Sunetet e neglizhuara të Pejgamberit s.a.v.s.

715

Shkruan: prof.dr. Fuad Sedić

Ti ndihmosh të pafuqishmit dhe atyre që u është bërë padrejtësi!

Ne jemi dëshmitarë të padrejtësisë dhe zullumit të përditshëm që u shkaktohet to dobëtëve dhe të pafuqishmëve, të cilët nuk janë në gjendje t’i mbrojnë të drejtat e tyre, apo t’i marrin të drejtat që u takojnë. Detyrë e të gjithë besimtarëve është që të ndihmohet ai, të drejtat e të cilit janë shkelur dhe ta mbrojë atë që ka nevojë, sepse kjo është pjesë e besimit të drejtë. Pejgamberi s.a.v.s., na udhëzon dhe na urdhëron, siç transmeton Enes ibën Maliku, r.a., se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Ndihmoje vëllanë tënd qoftë kur ai bën padrejtësi, qoftë kur atij i bëjnë padrejtësi.” Njerëzit e pyetën: “O i Dërguari i All-llahut! Mirë e ndihmojmë atë, kur atij i bëjnë padrejtësi, por si ta ndihmojmë, kur ai bën padrejtësi?!” Ai s.a.v.s. u tha: “Duke e penguar atë që të mos u bëjë padrejtësi të tjerëve.” (Buhariu)

Kur ne sinqerisht dëshirojmë ta ndihmojmë dikë, atëherë do ta parandalojmë nga çdo veprim që mund ta dëmtojë atë, kështu që do t’i parandalojmë ata që bëjnë padrejtësi dhe abuzojnë me të tjerët. Me siguri që bërja e padrejtësisë bëhet shkak për largimin e bereqetit dhe bekimeve, atij që bën zullum, pasurisë dhe familjes së tij, kështu që ky akt mund të jetë shkak i ndonjë belaje apo fatkeqësie në këtë dhe në botën e amshueshme.

Një ngjarje e çuditshme në Abisini

E dimë mirë se Xha’fer ibën Ebi Talibi, djali i xhaxhait të Profetit, s.a.v.s., dhe vëllai i Aliut, r.a., bëri hixhret në Abisini dhe atje qëndroi pesëmbëdhjetë vjet. Kur u kthye, Pejgamberi, s.a.v.s., e pyeti: – Më trego cila ishte gjëja më e çuditshme që ke parë atje? Xha’feri r.a., i tha: – Gjatë një rasti e pashë një grua e cila në kokën e saj e bartte një shportë me ushqim. Pranë saj me nxitim kaloi një kalorës i cili e goditi shportën e saj, kështu që ia derdhi gjërat ushqimore që ndodheshin në shportë.

Ajo u ulë e mblodhi ushqimin e derdhur gjithandej, mandej iu drejtua kalorësit: “Mjerë për ty kur i Gjithëfuqishmi ta vë drejtësinë e Tij dhe të fillojë t’ua kompensojë atyre që u është bërë padrejtësi.” Atëherë, Pejgamberi s.a.v.s. duke vërtetuar fjalët e saj dhe tha: “Si do ta bekojë All-llahu ummetin (popullin) në të cilin të dobëtit nuk mund ta marrin të drejtën e tyre nga të fortit, pa kufizim dhe hezitim!”

Nga parimet më të rëndësishme islame është vendosja e parimeve të së vërtetës dhe drejtësisë. Nëse nuk respektohet drejtësia, ajo qeverisje nuk ka harmoni, prosperitet, përparim as mbijetesë. Në një transmetim tjetër nga Abdullah ibn Mesudi, r.a., thuhet se Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë: “Vërtet, All-llahu i Madhëruar nuk do ta bekojë popullin (bashkësinë) që nuk ua japin të dobëtëve të drejtën e tyre”. (Taberani). Apo në transmetimin e Ebu Sufjan ibën El-Harithit, r.a., ku thuhet: “Vërtetë, All-llahu nuk e bekon popullin ku i dobëti, pa mundim dhe hezitim, nuk mund ta merr të drejtën e tij nga i forti.” (Bejheki)

