Që të mbetemi edhe më tutje ramazanli…

1062

Hfz. Mehas Alija

“Thuaj: “Vetëm mirësisë së All-llahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata”.” (Junus, 58)

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: Ai që agjëroi ditët e Ramazanit dhe më pas vijoi edhe me gjashtë ditët e shevalit, është sikur të ketë agjëruar gjithë vitin”. (Hadith, Muslimi)

Të nderuar vëllezër e motra, besimtarë të respektuar!

Jemi gati një javë pas Ramazanit dhe ende nuk mund t’i harrojmë mbresat që la ai në shpirtrat tanë.

Ditët që kaluan na treguan se kështu, edhe ditët dhe vitet në vijim do të kalojnë. Momentet e veçanta, ditët dhe muajit e bekuar, na ofrojnë shanse që t’i kthehemi Krijuesit dhe të fitojmë shpërblime të posaçme.

Çdo ditë e bekume për ne është e këndshme dhe e mirëseardhur, por ditët dhe netët më të mira i patëm në muajin të cilin e përcollëm dhe për të cilin, nga ndarja prej tij, ndiejmë mërzi.

Lumët ai që me gjithë qenien e Tij iu përgjigj Zotit të vet, duke i thënë: “T’u përgjigja o Zot, t’u përgjigja. U ula në sofrën e mirësive të Tua, në iftar dhe në syfir, qëndrova i përkulur përpara vendimeve të Tua, o më i Miri i të mirëve. Ti na mësove me teravi, na ofrove me shokë të mirë, dhe na mësove se sa e çmueshme është liria. E sa shumë ka prej robërve të Tu që nuk i ndjejnë këto kënaqësi. Ne turpërohemi përpara Tej, o Zot, sepse prej Teje kemi shumë, e nuk e dimë se sa ofrojmë dhe bëjmë ne për Ty.”

Të nderuar besimtarë!

“All-llahu ia dhuron besimin atij që e do”, kështu thotë një thënie e Pejgamberit tonë të dashur, dhe vërtetë, këtë e dëshmuam gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Ndërsa tani, kur e kemi përcjellur atë, dua t’i ndaj me ju, për në fund, edhe këto porosi:

Ne mendojmë dhe besojmë se tash e tutje kemi hapur një faqe të re të jetës, andaj le të kemi kujdes se çfarë do të shkruhet në të. Ne besojmë fuqishëm se Zoti i Madh na ka falur dhe na ka mëshiruar gjatë netëve dhe ditëve të bekuara që i përcollëm. Tani, në ditët e pas Ramazanit, shajtanët janë të lirë dhe do të mundohen që ta kompensojnë atë që nuk patën mundësi ta bëjnë gjatë muajit të Ramazanit.

Porosia e tjetër është që të vazhdojmë me vepra të mira, sepse shenja që tregon se Zoti i ka pranuar ato është vazhdimësia më tutje në punë të mbara dhe vepra të dobishme.

Që të mbetemi edhe më tutje ramazanli, Pejgamberi jonë na ka njoftuar se me agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Sheval, pra në muajin që tashmë kemi hyrë, e arrijmë vlerën sikur të kishim agjëruar një vit të tërë. Qëndrimi te punët e mira dhe veprat e dobishme do ta forcojnë edhe më shumë istikamen, gjegjësisht qëndrueshmërinë tonë në fe. Nëse do të mbesim edhe më tutje te rruga që e dëshiron All-llahu, atëherë dijeni se kemi arritur lumturinë e kësaj bote dhe shpëtimin e botës tjetër. Ramazani shkoi, por kanë ngelë agjërimet nafile, namazet, Kur’ani, haxhi, familja, prindërit, shoqëria e mirë, xhamia, leximi, studimi, puna e ndershme, amaneti, etj. Mbase një ditë edhe këto mbarojnë, sikur gjithçka tjetër, dhe do të ngelim vetëm me All-llahun, Atij i qofshim falë.

Një dijetar thotë: “Agjërimi ynë është i suksesshëm, për aq kohë sa ne do t’i sjellim sukses bashkësisë sonë”, respektivisht xhamisë sonë, gjuhës, kulturës dhe popullit tonë.

(Pjesë nga hutbeja e xhumasë, 06.05.2022, xhamia El-Hidaje, St.Gallen)