Bajrami i Kurbanit

1361

الله أكبر ، الله أكبر ، لاَ إلَهَ إلاَّ الله ، وَ اللهُ أكبر ، الله أكبر ، و لله الـحمد . اَلْـحَمْدُ لله الَّذي جَعَلَ الْكَعْبَةَ قِبْلَةً لِلأَنَامِ . وَ فَضَّلَ يَوْمَ اْلأُضْحِيَّةِ عَلَى سَائِرِ اْلأَيَّامِ . وَ جَعَلَ عِيدًا لِـجَمِيعِ أَهْلِ اْلإسْلاَمِ . وَ أَمَرَ الْـحُجَّاجَ بِلِسَانِ نَبِيِّ الْهُمَامِ . فَقَالَ ذُو الْجَلاَلِ وَ اْلإكْرَام: ” فَإذَا أفَضْتُمْ مِنْ عَرَفَاتٍ فَاذْكُرُوا اللهَ عِنْدَ الْمَشْعَرِ الْحَرَام” * تكبير*

 سُبْحَانَ خَالِقِ النُّفُوسِ وَ اْلأَنْفَاسِ وَ كَاشِفِ الْـهُمُومِ وَ الْغُمُومِ وَ اْلوَسْوَاسِ . الَّذي جَعَلَ اْلكَعْبَةَ قِيَامًا لِلنَّاسِ * تكبير*

 سبحانَ مُفَتِّحِ أَبوَابِ التَّوْفِيقِ . وَ مُوَضِّحِ الْأَسْبَابِ لِمَنْ هُوَ في ضِيقٍ . الذي شَرَّفَنَا بِيَوْمِ عَرَفَةَ وَ الْعِيدِ وَ أَيَّامِ التَّشْرِيق. * تكبير*

نَشْهَدُ أنْ لاَ إلهَ إلاَّ اللهُ الْعَزِيزُ الْـحَكِيمُ . وَ نَشْهَدُ أنَّ سَيِّدَنَا مُـحَمَّدًا عَبْدُهُ وَ رَسُولُهُ. صَاحِبُ اللُّطْفِ وَ الْكَرَمِ وَ الْإِنْعَامِ . وَ الصلاةُ وَ السلامُ عَلىَ هَذاَ النَّبِيِّ وَ عَلَى آلِهِ وَ أصْحَابِهِ وَ أنْصَارِهِ إلَى يَوْمِ يُبْعَثُونَ .

Xhemat të nderuar, vëllezër besimtarë!

Madhërimi është vetëm për Allahun. Allahu është më i madhi! Allahu është më i madhi! Allahu është më i madhi! Allahu është më i madhi dhe vetëm Atij i përket falënderimi.

Falënderua qoftë Allahu – atij i qofshim falë – Krijuesit tonë të dashur që na e ka bërë Qabenë vend drejtim tonin dhe kible. Që e ka dalluar ditën e kurbaneve mbi të tjerat duke e bërë atë festë të madhe gjithë islame. Ai nëpërmjet gojës së Pejgamberit Ibrahim – siç na mëson Kurani – i ka urdhëruar haxhilerët, që pasi të qëndrojnë në Arafat, ta përmendin dhe ta madhërojnë Allahun duke thënë  الله أكبر .

I lartësuar është Ai që na nderoi neve me Ditën e Arafatit, me festën e Bajramit dhe me ditët e tekbiri teshrikut (prej sabahut të natës së bajramit deri ditën e katërt me ikindi = 23 kohë të namazit).

E përkujtojmë me respekt të madh Pejgamberin tonë të dashur Muhamedin paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, mbi shokët e familjen e tij, mbi luftëtarët dhe mbarë besimtarët që ndjekin rrugën dhe mësimet e tij.

