– Ibadet më i mirë është ai që e kryeni derisa jeni të shëndoshë dhe lakmues për pasuri
Falënderimet janë për Allahun e Madhërishëm, Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.
Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dhe dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin gjithmonë me të, është rob i Allahut dhe është i Dërguari i Tij i fundit.
Hutbeja e sotme titullohet: “Ibadet më i mirë është ai që e kryeni derisa jeni të shëndoshë dhe lakmues për pasuri”
Vëllezër të dashur!
Transmetohet nga Ebu Hurejre (r.a.), se tek i Dërguari i Allahut (savs), erdhi një njeri dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, për cilën sadaka është shpërblimi më i madh?” I Dërguari i Allahut (savs), u përgjigj: “Shpërblimi më i madh vjen për sadakanë që e jep derisa je i shëndoshë dhe je lakmitar (për pasuri), ndërsa ke frikë nga varfëria dhe shpreson në pasuri. Mos prit që shpirti yt të të arrijë në fyt dhe pastaj të thuash: “Unë atij njeriu i jap kaq dhe kaq, kurse këtij tjetrit i jap kaq dhe kaq”, sepse atëherë pasuria jote i përket tjetërkujt.” (Muttefekun alejhi)
Përkushtojuni ibadetit derisa jeni me shëndet dhe forcë të plotë, para se të ju pengojë nga ibadeti sëmundja dhe rraskapitja. Shijoni sexhdet derisa jeni të fortë dhe të shëndoshë. Vini ballin tuaj të rinj në tokë para Madhërisë së Allahut, para se ndonjëri prej jush të detyrohet të falet duke u ulur në karrige, dhe nuk mund të bëjë sexhde të plotë, përveçse me një lëvizjeje të lehtë dhe simbolike të kokës përpara.
Është e vërtetë se Allahu i pranon edhe sexhdet e tilla, sepse ndoshta ai që falet në karrige bën sexhde të sinqert me zemër dhe të gjitha organet e tij, edhepse nuk e vë ballin në tokë, por ibadeti në gjendje të shëndetit dhe forcës së plotë është më i dashur tek Allahu i Plotfuqishëm.
Është e natyrshme të pritet që sëmundja njeriun ta bëjë të përulur dhe ta afrojë me Allahun, por ai që është i shëndoshë dhe me fuqi të plotë, duhet të zgjedh vullnetarisht të bëjë sexhde dhe kur të ngritet për namaz të thotë: “O Allah, unë bie në sexhde për Ty dhe e vendos ballin tim në tokë para madhërisë Tënde, pavarësisht preokupimit dhe mendimit për gjëra të tjera (të kësaj bote), edhe zemra ime është e përulur dhe e penduar para Teje, pavarësisht thirrjeve të pasioneve rinore.”
Shijojeni haxhillëkun derisa jeni të shëndoshë dhe të fortë, bëni tavaf rreth Qabes dhe sa’j ndërmjet Safas dhe Merves në këmbë, hidhni gurët tek xhemeratet në Mina me duart tuaja, para se dikush prej jush të detyrohet që tavafin rreth Qabesë dhe sa’jin midis Safas dhe Merves ta bëjë i ulur në karrocë, dhe para se të detyrohet ta dërgojë dikënd për t’i hedhur guralecat në Mine në vend të tij.
Është e vërtetë se Allahu i pranon ibadetet nga robi i Tij në pajtim me aftësitë dhe mundësitë e tij. Ai që bën tavaf rreth Qabes ulur në karrocë, të cilën e shtynë dikush tjetër, dhe e bën tavafin me zemër dhe me të gjitha organet, ndoshta vërtet e përjeton atë ibadet, por kënaqësinë e ibadetit kur njeriu është i shëndoshë dhe i fortë, dhe kur personalisht i kryen të gjitha ritet e përcaktuara, nuk mund ta zëvendësojë asgjë.
Agjëroni dhe shijojeni ibadetin e agjërimit derisa jeni të fortë dhe të shëndoshë, para se të befasoheni nga sëmundje të ndryshme, nga tensioni i lartë i gjakut, nga diabeti, nga ulçera e stomakut etj., dhe atëherë do t’ju duhet të paguani fidjen për ditët e humbura të agjërimit të ramazanit, dhe të shpresoni që t’i ktheheni së shpejti jetës normale, për të agjëruar edhe agjërim vullnetar, dhe jo vetëm agjërimin obligativ të ramazanit.
Është e vërtetë se Allahu e pranon pagesën e fidjes për agjërim, nga mëshira e Tij ndaj besimtarëve, por është ndjenjë e dhimbshme, që një besimtar ta pengojë sëmundja nga ndonjë ibadet i caktuar, kurse ai nuk i përkushtuar atij ibadeti kur ishte i ri, derisa ishte i shëndoshë dhe i fortë. Gabojnë ata që mendojnë se të moshuarit pushojnë dhe janë rahat, sepse nuk duhet të agjërojnë, dhe ju atyre mjafton që për ditët e humbura të agjërimit ta paguajnë fidjen simbolike. Pasha Allahun, muslimanët që nuk mund ta agjërojnë ramazanin për shkak të sëmundjes, ata ndiejnë vuajtje dhe dhimbje të papërshkrueshme.
Shijojeni ndarjen e sadakasë dhe bamirësisë derisa jeni të shëndoshë dhe të fortë. Nëse do t’i shpenzoni edhe një mijë rroga për veten dhe familjen, nuk do të ju mjaftojë, sepse kërkesat e jetës janë të shumta dhe gjithnjë e më shumë ka luks në jetën tonë. Mirëpo, gjithçka zhduket dhe kalon, kurse sadakaja mbetet. Andaj, mësohuni që të ndani, qoftë edhe një pjesë të vogël të rrogës në emër të sadakasë, ashtu siç ndani për shërbimet komunale dhe shpenzime të tjera. Mos u bëni nga ata që mbledhin dhe grumbullojnë pasuri, sepse trashëgimtarët tuaj me siguri do ta marrin atë pasuri, kurse ju për të në Ditën e Gjykimit do të jepni llogari.
Mos e pritni momentin e pafuqisë dhe rënies në shtratin e sëmundjes në fund të jetës, atëherë kur nuk ju duhet pasuria, dhe atëherë të thoni: “Unë atij njeriu i jap kaq dhe kaq, kurse këtij tjetrit i jap kaq dhe kaq”
Është e vërtetë se Allahu e pranon sadakanë në çdo rast, por ka dallim të madh midis atij që jep sadaka kur edhe vetë ka nevojë për atë pasuri, dhe midis atij që është në fund të jetës, kur nuk i nevojitet pasuria, dhe vetëm atëherë bëhet i vetëdijshëm dhe i mençur.
O Allah! na ndihmo që ibadetet ndaj Teje t’i kryejmë duke qenë të shëndoshë dhe të fortë, e mos të presim të na ndodh ndonjë e papritur dhe pastaj, edhe pse duam, nuk do të jemi në gjendje t’i kryejmë!
O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!
O Zot, na bëj prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!
O Zot, na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!
O Zot, fali dhe mëshiroji prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët na e sollën dritën e Islamit! Kurse fëmijët dhe pasardhësit tonë bëji prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!
O Zot, na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë!
Përshtati: Miftar Ajdini