Nëse nuk mund të bëhesh imam Ahmed, atëherë të paktën bëhu Ebul-Hejthem

872

Abdullah bin Ahmed bin Hanbeli, ka thënë:

“Babai im shpesh në lutjen e tij thoshte: “O Allahu i dashur, fale Ebul-Hejthemin! O Allahu i dashur, mëshiroje Ebul-Hejthemin!”

Unë e pyeta: “Po kush është ky Ebul-Hejthemi?!”

Ai u përgjigj: “Ai është një beduin fytyrën e të cilit nuk e kam parë. Në fakt, në natën që më rrihnin me kamxhik, më hodhën në një qeli të errët. Në një moment dikush më preku mbi supe dhe më pyeti: “A je ti Ahmed ibn Hanbeli?” “Po”, u përgjigja. Ai më pyeti: “A po më njeh ti mua?” Unë i thashë: “Jo, nuk po të njoh.” Ai më tha: ‘Unë jam Ebul-Hejthemi, alkoolist dhe grabitës i rrugëve. Në dosjen time, e cila gjendet te halifi, është shkruar se kam marrë 18.000 goditje me kamxhik. Dhe të gjitha këto i kam duruar në rrugën e shejtanit. Prandaj, duro edhe ti, o Ahmed, në rrugën e Allahut!”

Më vonë, kur erdhën të më godasin me kamxhik, sa herë që e ndjeva kamxhikun mbi kurrizin tim e kujtova Ebul-Hejthemin dhe i thashë vetes: “O Ahmed, duro në rrugën e Allahut!”

Prandaj, nëse nuk mund të bëhesh Ahmed ibn Hanbel, atëherë të paktën bëhu Ebul-Hejthem.

– Duaje të vërtetën edhe kur je i zhytur në mashtrim.

– Duaji njerëzit e devotshëm edhe atëherë kur je i zhytur në mëkate.

– Beso në Allahun dhe mbështetu tek Ai, pa marrë parasysh sa herë të ka joshur dhe mashtruar shejtani.

Përkthim: Miftar Ajdini