Falënderimet i përkasin Një të Vetmit, Allahut të Madhëruar, i cili nuk ka rival, as ndihmës e as të barabartë me Të.Mirënjohjen ia kemi borxh për gjithçka që na ka dhënë dhe çdo gjë që kemi, krejt është dhuratë e Tij. Falënderimetë panumërta qofshin për Të,për begatinë e Islamit dhe të familjes. E falënderojmë me gjuhën e mirënjohjes Atë, i Cili në zemrat e prindërve dhuron dashurinë e pastër e fisnike për brezat.
Paqja, bekimet dhe salavatet e pandërprera qofshin mbi Pejgamberin e fundit dhe të dashurin të Allahut, Muhamedin (a.s.), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij shembullorë, dhe mbi të gjithë besimtarët deri në Ditën e gjykimit!
Vëllezër besimtarë!
Duhet ta dimë se besimtari nuk do të ndjehet besimtar i vërtetë, nëse jeta e tij nuk është në anën e drejtësisë, nëse nuk do të jetë në gjendje t’i afrohet devotshmërisë dhe të jetë i afërt me këtë cilësi fisnike, nëse nuk është i drejtë.
Allahu i Plotfuqishëm në Kuran thotë:“Bëhuni të drejtë, ajo është më afër devotshmërisë!”
Besimtari, nuk është ai që është në një luginë, ndërsa drejtësia në luginën tjetër. Mungesa e drejtësisë në raport me të tjerët, është shkaku më i shpeshtë i dështimit tonë. Kur nuk je në anën e drejtësisë dhe paanësisë, atëherë je më afër dështimit se sa suksesit!
Besimtarë të nderuar,
Duhet ta dimë se shpesh herë, Allahu i Madhërishëm qëndrimin e Tij ndaj nesh e kushtëzon me qëndrimin tonë ndaj njerëzve të tjerë.
E pra, kush është i mëshirshëm ndaj njerëzve, Allahu do të jetë i mëshirshëm ndaj tij, kush i ndihmon vëllait të vet musliman, Allahu i Madhërishëm është ndihmëtar i tij, kush u bën dhunë njerëzve, Allahu i Madhërishëm do t’i dërgojë atij hakmarrje, qoftë edhe pas një kohe…
Besimtar i mençur është ai, që i hulumton shkaqet të cilat nuk po e lejojnë të përparojë. Besimtari e heton, kur ibadeti, lutjet dhe angazhimi i tij për Allahun nuk i japin rezultate. Menjëherë duhet t’i kthehet vetvetes me pyetjen: “A i kam bërë dikujt padrejtësi?” Pastaj, duke i analizuar raportet e tij me njerëzit, së pari duhet të fillojë nga ata më të afërmit e tij –pra, nga prindërit.
O njeri, ata i ke më të afërt, sepse për ty janë më të merituarit. Sa herë ata janë kujdesur për ty, të kanë ruajtur, natën e kanë kaluar pa gjumë duke të kushtuar vëmendje ty. Raporti ndaj prindërve është një nga shkaqet më të shpeshta të suksesit apo të dështimit të njeriut.
Prindërit shpesh bëhen derë për pranimin ose refuzimin e ibadetit, lutjeve dhe përuljes së përgjithshme. Argumentet e vlefshmërisë së këtij pohimi janë të shumta.
Le ta përmendim Uvejs el-Karnin. Një burrë i cili kishte dëshirë të flaktë të takohej me Pejgamberin (a.s), mirëpo, ai arriti të vinte nga Jemeni në Medine, vetëm pas vdekjes së Pejgamberit (a.s.). Megjithatë, Pejgamberi (a.s.), para vdekjes së vet, ia kishte besuar hz. Omerit (r.a.), një porosi. E kishte informuar se ekziston Uvejs el- Karni, një njeri nga Jemeni, nga fisi Murad, i cili vuante nga një sëmundje infektive,e cilaia kishte mbuluar tërë trupin, përveç zonës së stomakut në madhësinë e një dërhemi.Këtu Pejgamberi(a.s.), Omerit ia nënvizoi një tipar të rëndësishëm të Uvejsit – ai e kishte nënën, dhe ishte respektues ndaj saj.
Pse Pejgamberi (a.s.),i foli Omerit për Uvejsin, të cilin nuk e kishte parë asnjëherë?
E porositi atë: “Nëse do të takohesh me të, lute që ai të bëjë lutjepër ty!!!”
Pse, sepse vetë Pejgamberi(a.s.), thotë se Uvejsi ishte nga ata që ju pranohet lutja:“Sikur t’i lutej Allahut me betim, menjëherë do t’i pranohej!”
