do të jetë provim dhe test vetëm për neve.

Prandaj, le të punojmë për veten tonë dhe për shpirtin tonë, si dhe të përpiqemi ta shpëtojmë atë, madje, edhe nëse të gjithë njerëzit janë të pakujdesshëm ndaj vetvetes dhe nëse janë në rrugë të gabuar. Sepse Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“Do të Na vini ju veç e veç, ashtu siç ju kemi krijuar herën e parë (lakuriq). Dhe do t’i lini pas veti ato që iu patëm dhuruar.” (En’am, 94)

Vëllezër të dashur!

Le ta mendojmë për një çast xhenazen – kur të mbulohet varri, kurse të afërmit dhe farefisi kthehen në shtëpitë e tyre!

Skena në xhenaze duket e tmerrshme në momentin kur varri mbulohet, dhe kur njerëzit nxitojnë për në shtëpitë e tyre, duke e lënë të afërmin dhe mikun të vdekur në varr.

Mbi varr, njëri qan, tjetri është i pikëlluar, kurse i treti është i pa interesuar për gjithçka që ndodh. Brenda varrit njëri prej të vdekurve thotë: “Zoti im është Allahu, feja ime është Islami dhe pejgamberi im është Muhamedi (savs), kurse një tjetër thotë: “Ah, ah! Nuk e di!”

Mbi varr, njerëzit e mbulojnë varrin me dhe nga të gjitha anët, sikur të frikësohen se mos po del i vdekuri, kurse brenda në varr njëri prej tyre thotë: “O Zot, bëje që të vijë Dita e Kiametit!”,ndërsa një tjetër thërret: “O Zot, më kthe në dynja që të bëj vepra të mira dhe ta kompensoj atë që kam humbur!”

Lart, mbi varr, të pranishmit e shkundin pluhurin pasi e varrosin të vdekurin, ndihen të rraskapitur nga nxehtësia e diellit dhe ju duket e gjatë lutja që lexon imami, kurse ai që është brenda varrit,i ka vetëm dy metra nga i gjithë kozmosi, një copë pëlhure, veprën e tij,dhe lutjet që i lexojnë për të, ata që kanë mbetur pas tij në dynja.

Lart, mbi varr, mezi se ka kaluar një orë, kurse vendi rreth varrit ka mbetur bosh, ka zbritur heshtja, vizitorët janë larguar, kurse brenda varrit ka zhurmë. Njëri nga ata që janë në varr kënaqet duke e shikuar vendin e tij në xhenet, ndërsa tjetri bërtet për shkak të ankthit dhe errësirës në varr, si dhe nga frika dhe tmerri.

Lart, mbi varr, njerëzit kanë shkuar nga shtëpitë e tyre me klimë, në xhaminë me klimë, kurse pastaj, pas varrimit, me makina me klimë, kanë nxituar të shpëtojnë nga vapa. Kurse poshtë, ata në varreza,e dëgjojnë zhurmën e këpucëve të të dashurve të tyre duke shkuar. Disa janë në hapësirë, mirësi dhe mëshirë, kurse të tjerët janë në ankth, vapë dhe telashe.

Atëherë, a duam ta gëzojmë lumturinë e përjetshme apo do t’i vuajmë vuajtjet e përjetshme?! Ne duhet ta bëjmë zgjedhjen.

Për diçka të tillë, duhet që të angazhohemi! Sepse nga vdekja nuk ka shpëtim.(Dr. Ali el-Karadagi/

O Allah, falja Jote është shumë më e madhe se mëkatet tona, dhe mëshira Jote na jep shpresë më të madhe se veprat tona. Andaj, ki mëshirë për ne, na i fal mëkatet tona dhe mbuloje turpin tonë në Ditën e Gjykimit!

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë ose mposhtin pabesimtarët.       

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Pështati: Miftar Ajdini