Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, Zotit të të gjitha botëve! Paqja dhe bekimet qofshin mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe mbi të gjithë pasuesit e tij.
Vëllezërit e mi në fenë islame! Në kuadër të hutbeve tona, të cilat ia kushtojmë Pejgamberit tonë (savs), në muajin rebiul-evvel, sot dua të flas për një nga mashtrimet më të mëdha në biografinë e ndershme të Pejgamberit (savs), që ka të bëjë me moshën e gruas së tij Aishes (r.a.), kur ai u martua me të. Gjegjësisht, në disa koleksione të njohura të hadithit, madje edhe në Sahihun e Buhariut, transmetohet se Aishja (r.a.), atëherë ishte vetëm nëntë vjeçe, që është një tjetër dëshmi se vetëm Kurani është “shkrim i shenjtë”, i cili nuk ju nënshtrohet gabimeve. Nga ana tjetër, ky informacion është aq i përhapur dhe i pranuar, sa që në disa vende (si në Afganistan) është bërë traditë që njerëzit me mjekër të bardhë, rreth të pesëdhjetave, të martohen me vajza nëntëvjeçare. Dhe madje atë e quajnë sunnet (!!!). Kjo nuk është gjë tjetër veçse pedofili e zakonshme, për të cilën jobesimtarët e akuzojnë vetë Pejgamberin (savs). Mirëpo, Muhamedi (savs), nuk ishte pedofil dhe këtë do t’jua vërtetoj sot.
E vërteta është se Aishja (r.a.), në kohën e martesës së saj me Pejgamberin (savs), nuk ishte 9 (nëntë) vjeçe, por ishte midis 18 dhe 22 vjeçe.
Si dëshmi të parë, për këtë do të përmendim faktin se të gjitha transmetimet e martesës së Aishes (r.a.) për Pejgamberit (savs), janë transmetuar vetëm nga një person. Emri i tij është Imam Hisham ibn Urve ibn ez-Zubejr, i cili ishte nip i Aishes (r.a.). Mirëpo, ai kurrë as që e ka parë Aishen (r.a.), sepse ka lindur në vitin 61 hixhri. Natyrisht, ai nuk është dikush që nuk i besohet, por me kalimin e kohës tek ai u paraqit një problem në aspektin e transmetimit të haditheve. Përkatësisht, Hishami jetoi dhe i mësoi studentët e tij për 71 vjet në Medine, para se të shpërngulej në Irak. Gjatë atyre 71 viteve në Medine, asnjë nga nxënësit e tij nuk e ka transmetuar atë hadith prej tij, madje as Enes ibn Maliku (r.a.). Mirëpo, kur ai u shpërngul në Irak, njerëzit filluan ta transmetojnë atë hadith prej tij. Dhe jo vetëm këtë hadith por edhe disa të tjera, për të cilat ai u kritikua nga ana e ulemave dhe për shkak të cilëve shumë transmetues të hadithit, duke përfshirë edhe Enes ibn Malikun, nuk deshën të pranonin asnjë nga transmetimet e tij nga Iraku. Transmetimet e tij nga Iraku ishin në kundërshtim me transmetimet e tij nga Medina, dhe kjo bëri që shumë ta akuzonin për konfuzion për shkak të pleqërisë.
Dëshmia e dytë. Në Sahihun e Buhariut, transmetohet se Aishja (r.a.), ka thënë: “Kur Allahu e shpalli ajetin: “Grupi do të pësojë disfatë dhe ata do të kthehen prapa…“ (el-Kamer, 45) – unë kam qenë “xherijje“.
Në gjuhën arabe fjala “xherijje”, përdoret për një vajzë 11-12 vjeçe. Po kështu, Muslimi transmeton në Sahihun e tij se Omeri (r.a.), ka thënë: “Kur Allahu e shpalli ajetin: “Grupi do të pësojë disfatë dhe ata do të kthehen prapa…“ – unë u habita dhe pyeta se kush është ai grup, derisa nuk ndodhi Beteja e Bedrit.“ Omeri (r.a.), e përqafoi Islamin në vitin e gjashtë të pejgamberisë, kur u shpall ky ajet. Nga kjo nënkuptojmë, se Aishja (r.a.), tashmë ishte vajzë (e rritur) kur Omeri u konvertua në Islam, që do të thotë, se është e pamundur që ajo të kishte lindur katër vjet para hixhretit, siç thonë disa, por ajo ka lindur katër vjet para pejgamberisë.
Këtë fakt, e mbështet edhe transmetimi, që është transmetuar në librat Et-Taraxhim dhe Et-Tabakat nga Ibn Haxheri, ku thuhet se Esma e bija e Ebu Bekrit, ishte 10 vjet më e madhe se motra e saj Aishja (r.a.). Të gjithë ulematë pajtohen me atë se Esma ka lindur 27 vjet para hixhretit, do të thotë, 14 vjet para pejgamberllëkut, dhe ka vdekur në vitin 73 h., në moshën e saj 100 vjeçare.
Dëshmia e tretë. Në Sahihun e Muslimit, Aisha (r.a.), flet tregon se ajo kishte qenë me ushtrinë (muslimane) në betejën e Bedrit. Vërtet, është e vështirë të imagjinohet dhe të mos dyshohet se një vajzë 8-vjeçare kishte qenë në fushën e betejës. A nuk do të ishte kjo një barrë dhe një rrezik, si për të ashtu edhe për ata që e ruajnë?
Ose siç transmetohet në Sahihun e Buhariut se Aishja (r.a.), ka bartur ujë në betejën e Uhudit për të pirë dhe për tu larë të plagosurit. A është e pritshme, që një vajzë 9-vjeçare të kujdeset për të plagosurit? A nuk është më normale që kjo të jetë një grua 19-vjeçare?
Nga ana tjetër, dihet se Pejgamberi (savs), nuk ka marrë me vete në fushëbetejë meshkuj nën moshën 15 vjeçare. Ibn Omeri (r.a.), transmeton: Unë i ofrova Pejgamberit (savs), që të shkoja me të në fushëbetejë në Betejën e Uhudit, kur isha 14 vjeç dhe ai më ktheu. Pastaj shkova edhe një herë kur isha 15 vjeç, dhe ai atëherë më pranoi.” Nëse ai nuk i kishte marrë me vete meshkujt nën moshën 15 vjeçare, a do ta kishte marrë me vete gruan e tij 9 (nëntë) vjeçare?
E lus Allahun e dashur, që t’i shpërblejë me bollëk ata njerëz që përhapin të vërtetën për Pejgamberin (savs), dhe ndjekin sunetin e tij. Dhe e lus Allahun e dashur, që t’i udhëzojë ata njerëz që shpikin gënjeshtra për Pejgamberin (savs), dhe që nuk e ndjekin atë. Amin.
Hatib: Hfz.Midhat ef. Sejfić
Përkthim: Miftar Ajdini