Gjashte gjera nese i praktikoni ne jete do te jeni te shpetuar

795

Shekik Belhi e pyeti Hatim Esamin: “Ka kohë që i ndjek ligjëratat e mia. Çfarë mësove nga unë?”

Ai u përgjigj: “Kam mësuar gjashtë gjëra.

* Kam parë që njerëzit janë në dyshim për nafakën. Për shkak të ajetit: “Nuk ka asnje gjallesë në Tokë, e qe mos ta ushqej Allahu”, kam besuar plotësisht në Allahun. E dija që edhe une isha një nga qeniet e gjalla. Nuk e lodha më shpirtin tim me brengen për nafakën.

*Pashë që çdo njeri ka nevojë për një mik të cilit mund t’i tregojë sekretet e tij dhe të ankohet për situatën e tij. Kërkova një përgjigje se kush mund të ishte shoku im. E pashë gjithashtu se me vdekjen vjen ndarja me çdo mik dhe vëlla. Doja të kisha një mik me të cilin miqësia vazhdon edhe pas vdekjes, ndaj zgjodha veprat e mira.

*E pashë që çdo njeri ka një armik. E kuptova se armiqtë e mi të vërtetë nuk janë ata që më bëjnë thashetheme, që ma marrin pasurinë dhe që më bëjnë padrejtësi. Armiku im i vërtetë është ai që më urdhëron të mos bindem, dhe ai është shejtani. Shtrëngova harkun e mbërtheva shigjetën dhe nuk i lashë shejtanët të afroheshin.

*Pashë që çdo njeri ka një ditë që dikush e deshiron atë. E kuptova se ai që na dëshiron është engjëlli i vdekjes (Azraili). Kur të vijë më në fund, do t’i dorëzohem pa rezistencë dhe do të shkoj me të.

*I shikova njerëzit. Ndaj dikuj kisha urrejtje. Mendova se nga vinte ajo. E kuptova që shkaku ishte zilia. Menjëherë e hodha zilinë nga zemra. Nuk desha per askënd atë që nuk doja për veten time.

*Pashë që të gjithë kishin një shtëpi dhe një vendbanim. Kuptova se vendbanimi im i vërtetë ishte varri. Sa kam fuqi dërgoj vepra të mira për të ndërtuar dhe rinovuar varrin tim. Sepse nëse varri shkatërrohet, nuk do të jetë e mundur të qëndrosh në të i qetë.

(Ebu Nuajm, Hil’jetu’l-Awliya, Bejrut, 1997)

Perktheu dhe pershtati: Sadri Iljazi