Populli i cili bënë  zullum dhe padrejtësi nuk mund të mbetet i pastër nga mëkatet dhe mungesat, sepse ata nuk mundohen t’ia kthejnë të drejtën atij që i rrezikohet. Me siguri, shoqëria e tillë do t’i ndjejë pasojat e rënda të mosveprimit të largimit të ligësisë. All-llahu i Lartësuar i shtyn ato deri në një kohë të caktuar, e pastaj i dënon me dënim të pashmangshëm.

Është i mirënjohur hadithi në të cilin flitet për detyrën e ndalimit të të gjitha ligësive dhe padrejtësisë, ndaj besimtari është i obliguar t’i ndalojë me dorën, fjalët apo së pakti t’i urrejë ato me zemër, edhe pse kjo e fundit paraqet besim më të dobët. Përndryshe, ndalimi nga e keqja si dhe parandalimi i padrejtësisë është nga pjesët më të mira dhe më të rëndësishme dhe paraqet karakteristikë të njerëzve të mirë në të gjitha gjeneratat. Në një hadith Pejgamberi, s.a.v.s., thotë: “Me të vërtetë, në ummetin tim do të ketë njerëz që do të marrin shpërblime si shpërblimet e brezave të parë, sepse ata e pengojnë të keqen dhe çdo gjë të shëmtuar”. (Imam Ahmedi).

Pejgamberi s.a.v.s. ka jetuar jashtëzakonisht jetë modeste, kështu që ndonjëherë ishte i detyruar të huazonte diçka, me qëllim që t’i ndihmojë besimtarët të cilët kishin nevojë. Një ditë, huazoi hurma nga një beduin. Ebu Seid El-Hudri e shpjegon rastin kur beduini kishte ardhur ta kërkojë borxhin. Duke qenë se Pejgamberi, s.a.v.s., nuk mundi t’ia kthente në atë çast, i kërkoi që ta priste edhe pak. Mirëpo, beduini vazhdoi të kërkonte të drejtën e tij dhe ishte mjaft i vrazhdë në pretendimin e tij, kështu që ai madje tha: – Nuk do të largohem derisa të ma kthesh borxhin. Atëherë, sahabët i thanë beduinit, a e di me kë flet? Ai tha: – Unë vetëm e kërkojë të drejtën time. Atëherë Pejgamberi s.a.v.s., tha: – Sa mirë do të ishte sikur ta mbanit anën e atij që është në të drejtë. Mandej Pejgamberi, s.a.v.s., huazoi nga Havli bint Kajs, r.a., që ta pastrojë borxhin ndaj beduinit, dhe e pyeti: “A ta ktheva borxhin me drejtësi? Po, All-llahu furnizoftë!”

Si do ta bekojë All-llahu ummetin (shoqërinë) në të cilën i dobëti nuk mund ta merr të drejtën e vet nga të fuqishmit, pa mundim dhe hezitim.” (Ibën Maxhe). Domethënë, njerëzit më të mirë, përkitazi, shoqëri më e mirë është ajo që kujdeset për ata të cilëve u bëhet e padrejtë, dhe i ndihmon dhe mbron të drejtat e tyre.

Sa e rëndësishme është drejtësia për All-llahun e Plotfuqishëm tregon citati i mëposhtëm:

Përfundimi i çdo zullumi (padrejtësie) është fatal, ndërsa përfundimi i drejtësisë dhe barazisë është i lavdërueshëm, prandaj thuhet: “All-llahu do ta ndihmojë qeverinë e drejtë, qoftë edhe jobesimtare, e nuk do ta ndihmojë qeverinë e padrejtë, edhe nëse janë musliman. (Ibën Tejmije)

Përshtati: Lutfi Muaremi

[Islampress.ch]