Le t’i mbrojmë të drejtat e të tjerëve dhe mos t’i bëjmë zullum njëri-tjetrit

652

Në Kuran dhe në hadithe të Pejgamberit (savs), ndalohet edhe forma më e vogël e ‎zullumit ndaj cilitdo: njerëzve, bimëve, kafshëve, natyrës. Prandaj, muslimani nuk ‎është as nuk mund të jetë zullumqar.‎

Ruajtja nga harami ndahet në dy pjesë, njëra pjesë lidhet me të drejtat e Allahut të ‎Plotfuqishëm, kurse tjetra me të drejtat e robërve të Tij.‎

Pjesa e dytë është më e rëndësishme se e para, sepse Allahu i Plotfuqishëm është ‎absolutisht i pavarur dhe është më i Mëshirshmi, ndërsa njerëzit janë të varur, të ‎nevojshëm, koprracë dhe ofendues. ‎

Pse Allahu është më i Mëshirshmi? Sepse Ai mund t’i falë mëkatet që robërit i kryejnë ndaj ‎Tij, por kur robi ia heq ose uzurpon të drejtat e robërve të Tij, ai patjetër duhet me ta t’i bëjë ‎llogaritë në Ditën e Gjykimit. Për këtë arsye, kjo pjesa e dytë e ruajtjes nga harami është më ‎e rëndësishme se e para.‎

I Dërguari i Allahut (savs), ka thënë:

“Kush i ka shkaktuar vëllait të vet ndonjë padrejtësi në lidhje me nderin e tij apo në diçka tjetër, ai qysh sot le t’ia kërkojë hallallin, para se të vijë koha kur nuk do të ketë as dinar as dërhem. (Atë ditë) Nëse do të ketë vepra të mira, do të merren prej tij në vlerë të padrejtësisë së shkaktuar, ndërsa nëse nuk ka vepra të mira (të mjaftueshme), do të merren nga veprat e këqija të pronarit të së drejtës, dhe do t’i jepen këtij (që ka bërë padrejtësi).”(Buhariu)

Në një hadith tjetër Pejgamberi (savs), ka thënë:

“A e dini se kush është i falimentuar?” Sahabët thanë: ‘I falimentuar tek ne është ai që nuk ka para dhe nuk posedon asgjë.’ Kurse Pejgamberi (savs) tha: “I falimentuari i vërtetë nga umeti im do të vijë Ditën e Gjykimit me namaz, agjërim e zekat. Vjen, por e ka fyer këtë, ka shpifur për këtë, e ka ngrënë pasurinë e këtij, e ka derdhë gjakun e këtij, e ka rrahur tjetrin. Atëherë ju jepet atyre nga të mirat e tij, e nëse përfundojnë të mirat e tij para sa t’i shpaguaj këto padrejtësi, merren nga mëkatet e atyre që ju është bërë padrejtësi dhe i hidhen atij, e më pas hedhet në zjarr.”(Muslimi)

Përkthim: Miftar Ajdini