Të nderuar vëllezër besimtarë,

Çdo vit, dy muaj pas bajramit të parë, muslimanët anekënd botës festojnë edhe Bajramin e Kurbanit. Bajrami i Kurbanit është njëra prej dy festave të mëdha vjetore të muslimanëve. Kjo festë është në ditën e 10 të muajit të fundit lunar nga kalendari hixhrij, muaji i quajtur dhul-hixhe. Ky muaj, është njëri prej 4 muajve të shenjtë në kalendarin islam.

Nga tradita e Pejgamberit (savs), mësojmë se këta 4 muaj të shenjtë janë: dhul-kade, dhul-hixhe, muharrem dhe rexheb…”

Për veçantinë e këtyre 4 muajve njëri prej dijetarëve të parë të muslimanëve, Katade (r.h.) thotë: “Veprat e mira kanë më shumë shpërblim në muajt e shenjtë, por edhe zullumi në to është mëkat më i madh se sa ai që bëhet në muajt tjerë, edhe pse zullumi në çdo rast është mëkat i madh.”

Pra, përveç asaj se muslimanët duhet gjithmonë të kryejnë vepra të mira, ata nëse i bëjnë ato në këtë muaj, shpërblimi ju shumëfishohet dhe poashtu, muslimanët përveç se nuk duhet t’i bëjnë zullum as vetes e as të tjerëve, në çdo ditë e në çdo muaj, ata duhet të kujdesen në veçanti, që të mos bëjnë padrejtësi gjatë këtyre muajve. Përkundrazi besimtarët porositen që të kryejnë sa më shumë vepra të mira dhe të pëlqyera fetare.

Veçoria është edhe më e qartë në traditën që përcillet nga Ibn Abbasi (r.a.) se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Nuk ka ditë, në të cilën veprat e mira janë më të dashura tek Allahu sesa këto ditë. E ato janë 10 ditët e muajit dhul-hixhe”.

Në këto ditë dhe në ditën e Bajramit të Kurbanit, muslimanët i kryejnë dy ibadete të dalluara: haxhllëkun dhe therjen e kurbanit.

Haxhillëku është vizita që i bëhet Qabesë në Mekë dhe është një prej kushteve të Islamit. Por obligim është vetëm për ata që i plotësojnë kushtet për ta kryer atë. Kryerja e haxhillëkut është obligim vetëm një herë në jetë për muslimanin apo muslimanen moshërritur, që ka mundësi materiale dhe shëndetësore për të shkuar atje. 

Deri sa haxhillëku është një ibadet më i rrallë, therja e kurbaneve si ibadet i ligjshëm dhe simbol i dukshëm fetar, është gjë që mund të ofrojnë edhe muslimanët mesatarisht të pasur. Definicioni i Kurbanit në legjislacionin islam është: emërtim i përgjithshëm për kafshët (deve, lopë ose dhen) që theren në ditën e Bajramit dhe në tre ditët më pas, si vepër e afrimit tek Allahu. Kafsha e cila caktohet për kurban duhet të jetë në moshë të caktuar, delja ose dashi të jetë mbi 6 muaj, kurse lopa mbi dy vjet. Gjithashtu, kafsha e caktuar duhet të jetë e shëndoshë, dhe me të gjitha pjesët e trupit. Një dele apo dash vlen si kurban për një familje, kurse një lopë vlen për 7 familje. (…)

Kurbani duhet të theret pas faljes së namazit të bajramit dhe është e pëlqyer që kafsha të kthehet kah kibla, thika me të cilën theret duhet të jetë e prehur mirë, kafsha të rehatohet, dhe nëse ka më shumë kurbane në një vend, që ato mos të shohin therjen e njëri-tjetrit.

Krejt kjo është nga mirësia ndaj kafshëve me të cilën është i porositur muslimani si pjesë e gradës së bamirësisë.

Sa i përket çështjes së ndarjes së mishit nga kurbani, ajo është e gjerë, dhe, edhe pse lejohet që një njeri ta ndal tërë mishin për vete ose ta dhuron tërë mishin, është më e pëlqyer që ndarja të bëhet në tre pjesë nga të cilat 1/3 për familjen, 1/3 për të varfrit dhe 1/3 për miqtë dhe fqinjët. 