Uvejsi nuk ishte person që i pranohej lutja, për arsye pse ishte nga Jemeni, as për shkak se ishte nga fisi Murad, dhe, as për shkak se ishte i sëmurë dhe përjetoi sëmundjen ngjitëse. Por, shkaku kryesor i pranimit të lutjes së tij ishterespekti i tij ndaj nënës!
Në qoftë se ne duam që Allahu i Madhërishëm tu përgjigjet lutjeve tona, që duart tona të mos kthehen bosh, kur i ngremë duke u lutur, le të jemi respektues ndaj prindërve tonë.
Të përpiqemi që prindërit tonë të jenë të kënaqur me ne, atëherë do ta lehtësojmë ngritjen e lutjeve tona në qiell, dhe pranimin e veprave tona të mira. Këtë më së miri na e konfirmojnë fjalët e Pejgamberit savs:“Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve, kurse zemërimi i Allahut është në zemërimin e prindërve.”(Tirmidhiu)
Në transmetime thuhet se Musai (a.s.),i ishte lutur Allahut të Madhërishëm: “O Zot, më trego kush është shoku im në xhenet.” Allahu i Madhërishëm me anë të shpalljes i kishte treguar për një djalosh, një njeri mjaft i thjeshtë, modestdhe i tërhequr. Musai (a.s.),u habit, kur pa se ai ishte një djalë i ri, i cili nuk ishte i njohur as për nga ibadeti i shumtë, as për nga bindja, as për nga dituria për fe. E ndoqi atë. Djaloshi nga tregu solli artikuj ushqimorë, ia përgatiti nënës ushqimin dhe ia pastroi shtëpinë. Ai ishte si një shërbëtor me përulje në shtëpinë e nënës së tij. Ai me modesti i shërbente. Ajo pastaj i ngriti duart e saj dhe iulut Allahut: “O Zoti im, bëre djalin tim shokë të Musait në xhenet.” Kështu, lutja e mirë e nënës, këtë djalosh e bëri shokë të Musait (a.s.), në xhenet.
Ndonjëherë ne mendojmë: – Ne mund t’i respektojmë prindërit derisa ata janë gjallë, por çka mund të bëjmë nëse ata kanë shkuar në botën tjetër, a do të na dështojnë veprimet tona, nëse ne nuk kemi qenë respektues, derisa ishin të gjallë?
Dijetarët islamë thonë se prindërve mund tu bëhet mirë edhe pas vdekjes së tyre, përmes tre aspekteve të falënderimit:
– E para – është që njeriu të jetë besimtar, sepse nëse ka pasur sukses te Allahu, kjo është kënaqësia më e madhe e prindërve.
– E dyta – është që njeriu t’i ruaj lidhjet familjare dhe t’i vizitojë ata me të cilët janë shoqëruar prindërit e tij.
– E treta – (aspekti më i rëndësishëm i falënderimit) të bëjë lutje për prindërit e vdekur.
Secili prej nesh, atyre që u kanë vdekur prindërit, le ta bëj vetveten sadakë të vazhdueshme. Siç thotë Pejgamberi (savs):“Kur vdes i biri i Ademit, atij i ndërpriten veprat përveç në tri raste:(1)Nëse lë sadaka të vazhdueshme pas vete, (2)nëse lë dituri me të cilën shërbehen të tjerët, dhe (3)në qoftë se lë fëmijë të edukuar mirë i cili do tëlutet për të.”
Le të mos nxitojmë për ta ndryshuar të gjithë botën, le të fillojmë nga pragu ynë, i cili nganjëherë është mali më i lartë që çdonjëri prej nesh ndonjëherë e kalon. Shpesh ne shohim ndonjë të ri përplot energji dhe zell që kujdeset dhe lufton për drejtësi, dëshiron që drejtësinë ta sjell në çdo cep të kësaj bote, por nga ana tjetër është i padrejtë ndaj atyre që më së shumti ju detyrohet për mirënjohjen më të madhe. Të shumtë janë ata që sot flasin se shumë çka do të ndryshonin në xhematin e tyre, në bashkësinë islame, në umetin islam… por kurrsesi ta bëjnë hapin e parë – e ta ndryshojnë qëndrimin ndaj prindërve të tyre.
Psherëtima e prindit është pengesë e padepërtueshme e cila mund të na largojë nga kënaqësia e Allahut dhe të na afrojë kah zemërimi i Tij, andaj duhet të ruhemi mirë, në qoftë se duam të kemi sukses!
E lusim Allahun e Madhërishëm, që të na ruaj nga veprat të cilat e shkatërrojnë shpërblimin, dhe të na vendosë në mëshirën e Tij të sigurtë dhe të shpëtuar! Amin.
Përshtati: Miftar Ajdini