Shikoni punët tuaja!

1590

Falënderimet janë për Allahun e Madhërishëm, Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.

Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin gjithmonë me të, është rob i Allahut dhe është i Dërguari i Tij i fundit.

Hutbeja e sotme titullohet: Shikoni punët tuaja!

Vëllezër të dashur!

Dijetari maliki më i famshëm i kohës së tij, Ebu Muhamed ibn Ebi Zejd, ka thënë: “Edukimi i plotë bazohet në katër hadithe:

1. “Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, le të flasë vetëm atë që është e mirë, ose le të heshtë.” (Muttefekun alejhi)

2. “Nga bukuritë e Islamit të njeriut është, largimi nga ajo që nuk i përket atij.” (Tirmidhiu, Ahmedi, Ibn Maxhe dhe Maliku, hadithi hasen)

3. Fjala e Pejgamberit (savs): “Mos u zemëro!” (Buhariu), të cilat ia drejtoi njeriut, i cili kërkoi këshilla prej tij.

4. “Nuk beson askush prej jush derisa të dëshirojë për vëllanë e tij atë që dëshiron për vete.”(Muttefekun alejhi)

Nga hadithet e mësipërme për hutben e sotme, do të veçoj atë në të cilin Pejgamberi (savs), thotë: Nga bukuritë e Islamit të njeriut është, largimi nga ajo që nuk i përket atij! Përndryshe, këtë cilësi të bukur Allahu i Plotfuqishëm e ka numëruar në fillim të sures el-Mu’minun, ndër cilësitë e atyre besimtarëve që, në dashtë Allahu, do të banojnë në xhenetin Firdavs – pjesa e xhenetit më e lart, më e bukur dhe më afër Allahut.

Unë personalisht, besoj se çdo besimtar përpiqet të hyjë në xhenet, dhe se ka nga ne që duan të arrijnë në Xhenetin Firdeus. Prandaj, dua ta inkurajoj veten dhe juve, për këtë cilësi të bukur, si dhe të paralajmëroj për pasojat e dëmshme që mund të kemi, nëse nuk zbukurohemi me këtë cilësi.

Vëllezër të nderuar!

Transmetohet se kur vdiq njëri prej sahabëve, një njeri tha: “Gëzohu për xhenetin”, të cilit Pejgamberi (savs), i tha: “Ti nuk e di, ndoshta ai ka folur për atë që nuk i përkiste, ose ka qenë koprrac me atë, që nuk ka mundur t’ia pakësonte pasurinë.” (Tirmidhiu)

Prandaj, brenga dhe biseda për gjëra që nuk na interesojnë neve personalisht, mund t’i dëmtojë shumë veprat tona të mira, dhe në këtë mënyrë të na vështirësojë hyrjen në xhenet, ose së paku, arritjen e gradave të larta të xhenetit. Kështu që, duhet të merremi me vetveten, sepse secili prej nesh i ka të metat e veta, me të cilat duhet të merret. Ose siç thotë populli: “Secili duhet ta fshijë para derës së vet!”

Në lidhje me këtë, tregohet se halifi emevij, Hisham bin Abdulmelik, i kërkoi dijetarit Sulejman el-A’mesh, që t’i shkruante për virtytet e hz. Osmanit (r.a.) dhe për të metat e hx. Aliut (r.a.). Kështu që, el-A’meshi i shkroi atij: “Edhe nëse Osmani do t’i posedonte virtytet e të gjithë njerëzve në Tokë, kjo ty nuk të bën asnjë dobi, si dhe, nëse Aliu do t’i posedonte të metat e të gjithë njerëzve në Tokë, kjo përsëri, ty nuk të bën asnjë dëm. Andaj, ti kujdesu për veten tënde dhe ruaju, që brenga jote të mos jenë gabimet, dështimet dhe të metat e njerëzve të tjerë, sepse ti nuk do të jesh përgjegjës për to. Veprat e mira të njerëzve të tjerë ju sjellin dobi atyre personalisht dhe jo ty, andaj përkushtoju korrigjimit të të metave tua, pendimit për veprat tua të këqija, dhe shtimit të veprave tua të mira, sepse ato do t’i gjesh në Librin e veprave tua në Ditën e Gjykimit. Dhe dije, se shenja e rrënimit të njeriut është preokupimi i tij me mëkatet dhe të metat e njerëzve të tjerë.”

Vëllezër të dashur!

Praktika ka treguar, se kur njeriu e zbaton këtë rregull (në aspektin e gjuhës dhe të veprave) në jetën e tij, kjo rezulton në largimin e tij nga çdo gjë që nuk i përket atij: Nga çdo lloj i gjërave të ndaluara (haram), i gjërave të qortuara (mekruh), i gjërave të dyshimta, si dhe nga gjërat që nuk i nevojiten, kurse në të njëjtën kohë, fillon të ndjejë kënaqësi dhe lehtësim të veçantë mendor.

Dhe për të pasur sukses në këtë, nuk ka nevojë për ndonjë filozofi të madhe. Ai thjesht, vetëm duhet të merret me gjëra të dobishme dhe të kujdeset për gjuhën e tij – si, ku dhe në çfarë mase e përdor atë, gjë që do të rezultojë në zvogëlimin e grindjeve dhe keqkuptimeve me njerëzit.

Në parim, mjafton të kemi parasysh se për fjalët tona do të japim llogari para Allahut të dashur. Halifi i famshëm Omer ibn Abdulazizi ka thënë: “Nëse njeriu e di se fjalimi i tij është një nga veprat për të cilat ai do të japë llogari, atëherë ai do të flasë pak për atë që nuk i përket atij.“

Vëllezër të nderuar!

Fillimi i marrjes vetëm me ato gjëra që na përkasin neve personalisht, në fakt, është projekt i madh dhe afatgjatë. Nuk duhet pritur se njeriu do të ndryshojë papritmas, sepse kjo është gati e pamundur. Këtë nuk kanë mundur ta bëjnë as njerëzit e gjeneratave të para. Disave ju deshën njëzet e më shumë vjet për këtë projekt.

Prandaj, njeriu nuk duhet ta humbë shpresën, por duhet të punojë shumë me veten dhe të kërkojë falje nga Allahu i Plotfuqishëm. Pastaj rezultati do të vijë, dhe bashkë me të edhe shpërblimi, në dashtë Allahu!

E lus Allahun e Plotfuqishëm, që të na ndihmojë të gjejmë forcë dhe të fillojmë të merremi vetëm me atë që na intereson neve personalisht.

O Allah! na ruaj nga gjuhët dhe shikimet e liga, nga shejtanët, xhinët dhe njerëzit e këqij!

O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

O Zot, na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

O Zot, na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!

O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e kanë përcjellë dritën e Islamit! Kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!

O Zot, na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet, në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë!

Pershtati: Miftar Ajdini

(Islampress)