Pyetje: A shpërblehet një njeri që e merr kamatën nga banka dhe pastaj atë e shpenzon për bamirësi?
Përgjigje nga Dr. Jusuf el-Kardavi:
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.
Ai nuk do të shpërblehet me shpërblimin e bamirësisë, por do të shpërblehet nga dy aspekte tjera:
Së pari: Në këtë mënyrë ai pastrohet nga pasuria haram, dhe nga përdorimi i asaj pasurie për veten e tij në çfarëdo mënyre qoftë, dhe për këtë ai do të ketë shpërblim te Allahu i Plotfuqishëm.
Së dyti: Me këtë veprim ai bëhet ndërmjetës i dobishëm për shpërndarjen e këtyre parave deri tek njerëzit e varfër dhe te shoqatat islame të cilat përfitojnë prej tyre, kështu që ai për këtë do të ketë shpërblim, me vullnetin e Allahut.