I Dërguari i Allahut ishte gjithmonë optimist!

554

E dini pse i dërguari i Allahut,  Muhamedi a.s. ishte gjithmonë optimist, i buzëqeshur, i mirë, fisnik, i shoqërueshëm, i drejtë?

Për shkak se ai kënaqej me Islamin! Ishte i tillë për shkak se ky Islam në thelb është i lehtë, i bukur dhe i thjeshtë. Feja, Muhamedin a.s.  dhe njerëzit përreth tij i rehatonte dhe i qetësonte, shpirtrat e tyre gjithmonë ishin plotë shpresë dhe optimizëm. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk i ngarkonte dhe nuk i lodhte  me fjalë, vepra, me urdhëresa e as me ndalesa. Ai bashkë me ta e jetonte islamin thjeshtë dhe me lehtësi. Çdo gjë vinte në kohën e vet, ndërsa ata të gatshëm me shpirtra të edukuar i pranonin gjërat.

Ai nuk kishte nevojë t’ua shpjegojë bontonin islam, sepse e shihnin tek ai. Ai nuk kishte nevojë t’ua shpjegojë konceptin e drejtësisë, sinqeritetit, ndihmesës etj… sepse këto koncepte  i shihnin tek ai dhe në jetën e tij.

Sot, për fat të keq, pa asnjë rregull apo prioritet, muslimanëve u ngarkohet koka, sidomos me lloj lloj fetvash, debate të ndryshme politike dhe ideologjike, duke i ngarkuar me lloj emrash të dijetarëve kinse të devijuar

Pastaj pyesim, pse vallë kaq ndarje, urrejtje, provokime e gjëra të ngjashme? Gjitha këto ndodhin për shkak se feja interpretohet dhe paraqitet si diçka e ndërlikuar dhe e vështirë për tu kuptuar.

Ju lutem! Pasi që keni njohur Zotin, punoni në edukimin e zemrës dhe shpirtit tuaj. Punët e zemrës janë më të rëndësishmet, dhe nëpërmjet edukimit të zemrës të plotësoni namazin, agjërimin, sadakan etj…

Nëpërmjet dhikrit të përhershëm edukoni veten të jeni të sinqertë, të mëshirshëm, fisnik, qëllimmirë, të ndershëm, guximtar dhe zemërgjerë. Mësohuni të doni njerëzit dhe ti ndihmoni. Ashtu siç do të jetë sjellja juaj, ashtu do të jetë edhe namazi dhe agjërimi juaj. Do të kënaqeni me islamin tuaj ashtu siç kënaqej Muhamedi a.s.

Përktheu: A. D. Islampress