Pejgamberi, s.a.v.s. – njeriu që sjellë qetësi në zemra

658

Shakaja, e ka fuqinë ta zbusë zemrën e njeriut, ta gëzojë shpirtin dhe të paraqes shkëputje nga tensionet e përditshme jetësore. Meqë Islami ka një këndvështrim dashamirës për relaksimin dhe qetësinë shpirtërore, në mes tyre edhe për shakanë e matur, lind pyetja nëse nga jeta e Pejgamberit s.a.v.s. mund të nxjerrim ndonjë mësim rreth gëzimit dhe humorit. Duke pasur parasysh se Pejgamberi, s.a.v.s., është shembulli më i mirë, sigurisht që do të arrijmë në përfundimin se në hadithet e tij duhet të ketë diçka nga e cila e vërejmë mënyrën e shakasë të cilën e përdorte. Ebu Hurejra, lavdia dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të, transmeton se një herë Pejgamberit s.a.v.s. i është thënë: “I Dërguar i All-llahut, ti po bën shaka me ne!” Ai u përgjigj: “Po, por unë e flasë vetëm të vërtetën.” (transmetojnë Tirmidhi dhe Ahmedi)

Si transmetues i Shpalljes, Pejgamberi, s.a.v.s., si të gjithë të dërguarit e tjerë, duhej ta kishte besimin e pakufizuar të njerëzve. Këtë mund ta arrijë vetëm në mënyrë që kurrë, qoftë edhe në shaka të dukshme, të mos përdorë diçka që nuk është e vërtetë absolute. Por kjo në asnjë mënyrë nuk e pengon Resulullahun që t’i gëzojë dhe t’i qetësojë shpirtërisht sahabët . Sigurisht, ai përdori metoda që nuk shkojnë përtej të folurit dhe bisedës së vërtetë. Ibën Abasi, r.a., thotë: “Shakaja në mënyrë të përshtatshme është e lejuar. Edhe Pejgamberi, s.a.v.s., bënte shaka, por gjithmonë e thoshte vetëm të vërtetën.”

Hasan el-Basri e transmeton hadithin në të cilin një plakë i tha Pejgamberit, s.a.v.s.: “O i Dërguar i All-llahut, lute All-llahun të më shtyjë në Xhennet.” Resulullahu iu përgjigj: “”Plakat nuk hyjnë në Xhenet!” Atëherë plaka u shqetësua dhe filloi të qajë. Mandej i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s. na njoftoi se All-llahu do të na ringjallë dhe shtyjë në Xhennet në moshë të re, kështu që shakaja u përdor si mënyrë informacioni. Shpesh herë Pejgamberi, s.a.v.s. shpesh herë bënte shaka edhe me fëmijët.

A rekomandohet dhe lejohet shakaja pa kushte?

Përgjigja për pyetjen e parashtruar do të ishte se shakaja duhet ta ketë kohën, mënyrën dhe vendin e përshtatshëm. Ndalohet shakaja e tepruar dhe në vazhdimësi, sepse kjo bën që njeriu të harrohet, t’i jepet gafletit; ajo ia tërheq kujdesin e madhërimit të All-llahut dhe seriozitetit që e kërkon feja. Jo serioziteti i vazhdueshëm dhe i pamatur shpie në ngurtësinë e zemrës dhe humbjen e respektit. E kundërta e kësaj, shakaja e matur, e cila mund të ketë edhe efekte pozitive, shakaja e cila ka për qëllim qetësimin dhe zbavitjen e njerëzve për kohë të caktuar, është e lejuar.

Kështu, kemi dy lloje të shakasë. Njëra është e preferuar – ajo të cilën e lejoi All-llahu i Madhëruar, e cila nuk tërheq pas vetes mëkat, dhe nuk shpie në përçarje mes njerëzve. Ja edhe një shembull nga koha e Pejgamberit, s.a.v.s.: Transmeton Enes ibën Maliku, r.a., se një herë, ndërsa Zahiri shiste diçka në treg, Pejgamberi s.a.v.s. i vjen nga pas pa e vërejtur Zahiri dhe e kap me dy duar. Zahiri pyeste kush është, ndërsa Pejgamberi s.a.v.s., thotë: “Kush do ta blenë këtë rob?” Zahiri ndërsa u kthye e vërejti të Dërguarin s.a.v.s., i thotë: “O Pejgamber i All-llahut, rob i lirë jam unë!”, ndërsa Pejgamberi, s.a.v.s. i thotë: “Je i shtrenjtë tek All-llahu!” Me këtë veprim Pejgamberi s.a.v.s. tregon respekt të dukshëm ndaj Zahirit.

Lloji tjetër është shakaja negative, e dëmshme. Është ajo shaka që bëhet shkak i armiqësisë dhe krijon mos respekt dhe armiqësi mes njerëzve; kjo lloj shakaje e humbet qëllimin e saj të vërtetë.

Forma më e përshtatshme e shakasë është se ajo duhet të jetë anekdotë e vërtetë apo lojë me fjalë të cilat, siç i kemi parë, shpesh i zbatonte Pejgamberi, s.a.v.s.. Ajo e inkurajon të menduarit, dhe shpesh shërben si këshillë ose udhëzim dhe zhvillon miqësi mes njerëzve. Kështu, Xhabir ibën Semura, r.a., transmeton se sahabët në shoqërinë e Resulullahut, s.a.v.s., recitonin poezi arabe dhe përmendnin ngjarje nga koha para islame, dhe ai heshtte dhe ndonjëherë u buzëqeshte atyre. (Shënohet nga Tirmidhiu dhe Ahmedi).

Në fund mund të përfundojmë se, nga mënyra e shakasë dhe pasojat e saj, varet nëse shakaja është e lejuar apo jo. Imam Neveviu thotë: “Shakaja ndalohet nëse është e tepërt dhe e shpeshtë, sepse humb efikasitetin dhe shkakton ngurtësim të zemrës. Ajo e largon njeriun nga adhurimi dhe kujdesi për çështjet thelbësore të Islamit. Shpesh shkakton dëme dhe është shkak i mosrespektimit. Nëse në shaka nuk janë të pranishme këto karakteristike, atëherë shakaja është e lejuar nga këndvështrimi Islam.

Pejgamberi, s.a.v.s., e përdorte humorin për t’u afruar me njerëzit dhe për t’i lidhur ata me njëri-tjetrin. “Ndonjëherë shakaja mund të shkaktojë humbje të dinjitetit. Është veçanërisht e rrezikshme të bësh vazhdimisht shaka me fëmijët, sepse nëse është e tepruar, kjo shpie në mosrespektimin e personit që e tepron. Kjo mund të vërehet më së miri te personat e përfshirë në procesin arsimor. Natyrisht, ndonjëherë është e nevojshme të gëzosh dhe të krijosh atmosferë komode për punë, por kjo nuk duhet t’i kalojë kufijtë e arsyeshëm.

Ibn Hajjani thotë: “Kush bën shaka me një person me të cilin nuk është e hijshme të bëjë shaka, do ta humbasë respektin e atij personi, edhe nëse ajo që thotë është e vërtetë. Miqtë e ngushtë dhe të afërmit zakonisht e pranojnë shakanë, ndërsa për njerëzit e tjerë ajo duhet të përcaktohet paraprakisht. Sidomos nëse i takojmë për herë të parë..

Autor: Abdulkadir Indžič
Përshtati: Lutfi Muaremi

[Islampress.ch]