Urrejtja dhe zilia janë dy sëmundje të rënda, kronike, dy fatkeqësi të mëdha. Ato janë produkt i injorancës dhe mosnjohjes së begative të Allahut të Plotfuqishëm. Ai që urren dhe bën zili, në fakt, ai nuk është i kënaqur me caktimin e Allahut. Sepse Ai ia jep nafakën kujt dëshiron dhe sa dëshiron, dhe ia merr pushtetin (fuqinë) kujt dëshiron, ia jep pushtetin (fuqinë) kujt dëshiron, e lartëson dhe e poshtëron atë që Ai dëshiron. Zilia në kuptimin e vërtetë të fjalës është gëzimi që dikush, i cili ka disa begati t’i humbë ato. Nuk është e njëjtë të duash dhe të kesh zili. Zilia dhe urrejtja janë prishje e shpirtit njerëzor, sepse “Ai që urren nuk është besimtar”, transmetohet në traditën islame.
Ne duhet të ruhemi mirë nga këto sëmundje që të mos na kaplojnë, sepse Pejgamberi (savs) na ka paralajmëruar:
“Ruhuni nga krenaria, sepse krenaria Iblisin e ka shtyrë të mos i përulet Ademit;
ruhuni nga lakmia, sepse lakmia e ka shtyrë Ademin ta shijojë frytin e pemës së ndaluar; ruhuni nga zilia, sepse zilia ka shtyrë njërin djalë të Ademit për ta vrarë vëllain e tij. Këto cilësi janë burim i çdo të keqeje dhe fatkeqësie.”
Në një hadith tjetër thuhet: “Zilia e shkatërron veprat e mira sikurse zjarri që e shkatërron drurin.”
Zilia dhe urrejtja e shkatërrojnë imanin – besimin.
Nuk është e njëjtë urrejtja dhe mosdashja. Kur nuk e duam dikë, atëherë ne jemi në zero pozitive, por kur e urrejmë atëherë jemi nën zero, sepse investojmë energji negative, dhe ajo e shkatërron imanin.
Imam Gazaliu liston katër lloje të dëmeve nga zilia:
- Sjell shqetësim në shpirt,
- Nxit për mëkate,
- Ziliqari nuk ka ndihmëtarë,
- Veprat e tij i shkatërrohen.
Është transmetuar se Aliu r.a., në një duel me një çifut, ia kishte hedhur shpatën e tij nga dora. Pikërisht kur kishte dashur ta vriste dhe kishte marrë turr, çifuti e kishte pështyrë në fytyrë, sepse ai e kishte parë se kishte marrë fund. Atëherë hz. Aliu kishte heq dorë. Çifuti kishte mbetur pa frymë, i shastisur. Aliu r.a. më pas i tha: “Po të kisha vrarë ty tani, kjo do të ishte nga urrejtja që më pështyve. Unë godas vetëm për hir të Allahut, dhe kjo nuk do të ishte për hir të Allahut, por për shkak pështymës tënde.”
Kur hebreu e dëgjoi atë, menjëherë e pranoi Islamin.
Thuhet se njëherë Sokratin e kishte sulmuar bashkëshortja e tij aq shumë, saqë edhe ajo ishte mërzitur. Pastaj e kishte marrë një tenxhere me ujë dhe e kishte derdhur mbi të, kurse ai në gjithë këtë ishte përgjigjur me qetësi: “Unë e di se pas bubullimës do të bie shiu!”
Burimi: Husejn Čajlaković;
Përshkthim: Miftar Ajdini