Falënderimi i takon Allahut të Plotfuqishëm, Zotit të të gjitha botëve! Salavati, paqja dhe bekimet qofshin mbi pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe mbi të gjithë pasuesit e tij.
Vëllezër të nderuar!
Hutbeja e sotme titullohet: I ftohti i varrit!
Pejgamberi ynë (savs), na ka rekomanduar që shpesh ta kujtojmë atë që i shkatërron kënaqësitë, e ajo është vdekja. Pse? Sepse njerëzit janë qenie racionale, të cilëve u pëlqen të mendojnë për gjithçka, përveç për vdekjen. Dhe nëse do të mendonin për vdekjen, atëherë ata do t’u kushtonin më shumë kujdes veprave apo keqbërjeve të tyre, do të kujdeseshin për veten e tyre, e jo për të tjerët, dhe do të përgatiteshin për takimin me Zotin e tyre sikur të jetë nesër, sepse e gjithë e ardhmja e njeriut varet nga ai takim.
Hasan Basriu (r.h.), ka thënë: “Kur një person vdes dhe anëtarët e familjes së tij mblidhen dhe fillojnë të qajnë, Meleku i Vdekjes qëndron në derë dhe ju thotë: “Unë nuk e shkëputa atë nga të dashurit e tij, as nuk ia shkurtova jetën. Mua më është urdhëruar që të vij në këtë shtëpi dhe t’i marr shpirtrat e banorëve një nga një, derisa askush të mos mbetet gjallë.’ Pasha Allahun, sikur ta shihnin dhe dëgjonin Melekun e Vdekjes, ata do ta harronin të vdekurin dhe do të kujdeseshin për veten e tyre.”
Lidhur me këtë, sot dua të ndaj me ju një tregim, rastin e një burri që e kishte fjetur namazin e sabahut, gjë që i kishte shkaktuar ankth në gjoks. Pastaj i kishte ndodhur që përsëri të flinte gjatë namazit të sabahut, por kësaj radhe nuk kishte ndierë asnjë ankth, prandaj, kishte ndierë se i ka ardhur koha për ta ripërtërirë imanin e tij. Ja tregimi i tij:
“Vendosa t’i vizitoj varrezat, dhe nëse ka ndonjë varr të hapur të shtrihem në të, dhe t’i tregoj shpirtit tim se ku do të vendoset. Ishte koha rreth orës një pas mesnate. E hapa ngadalë portën dhe hyra.
Unë kam qenë shumë herë në këto varreza për varrimin e të vdekurve, por tani jam për herë të parë vetëm, pa njerëz. Më duket se kurrë nuk ka qenë nata më e errët. Heshtje e plotë. E ndieja erën e varreve të sapovarrosura. U ula pranë një varri dhe fillova të mendoj: A thua, çfarë fshehin këto varre në vetvete? Të qeshura, gëzime, dhimbje, britma? A thua, çfarë do të më thoshin tani banorët e këtyre varrezave, nëse do të mund të flisja me ta? Ndoshta fjalët e fundit që Pejgamberi (savs), i cili ka thënë para vdekjes së tij: “Namazin, namazin dhe ajo që keni në zotërim.” (Transmeton Ahmedi, hadithi sahih)
U sigurova që askush të mos më shihte. Allahu e di se çfarë do të mendonin, por askush përveç Allahut, nuk e di se unë jam këtu për disa namaze të sabahut që i kam fjetur! Nuk ndjeva frikë pse isha në varreza! Eca mes varreve duke u kujdesur që të mos shkelja mbi ndonjërin. Vëmendjen time ma tërhoqen disa varre të sapogërmuara, të cilat i prisnin xhenazet e nesërme.
