Pse i justifikojnë fëmijët në gjithçka, vetëm për t’i bërë të kënaqur?

456

Shejh Ali Tantavi

Pas masave shtrënguese dhe vështirësive në të cilat jemi rritur ne, kemi ardhur në një gjendje të atillë, që për fëmijët tanë kemi frikë nga pasojat e masave shtrënguese, dhe, madje për ta kemi frikë edhe nga gjendjet e natyrshme siç është uria dhe përgjumja.

Ne i furnizojmë ata me ushqim të bollshëm, i lëmë të bëhen përtacë e të flenë, nuk i zgjojmë për namaz, nuk i ngarkojmë me asnjë përgjegjësi nga keqardhja për ta. I bëjmë të gjitha punët në vend të tyre, ua hapim rrugët e rahatisë, e prishim gjumin tonë për t’i zgjuar ata saktësisht kur na kanë thënë, që të mund studiojnë dhe të përgatiten për provim.

Çfarë lloj edukate është kjo? Cili është mëkati ynë që duhet ta mbajmë edhe përgjegjësinë tonë edhe të tyren? A nuk jemi edhe ne njerëz si ata, dhe kemi mundësi dhe energji të kufizuara?

Fëmijët tanë i edukojmë me varësi, dhe mbi të gjitha me egoizëm.

Nuk është e drejtë që nëna t’i kryejë detyrat e fëmijëve të saj, ndërsa ata të ulen dhe të shikojnë.

Të gjithë kanë një pjesë të përgjegjësisë. Allahu i ka bërë fëmijët tanë shpresën dhe ngushëllimin tonë, dhe ata i ka urdhëruar që të jenë respektues ndaj nesh. Kurse ne i përmbysëm gjërat, dhe u bëmë ne ata që shprehim keqardhje dhe dhembshuri ndaj fëmijëve në çdo situatë, në mënyrë që ata të jenë të kënaqur me ne.

Ky lloj i edukatës i bën fëmijët, veçanërisht djemtë, që t’i humbasin ndjenjat e tyre për të tjerët, përfshirë edhe nënën dhe babanë e tyre, kështu që ai nuk sheh asgjë të keqe, që të pushojë në kurriz të pagjumësisë dhe punës së tyre të vështirë.

Dhe pyes veten: Çfarë problemi ka nëse fëmija yt merr përgjegjësi?

Çfarë problemi ka nëse ai punon dhe fiton, e pastaj ndien edhe siklet dhe lodhje?

Kjo botë është shtëpi e mundimit, e lodhjes, e telasheve dhe e sprovave, dhe nuk ka shpëtim nga sprovat dhe mundimi për ta arritur fitoren dhe suksesin.

Prandaj, një nënë e mençur e lë fëmijën e saj të vogël që t’i durojë disa vështirësi, e ndihmon me drejtimin e saj dhe e mbështet me emocionet e saj, në mënyrë që ai të forcohet dhe të bëhet i aftë që vetë të përballet me përgjegjësitë e tij.

Përkthim: Miftar Ajdini