Të shumta janë fjalët e shkruara për urtësinë e kësaj sakrifice nëpër literaturën e bujshme, shumëshekullore islame ku tregohet se përveç asaj se si çdo ibadet edhe kurbani është afrim për tek Allahu, në të ka edhe shtim të bereqetit në sofrën e Bajramit, dhe se me këtë, bereqeti përhapet dhe arrin edhe në sofrën e të varfërve dhe nevojtarëve. E fjala më e mirë në lidhje me këtë është fjala e Allahut të Lartëmadhërishëm:

“Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj, që ju ta madhëroni Allahun sepse ju ka udhëzuar. Dhe, jepu lajmin e mirë punëdrejtësve!” (el-Haxhxh, 37)

Ibrahimi, ky babai ynë

Bajrami dhe therja e kurbaneve i përkujton muslimanët në një rrëfim të vërtetë. Rrëfimin mbi Ibrahimin (a.s.) dhe gatishmërinë e tij për të sakrifikuar edhe djalin e vet si nënshtrim ndaj urdhrit të Zotit. Gjithsesi kjo sprovë marramendëse ka qenë gjithmonë një mësim dhe shëmbëlltyrë për muslimanët se si duhet pasur kujdes në raportet e tyre me Zotin. Vetëm me ndihmën e Tij, një njeri i rregullon raportet ndërnjerëzore, ndër to edhe ato ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Ibrahimi emërtohet si babai ynë, ngase ai është babai i besimit. Zoti nga mëshira e Tij e pakufishme ia zëvendësoi djalin Ismailin me një dash si shpagim: “Ne e shpaguam atë me një kurban të rëndësishëm.” (Saffat: 107)

Që prej asaj kohe muslimanët therin kurbane duke e zbatuar urdhrin e Allahut dhe e ngjallin në vete kujtimin për historinë e sakrificës. Kjo gatishmëri për sakrificë nuk përshkruhet me fjalë, nuk pikturohet as nuk ilustrohet, ajo kuptohet vetëm prej brenda dhe çdo besimtar e përjeton sprovën e vet, gjithsesi më të vogël se ajo e Ibrahimit, duke qenë i gatshëm për të sakrifikuar diç, kur din se ky është urdhër i Allahut, Krijuesit të Gjithëdijshëm.

Vëllezër të respektuar – (Dita e bajramit):

Në vetë ditën e bajramit, muslimani duhet të gëzohet dhe ta përçojë gëzimin edhe tek të tjerët. Një musliman që orvatet t’i pajtojë njerëzit për ditën e bajramit, që ua shtyn shlyerjen e borxhit njerëzve që i kanë borxh atij, që ua jep rrogën me kohë punëtorëve të tij dhe ju jep dhurata për bajram, që u ndan mish të kurbanit dhe ushqim nevojtarëve dhe të varfërve, në mënyrë që edhe ata të mund të përgatiten për bajram, është njeriu që e përçon gëzimin e bajramit tek të tjerët.

Edhe pse gëzimi i vërtetë i tij do jetë kur ta merr shpërblimin nga Allahu në botën tjetër për këto vepra të tij të mira dhe të pëlqyera.

Pos gëzimit, bajramin e karakterizon edhe urimi dhe vizita e bërë farefisit dhe miqve.

Pas kryerjes së namazit të bajramit, muslimani gjatë kësaj dite vazhdon të jetë në atmosferën festive edhe me shqiptimin e tekbireve dhe me përmendjen e emrit të Allahut. 

E lusim Allahun e Madhërishëm, që të na bëjë prej atyre që bajramet i presin dhe i përcjellin duke qenë të udhëzuar kah e dobishmja dhe e vërteta.

Allahu na i faltë mëkatet dhe na i pranoftë të gjitha veprat e mira!

Për hajr e me fat  ju qoftë Bajrami i Kurbanit!

Përshtati: Miftar Ajdini