Unë shkova tek ato varre. Zemra më rrihte shpejt, më dukej sikur po më thërrisnin. Teksa po ecja mes varreve, e pyesja veten: Kush shtrihet në të gjitha këto varre: alkoolistët, ata që kryen imoralitet, pasuesit e epsheve, ata që faleshin rregullisht dhe agjëronin, ata që ruheshin nga mëkatet, ata që shtireshin para njerëzve…!!
Iu afrova një varrit bosh dhe e shikova thellësinë dhe errësirën e tij. Qëndrova sipër tij, dhe më pushtoi një frikë e papërshkrueshme. Pse i kam këmbët kaq të rënda? Kam parë shumë varre, por ky është i veçantë, sepse tani do të shtrihem në të, dhe atë për së gjalli!
Zemra përsëri po më rrihte shpejt, ndjeja sikur dikush ishte pas meje dhe po më frynte pas veshit. E detyrova veten të zbres poshtë, se nuk kisha forcë, kisha frikë nga thellësia e tij. Subhanallah, një hapësirë kaq e vogël, do të jetë për dikë, ose kopshti i xhenetit ose vuajtja e xhehenemit.
Zbrita ngadalë, dhe u ula në mes të varrit me këmbët e mbledhura drejt gjoksit. Imagjinoni, unë jam ulur në një vend ku të gjithë do të vijnë. Është i vetmi vend, nga i cili askush nuk mund të shpëtojë. E afrova gojën në murin e djathtë të varrit dhe fillova të përgjoj dhe t’i thërras atij që ishte varrosur së fundmi aty: ‘O mik, ku janë djemtë e tu, ku janë miqtë dhe të afërmit e tu, ku është pasuria jote, si e kalove llogarinë e natës së parë në varr, a e ke varrin të ngushtë apo të gjerë, si janë Munkiri dhe Nekiri?’ Nuk ka përgjigje.
E mbështeta kokën në tokë dhe e ndjeva ftohtësinë e saj. Ngadalë e lëshova kurrizin dhe u shtriva. I mbylla sytë, dhe atëherë vetëm një mendim më fluturoi në kokë: Si është të jesh i vdekur në të?
Derisa isha i shtrirë, shikova ngadalë drejt lahdit. Prej tij frynte një erë, dhe ai ishte veçanërisht i errët dhe i ngushtë. Lahdi më frikësoi veçanërisht, kështu që, u ngrita me shpejtësi dhe u ula.
Derisa isha ulur, më shkoi mendja se si nxitohet me çdo xhenaze, dhe pastaj më të afërmit tuaj të lëshojnë në varr, dhe të varrosnin me aq shpejtësi, sikur të duan të shpëtojnë sa më shpejt prej teje. Kurse kur të mbarojnë, ata shkojnë dhe ti mbetesh vetëm, i lënë në mëshirën e Allahut.
Dola ngadalë dhe këmbët më dridheshin. Derisa dola dhe e shkulja dheun me duar, bëra istigfar dhe thashë me vete: “Nuk do të fle më kurrë në namazin e sabahut!” Isha i thyer dhe i lodhur”.
Vëllezër të dashur!
Do të ishte mirë, që kohë pas kohe edhe ne ta bëjmë përtërirjen e besimit. Prandaj, e ftoj veten dhe juve, le të mendojmë për veprat tona të mira dhe veprat tona të këqija! Ky person kishte fjetur vetëm dy sabaha! Le ta pyesim veten – deri më tash, sa kemi fjetur dhe çka kemi fjetur?! Jo të gjitha, por disa gjëra mund të kompensohen.
E lus Allahun e dashur, që të na ndihmojë në synimin tonë për t’u bërë njerëz më të mirë.
O Allah, falja Jote është shumë më e madhe se mëkatet tona, dhe mëshira Jote na jep shpresë më të madhe se veprat tona. Andaj, ki mëshirë për ne, na i fal mëkatet tona, dhe mbuloje turpin tonë në Ditën e Gjykimit!
O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!
O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!
O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!
O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!
O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë ose mposhtin pabesimtarët.
O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde, na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini