O SA BUKUR ËSHTË TË KESH NJË VËLLA,
POR EDHE MË BUKUR ËSHTË, KUR E NDJEN SE VËLLAI YT TË KA NË SHPIRT …
O sa bukur është të kesh një vëlla, por edhe më bukur është, kur e ndjen se vëllai yt të ka në shpirt. Por akoma më bukur është kur e din se vëllezërit e tu nga feja jetojnë në harmoni.
Shpirtin e ke të qetë dhe rahat kur i sheh se vëllezërit e tu shikohen me buzëqeshje; kur vëllezërit e tu duhen dhe respektohen; kur për njëri-tjetrin flasin bukur; kur njëri-tjetrit ia ruajnë shpinën; kur njëri-tjetrit ia ruajnë fytyrën dhe nderin; kur vëllezërit së bashku luftojnë për liri kundër armikut të përbashkët; kur nuk ka kufij mes tyre as në kokë e as në tokë; kur vëllezërit ndihmohen në punë të mira e të dobishme; kur vëllezërit ulen në tryezën e tyre të lirë, dhe kur ecin dorë për dore në vendin e tyre të lirë.
O sa bukur është kur vëllezërit kuptohen duke u shikuar; kur i përgjigjen njëri-tjetrit me shenjë; kur vëllezërit janë gëzim dhe lumturi për njëri-tjetrin; kur vëllezërit janë vëllezër jo vetëm nga lindja, por edhe nga bindja!
O sa bukur tingëllon kjo thirrje hyjnore: Ata që janë sinqerisht besnikë ndaj Allahut, janë sinqerisht besnikë ndaj vëllait, sepse „besimtarët janë vëllezër“. Ata janë të cilët kapen fort pas litarit të Allahut … Të cilët litarin e Allahut nuk e lëshojnë me asnjë kusht… Të cilët janë të lidhur me dashuri vëllazërore dhe me harmoni vëllazërore … Të cilët e dinë se në litarin e Allahut e kanë suksesin në këtë botë dhe shpëtimin në botën tjetër …
O sa keq është kur nuk ke vëlla, por edhe më keq është kur e ndjen se vëllai yt nuk të ka në shpirt. Por akoma më keq është kur e din se vëllezërit e tu nga feja jetojnë në armiqësi. Shpirtn e ke të shqetësuar dhe parahatuar kur e sheh se vëllezërit e tu shikohen përmes nishanit (të pushkës); kur vëllezërit e tu nuk duhen dhe nuk respektohen; kur për njëri-tjetrin flasin gjëra të shëmtuara; kur njëri- tjetrit ia ngulin thikën pas shpine; kur njëri-tjetrit ia nxijnë fytyrën dhe nderin; kur lirinë e tyre të përbashkët ia dorëzojnë armikut të tyre të përbashkët; kur vendosin kufij kundër njëri-tjetrit në kokat e tyre dhe në tokat e tyre; kur vëllezërit nga feja i hakmerren njëri-tjetrit; kur duhet të sakrifikohet një vëlla për të mbijetuar vëllai tjetër; kur vëllezërit ulen në tryeza të huaja dhe ecin nëpër tokat e huaja, duke kërkuar sukses dhe shpëtim kundër vëllait të vet.
O sa keq është kur vëllezërit nuk kapen për litarin e Allahut. Ata atëherë nuk janë vëllezër nga feja… Ata atëherë janë armiq të njëri-tjetrit nga mosbesimi… Ata rrezikojnë të vdesin si jomuslimanë, edhe pasi që ju është thënë:
O besimtarë! – druajuni Allahut ashtu si duhet t’i druani dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!
O sa keq është kur më pyesin se në cilën anë jam unë? Çfarëdo që të them rrezikoj që të akuzohem si jovëlla i ndonjërit nga vëllezërit e mi. Dhe unë nuk dua të jem jovëlla i asnjërit nga vëllezërit e mi nga feja. Si ta pres një gisht e të mos ndjej dhembje në tërë trupin? Si të heq dorë nga ndonjëri kur në shpirtin tim e mbaj çdo vëlla, i cili në shpirtin e tij mbart La ilahe il-lAllah, Muhamedun Rasulullah? Si ta shikoj keq vëllain tim, kur armiku im mua më shikon shtrembër? Si mund të jem në anën dikujt, nëse jam menjanuar dhe vuaj pikëllim e dhimbje që vëllezërit e mi po luftojnë kundër njëri-tjetrit për interesat e të tjerëve? Unë nuk dua dhe nuk mundem jë jam palë e askujt përveç palës në rrugën e Allahut, e ajo është rruga e vëllazërisë dhe harmonisë! Prandaj, unë i pyes vëllezërit e mi nga feja:
Në cilën anë jeni ju?
O sa bukur do të ishte sikur ta merrja një përgjigje precize për pyetjen e mësipërme.
Teorikisht, përgjigja nuk është e vështirë, por në praktikë është e vështirë të përgjigjem, sepse vëllezërit e mi nga feja kanë ra në një krizë të thellë, të thellë si deti, nga e cila nuk dinë si të notojnë deri te bregu i shpëtimit. Asnjë litar i cili ju ofrohet nuk është shpëtimtar për ta, përveç njërit, dhe ai është litari i Allahut, për të cilin duhet të kapen të gjithë dhe kështu të shpëtojnë nga asfiksimi individual dhe përmbytja e ummetit. Litarët e huaj të cilët ju ofrohen për të shpëtuar, jo vetëm që nuk janë shpëtimtarë, por ata janë të rrezikshëm sepse i shtyjnë vëllezërit e mi edhe më thellë dhe më larg në humnerën e pasigurisë së ummetit.
A janë vëllezërit e mi të vetëdijshëm për këtë?
O sa do të isha i lumtur sikur ta pres Bajramin në festën time boshnjake, të cilës i kthehem përsëri për festën time… Po them, o sa do të isha i lumtur sikur të dëgjoja se paqja ka ardhur, se po mbretëron harmonia, se litari i Allahut është shtri deri te duart e të gjithë vëllezërve të mi nga feja, se vëllezërit e mi janë si një shpirt, si një ummet, i cili din çka dëshiron, i cili në ramazan ka përjetuar pastrim nga të gjitha ato të e ndajnë dhe dobësojnë …
Oh, sa bukur do të ishte sikur vëllezërit e mi nga feja t’i kuptojnë dhe pranojnë këto fjalë të Allahut: Dhe, me të vërtetë, ky besim juaji – është i vetmi besim (unik); e, Unë jam Zoti juaj, andaj druani prej Meje (mos bëni keq)! (el-Mu’minune, 52)
O Allahu Fisnik, vetëdijësoje ummetin tim, ktheja besimin e sinqertë dhe lidhe me litarin Tënd të pazgjidhshëm …
O Allahu i Mëshirshëm, Ji Ti me ne edhe kur ne nuk jemi me Ty, për hir të mëshirës Tënde, për hir të faljes Tënde, për hir të çlirimit Tënd nga dënimi i zjarrit në muajin Tënd ramazan, në të cilin na e ke zbritur fjalën Tënde të fundit, në Natën e begatshme Lejletul Kadër, e cila është më e mirë se një mijë muaj! Amin!
Autor: Dr. Mustafa Ceriq
Përshtati: Miftar Ajdini