Njerëzit do të na tradhtojnë, Ai jo. Njerëzit do të premtojnë ndihmë dhe do të dështojnë. Njerëzit do të ofrohen derisa t’u kërkojmë diçka, dhe atëherë kur të kërkojmë diçka, atëherë do ta kuptojmë sinqeritetin e premtimit të tyre. Dhe atëherë do të bindemi se kemi vetëm Allahun.
Se të gjithë do ta bartin barrën e tyre në botën tjetër, tashmë na e tregon jeta në këtë botë. Sepse, tashmë këtu jemi përballur me neglizhencën e të tjerëve, ndaj meje, ndaj teje, ndaj individit tonë dhe ndaj gjithë komunitetit bashkë. Sa herë që bëjmë një gabim, sa herë që Allahu na sprovon apo na ndëshkon me diçka, te ralle janë të gatshëm të jenë dora e shpëtimit. Janë të paktë ata që do të dëgjojnë, aq më pak ata që do të përpiqen të ndihmojnë dhe më pak ata që do të përjetojnë vërtet dhimbjen e tjetrit, dhe do të “identifikohen” me të.
“Besimtari për besimtarin është si muret e një ndërtese, ato mbështesin njëri-tjetrin.” (Buhariu dhe Muslimi)
Hadithi i përmendur flet për ndërlidhjen e besimtarëve të vërtetë. Ata janë si një ndërtesë dhe mbështesin njëri-tjetrin. Kaq unike, aq të sinqertë me njëri-tjetrin – besimtarët janë forcë për njëri-tjetrin.
Fatkeqësisht, gjithnjë e më shumë duket se muslimanët nuk e kanë zbatuar këtë hadith dhe duket gjithnjë e më shumë se një musliman do ta shiste një musliman për një çmim të lirë, për të humbur mbështetjen e tij ose për t’u gëzuar me musibetin e tij. Ndonjëherë është një imazh shumë i trishtuar i muslimanëve që ata ua paraqesin të tjerëve. Por, nga ana tjetër, një gjendje e tillë na drejton në gjendjen reale të çdo njeriu – se ai është përgjegjës për veprimet e tij, se ai është lënë në mëshirën ose ndëshkimin e Allahut dhe se në fakt askush tjetër nuk do të marrë përgjegjësinë e tij ose zbutur pasojat e veprimeve të tij. Gjithashtu, mbështetja e vetme e vërtetë për çdo individ është Allahu.
Ne mund t’u kërkojmë njerëzve një nder, por vetëm nga Allahu mund ta presim ose ta marrim atë. Besoj se secili prej nesh, pikërisht në momentet e vështirësisë, tundimit apo gabimit, ishte i bindur për paaftësinë e të tjerëve për të hequr vështirësinë tonë dhe për ta zëvendësuar atë me më të mira. Besoj se secili prej nesh së paku me një zemër e ka ndjerë se nuk ka strehim përveç Allahut. Se vetëm Atij, pa turp e barrë në shpirt, pa faqe të skuqura e pa gunga në fyt, mund të ngrejë duart, të shprehë çdo dëshirë, nevojë, çdo barrë, psherëtimë, çdo dhimbje…
Shumë herë Allahu i Plotfuqishëm, përmes çdo barre, çdo tundimi dhe çdo dhimbjeje, na kujton Veten e Tij. Për fuqinë e Tij të pakufishme dhe për vetëm një gjë që i nevojitet për të aktivizuar “Bëhu!” e Tij – dhe ky është besimi ynë i patundur dhe mbështetja e fortë. Sepse, ne shpesh trokasim në të gjitha dyert dhe vetëm atëherë vijmë tek Ai. Dhe ai është në fakt adresa e parë dhe e fundit, e vetmja dhe më e mira për të gjitha nevojat dhe problemet tona të jetës. Dhe pasi t’i drejtohemi Atij, dhe ne vazhdimisht i drejtohemi Atij, atëherë ne vetëm duhet të bëjmë atë që varet nga ne, t’u drejtohemi atyre që mund të na ndihmojnë. Epo, nëse ata na ndihmojnë, atëherë ata janë zgjedhur nga Allahu për të na ndihmuar. Dhe nëse ata refuzojnë dhe ata mund të na ndihmojnë, atëherë ne jemi sprovimi i tyre dhe rruga përmes së cilës ata do të tradhtojnë ose trondisin besimin e tyre.
Prandaj, para se të bëjmë diçka, le të mendojmë për pasojat e saj.
Para se të marrim një vendim të rëndësishëm – le të falimë istiharën.
Para se të kërkojmë ndihmë nga njerëzit, le ta e kërkojmë atë nga Allahu.
Para se të mbeshtetemi te njerëzit, le t’i mbeshtetemi Allahut.
Dhe së fundi – të besojme dhe të presim vetëm nga Allahu.
Njerëzit do të na tradhtojnë, Ai jo. Njerëzit do të premtojnë ndihmë dhe do të dështojnë. Njerëzit do të ofrohen derisa t’u kërkojmë diçka, dhe atëherë kur të kërkojmë diçka, atëherë do ta kuptojmë sinqeritetin e premtimit të tyre. Dhe atëherë do të bindemi se kemi vetëm Allahun.
Perktheu dhe pershtati: Sadri Iljazi