Hutbeja e ditës se Arafatit dhe Kurbanit

1484

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka zot tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Besimtarë të nderuar!

Dalëngadalë po i përfundojmë ditët më të çmuara të vitit, ditët, domethënia e të cilave është vërtetë madhështore. Jemi afër fundit të ditëve, të cilat janë shumë të rënda dhe thuajse të pa përballuara për shejtanin dhe pasardhësit e tij të mallkuar, në njërën anë, dhe janë ditë shprese, artikuluese të fuqisë, forcë mbledhëse, ditë krenarie dhe gëzimi, në anën tjetër për besimtarët. Jemi pikërisht në Ditën së Arafatit, ditë kjo e cila e pikëllon shumë shejtanin e mallkuar. Imam Maliku transmeton nga Talha b. Ubejdullah (r.a.), se Pejgamberi (savs) ka thënë: „Shejtani asnjëherë nuk është parë më i poshtëruar, përzënë, nënçmuar dhe hidhëruar se sa në Ditën e Arafatit me përjashtim të Ditës së Bedrit. Kjo për faktin se ai sheh zbritjen e mëshirës së Allahut dhe faljen e mëkateve të mëdha të robërve prej Tij.“

Jo vetëm ai, por edhe këta shejtanët në formë njeriu, edhe këta le të dëshpërohen ngase mëshira e Allahut të Madhëruar kurrë nuk ka për t’i braktisur besimtarët. Ajo, që edhe më shumë e shton dëshpërimin e shejtanit dhe jobesimtarëve, politeistëve, ateistëve, komunistëve, shekullaristëve, laicistëve, natyralistëve, etj. është se, nëse Bajrami i Ramazanit shënonte fillimin e misionit islam, Dita e Arafatit së bashku me Ditën e Bajramit të Kurbanit shënojnë suksesin spektakular dhe të padiskutueshëm të përmbylljes së misionit islam. Në këtë ditë zbriti ajeti:

“… Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…” (El-Maide, 3).

Pastaj, përkujtimi se kjo ditë është dita e besëlidhjes ndërmjet njeriut dhe Allahut të Madhëruar se askënd përveç Tij, në asnjë forme dhe në asnjë mënyrë, nuk do ta adhurojnë, është po kështu një grusht i rëndë për të gjithë ata që i përmendëm më sipër.

(…)

Xhemat të dashur!

Ne, po ashtu, këto ditë do të shënojmë këtë festë edhe me therjen e kurbanit – apo sakrificës për hir të Allahut të Madhëruar. Historiku i Kurbanit, apo thënë më mirë i Ibrahimit me të birin Ismailin (a.s.), reflekton edhe esencën e tij. Kurbani nuk theret pse Allahu i Madhëruar ka nevojë për të. Larg asaj, i pastër nga të metat është Allahu ynë. Kurbani theret që kjo festë shumë e madhe dhe jashtëzakonisht e rëndësishme të mos lënë pa i gëzuar edhe fukaranë. Mu për këtë Allahu i Madhëruar thotë:

“Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj.” (El Haxh, 37)

Po kështu, me këtë ajet kuranor iu kundërvihemi edhe atyre që vuajnë për kafshë dhe çdo vit, me rastin e haxhit, shfaqin dhimbjen e tyre se me miliona kafshë po theren. Këta njerëz të mjerë shumë më mirë do të kishte qenë sikur të ishin ankuar për kurbanet e gjinisë njerëzore, që po ndodh vitet e fundit, kryesisht, në vendet islame; Palestinë, Afganistan, Irak dhe së fundi në Siri që kanë humbur jetën jo më me qindra, por me miliona njerëz. Shumë prej tyre janë duke vuajtur edhe për një kafshatë bukë. Askush nuk po e ngre zërin për ta, madje as muslimanët.

Mendoj se kjo hutbe, edhe pse është përgatitur të jetë e shkurtër për shkak të refrenit “s’kemi kohë”, megjithatë nuk do të ishte zgjatur nëse përmendim edhe disa bindje të gabuara rreth kurbanit. Kurbani nuk ndahet në gjini. Besimi se kurbani femër nuk vlen për mashkullin dhe se kurbani mashkull nuk vlen për femra është besëtytni. Kafsha për kurban nuk bën të jetë e verbër, e çalë, e sëmurë, apo me brirë të thyer a veshë të prerë. Po kështu, kurban për të vdekur nuk ka. Therja e tij natën e bajramit është vetëm një mish i rëndomtë dhe jo kurban. Kurbani theret vetëm për të gjallët dhe atë pas namazit të bajramit e jo më herët.

Vëllezër besimtarë!

Bashkësia Islame e Kosovës, respektivisht M. M. ”Alauddin” në Prishtinë me paralelet e saja në Gjilan e Prizren, edhe këtë vit organizojnë therjen e kurbaneve. Çmimi i paraparë për këtë vit (2022) është 140 euro. Në mënyrë që porosite tuaja të kryhen sa më lehtë dhe në kohën e duhur, do të ishte mirë që pagesën ta bëni sa më shpejtë në Këshillat e Bashkësisë Islame.

Namazi i Bajramit falet në ora 5:43 kurse tekbiret fillojnë nga namazi i sabahut të Ditës së Arafatit, pra ditën e premte.

***

O Zot! Na furnizo me iman, udhëzim, devotshmëri, nder dhe pasuri! Na i hap dyert e mirësive Tua që nuk harxhohen kurrë. Na bë falënderues të mirësive dhe pranues të dhuntive Tua.

O Zot! Përmirëso muslimanët, bashkoji në një fjalë të vetme, ktheji kah feja, caktoju liderë të drejtë që ua shtojnë krenarinë e jo liderë që ushtrojnë dhunë dhe terror mbi ta.

O Zot! Mos lë brengë tonën pa na e larguar, mëkat pa na e falur, të sëmurë pa na e shëruar, të vdekur pa na e mëshiruar, borxh pa na e paguar, të sprovuar pa e çliruar, mëkatarë pa udhëzuar, të shtypur pa e përkrahur, zullumqar pa e udhëzuar e nëse refuzon atëherë mos e lë pa e shkatërruar!

O Zoti ynë! Ndihmoje Islamin dhe muslimanët! Ruana fenë ndërsa ata që bëjnë përpjekje për ta shkatërruar atë, shkatërroji Ti ata.

O Zot! Ne te lusim me emrin Tënd fisnik, që ta mëshirosh Muhamedin savs dhe familjen e tij si dhe të na dhurosh kënaqësinë Tënde dhe Xhenetin Firdevs.

O Zot! Na begato me fjalë e vepra që na afrojnë tek Xheneti dhe na vdis duke qenë robër të sinqertë me qëllime dhe vepra të mira. Amin!

Përshtati: (1) Miftar Ajdini

_______________________

(1) https://sedatislami.wordpress.com/tag/hutbe…