Thirrje për zgjim!

731

Ne nuk e dimë se ku na pret vdekja. Andaj le ta presim kudo. Mendimi paraprak për vdekjen, do të thotë, mendim paraprak për lirinë. (Michel de Montaigne)

Njëra ndër temat tabu të epokës moderne, gjithsesi është edhe vdekja.

Duke shikuar rreth e rrotull, ne vërejmë se vdekja është gjithkund përreth nesh, vazhdimisht është duke ndodhur, dhe çdo materie e ka jetëgjatësinë e saj. Edhe pse përkohshmëria e jetës është aq e dukshme, shumica e njerëzve këtë temë e injorojnë, duke menduar se me harresë dhe injorim, do t’i ikin pashmangshmërisë së vdekjes. Gjatë jetës njeriu lidhet me të mirat materiale, me profesionin e tij, me familjen; edhe pse e din se asgjë nga këto nuk do t’i merr me vete në botën tjetër. Atëherë lind frika e vdekjes, sepse shpesh duke fituar të mira materiale kalimtare të kësaj bote, njeriu nuk vepron në përputhje me Islamin. Ta pyesim vetveten, sa shpesh ne mendojmë për vdekjen? A e dimë se Zoti ynë na e ka dhënë jetën dhe vdekjen për të na sprovuar, që ne ta dëshmojmë sinqeritetin tonë në bindje ndaj Tij, duke u përpjekur që në çdo moment të veprojmë në përputhje me rregullat e fesë sonë. Është e qartë, se për të gjithë ne vdekja është e pashmangshme, por ne ende jemi të pakujdesshëm.

Zoti ynë që na ka krijuar, Ai edhe do të na vdesë. Për ta rregulluar jetën tonë në bindje ndaj Allahut, është e domosdoshme që shpesh ta kujtojmë vdekjen. Kur ta pranojmë faktin, se gjatësia e jetës sonë është e kufizuar, atëherë krejt kohën tonë do ta shpenzojmë duke e rregulluar jetën tonë, në atë mënyrë, që ta përmbushim qëllimin e jetës dhe ta fitojmë kënaqësinë e Zotit tonë. Të preokupuar me turbo ritmin e kësaj bote, shpesh na ndodh që çështjet me rëndësi vendimtare t’i vendosim në fund të listës së prioriteteve. Kur ta ndërtojmë vetëdijen për vdekjen, atëherë krejt natyrshëm, shumë më ndryshe do t’i vendosim prioritetet në jetën tonë.

Është e domosdoshme, që çdo ditë ta bëjmë kontrollin e veprimeve tona ashtu që – me ndihmën e Allahut – momentin e vdekjes ta presim të gatshëm.

Transmetohet se i Dërguari savs ka thënë:“I mençur është ai që e përllogarit vetveten dhe punon për botën që vjen pas vdekjes, kurse i dobët është ai që jepet pas epsheve dhe shpreson së koti në Allahun.”(Ahmedi, 4/124)

Askush prej nesh nuk e di se kur do t’i ndodhë vdekja. Ajo që ne dimë është se në Ditën e Gjykimit të gjithë do të ringjallen në gjendjen në të cilën kanë vdekur. Në çdo moment të jetës sonë të përkohshme, duhet të kujdesemi për mënyrën se si e kalojmë atë moment. A është ajo që ne po bëjmë tani veprim me të cilin Zoti ynë do të jetë i kënaqur! Nëse jo, atëherë ta lëmë atë. Le të jetë kjo një pyetje që ne e pyesim veten çdo ditë. Ne po mashtrohemi me të nesërmen, dhe çdo ndryshim po e lëmë për ditën e nesërme. Nesër do të falemi, nesër do të agjërojmë, nesër do të japim sadaka, nesër do të bëhemi besimtarë më të mirë … nesër, nesër, nesër !!! Dhe kush na ka garantuar se ne do ta presim ditën e nesërme?! Zoti ynë, na paralajmëron për pakujdesinë tonë:

E, shiko! Kur të vijë shpirti në fyt,

– dhe thërret: A ka shërues?

– dhe ai do të bindet se ai është çasti i ndarjes

– dhe këmba me këmbën lidhen,

– atë ditë do të sillet të Zoti yt:

– Ai nuk ka besuar dhe nuk ka falë namaz,

– por ka mohuar dhe është shmangë,

– e pastaj ka shkuar te të afërmit (familja) e tij, duke u krenuar.

– Mjerë për ty! Mjerë për ty! – E, përsëri: Mjerë për ty! Mjerë për ty!

– Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa obligime (pa përgjegjësi)?

– A s’ka qenë njeriu së pari pikë fare (sperme) që hedhet lehtë,

– pastaj u bë gjak i trashë, nga i cili, Allahu, e krijoi dhe e përsosi.

– Dhe, prej tij i bëri çiftet: mashkullin e femrën,

– e, vallë, Ai krijuesi, a nuk ka fuqi edhe t’i ngjallë të vdekurit? (el-Kijame, 26-40)

Askush prej nesh nuk dëshiron që të vdesë duke bërë mëkate. Kujtimin e afërsisë së vdekjes duhet ta kuptojmë si thirrje për zgjim. Qëllimi përfundimtar dhe destinacioni ynë është xheneti dhe veprimet që na çojnë te kënaqësia e Zotit tonë. Është qenësore, që duke e marrë vdekjen si motivim për punë, që nga ky moment, të fillojmë të bëjmë vepra të mira, të cilat janë pasuria e vetme, të cilën e marrim me vete. Kurani dhe Sunneti i Pejgamberit (savs), na japin udhëzime se çka saktësisht duhet të bëjmë, që nga lindja deri në vdekje, dhe si të reagojmë në situata të caktuara.

Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë:“Njëra nga mënyrat më të mira të jetës, është jeta e njeriut i cili i mban frerët e kalit të tij në rrugën e Allahut. Sa herë që dëgjon ndonjë zhurmë apo thirrje, ai i kërcen në shpinë dhe shkon atje i gatshëm për të luftuar ose për të vdekur. Pas kësaj, është jeta e bariut i cili jeton me bagëtinë e tij në një lartësi apo luginë, e fal namazin, e jep zekatin, i bën ibadet Zotit të tij deri në vdekje dhe vazhdimisht bën vepra të mira.”(Muslimi)

I lutemi Allahut të dashur, që të na e lehtësojë të jetojmë në përputhje me udhëzimin e Tij, dhe vazhdimisht të na forcojë në atë udhëzim deri në vdekjen tonë! Amin!

Përkthim: Miftar Ajdini