Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse salavati qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, mbi dëshmorët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi të gjithë njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.
Të dashur vëllezër!
Hutben e sotme po e fillojmë me një hadith të bukur dhe shumë udhëzues të Muhamedit (a.s.), i cili na paralajmëron për 5 mëkatet e njeriut të cilat e sjellin dënimin e Allahut qysh në këtë botë:
Transmetohet nga Abdullah Ibni Omeri (r.a.) se ka thënë: „I Dërguari i Allahut (savs) u kthye kah ne (sahabët) dhe tha:
“O ju grup i muhaxhirëve, i lutëm Allahut për mbrojtje nga 5 gjëra me të cilat njerëzit do të sprovohen, e që ju të mos i përjetoni: 1. Kurrë nuk do të paraqitet imoraliteti në mesin e njerëzve të cilët do ta bëjnë publikisht, e që Allahu të mos dërgojë që në mesin e tyre të shfaqen sëmundje ngjitëse të cilat nuk kanë qenë të njohura për brezat e tyre të mëparshëm; 2. Nuk do të fillojnë njerëzit të heqin dhe mashtrojnë në peshë dhe masë, e të mos i godas uria, skamja, krizat dhe padrejtësia e sunduesve të tyre; 3. Nuk do ta ndalojnë njerëzit dhënien e zekatit në pronën e tyre, e të mos u privohet shiu nga qielli, dhe po të mos ishin kafshët, shiu kurrsesi nuk do të binte; 4. Nuk do ta ndërpresin njerëzit lidhjen me Allahun dhe të dërguarin e Tij, e që Allahu të mos bëjë që mbi ta të sundojë armiku, i cili do t’ua rrëmbejë pasuritë që i kanë në posedim; 5. Dhe kur udhëheqësit e tyre nuk do të gjykojnë sipas Librit i Allahut, e do të zgjedhin vetëm diçka nga ajo që ka shpallur Allahu, Allahu do të bëjë që mes tyre të futen përçarjet dhe grindjet.” (Ibni Maxhe, Bejhekiu)
Në këtë hadith Pejgamberi (savs) i thekson 5 mëkatet e njeriut, të cilat do të shfaqen në këtë botë, dhe i paralajmëron shokët e tij mbi pasojat e rrezikshme që shkaktojnë dhe mbi dënimin që sjellin në këtë botë.
*****************
1. Kur të vijë koha dhe njerëzit të jepen pas imoralitetit, vjedhjes dhe formave të tjera të veseve, atëherë do t’i kapë ata dënimi i kësaj bote i cili do të manifestohet në formë të sëmundjeve të rënda infektive, të cilat nuk ishin të njohura për gjeneratat e mëparshme. Dhe me të vërtetë, sot ne jemi dëshmitarë të vërtetësisë së fjalëve të Pejgamberit tonë. Ne jemi dëshmitarë të kohës në të cilën është shfaqur një krizë e paparë morale në të cilën gjithnjë e më thellë po zhytemi. Marrëdhëniet intime jashtëmartesore të paligjshme janë bërë masivisht të pranishme jo vetëm në vendet e Evropës Perëndimore dhe Amerikë, por edhe këtu në mesin tonë, në mesin e atyre që e konsiderojnë veten e tyre muslimanë.
Për fat të keq, ne po jetojmë në një kohë të mendjeve të sëmura, të errësuara me kufër dhe mosbesim. Pas të gjitha marrëdhënieve imorale jashtëmartesore, ngadalë me protesta pothuajse të padukshme të grupeve të vogla të njerëzve normalë, në mjedisin tonë po legalizohen martesat mes homoseksualëve. Dhe për më tepër, çfarëdo protestë kundër këtyre përbindëshave konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut! Natyrisht, për të drejtat e njerëzve normalë, për të drejtat e fëmijëve tanë për të jetuar në një mjedis normal, askush nuk flet. Se sa larg mund të shkojë vetëdija e ndyrë njerëzore, na flasin edhe dy fakte, të cilët do t’i theksojmë për të marrë mësim (ibret).
Në fakt, dua të them se në shumë vende të Evropës „së civilizuar”, veçanërisht në vendet skandinave, edhe kisha vetë në mënyrë legale kryen kurorëzimin e homoseksualëve. Institucioni i cili do të duhej të mbrojë ligjin hyjnor, të shprehur përmes Ungjillit ka lejuar që në tempujt e saj (në kisha) të lidhen martesa të tilla. Natyrisht, të gjitha këto flasin për prishjen (degjenerimin) e njerëzve të kohës sonë.
Dhe gjëja tjetër, që është ndoshta edhe më e keqe, është lejimi i adoptimit të fëmijëve nga ana e përbindëshave homoseksualë. Çfarë do të jenë ata fëmijë që rriten në familje të tilla, vetëm mund të imagjinojmë.
Përveç marrëdhënieve jashtëmartesore dhe homoseksuale, ne jemi dëshmitarë të një abuzimi të madh të fëmijëve të mitur, madje edhe nga prindërit e tyre. Jam i sigurt që me mosbesim keni dëgjuar dhe shikuar përbindëshin austriak i cili për vite e kishte mbajtur të mbyllur vajzën e tij, e cila i kishte lindur atij disa fëmijë.
Dhe pas të gjitha këtyre, njerëzit mëkatarë, këto krijesa të vogla të Allahut, të cilëve u është besuar halifati në Tokë, kryejnë marrëdhënie seksuale edhe me kafshët. Vërtetë është për të mos besuar! Por kjo është Evropa të cilën ne pandërprerë jemi duke e synuar. Kjo është një shoqëri e premtuar për neve shqiptarët muslimanë dhe për popujt tjerë të vegjël e të varfër. Mos u befasoni kur të dëgjoni se një nga parakushtet për hyrje në Bashkimin Evropian është njohja e homoseksualëve dhe gjoja të drejtat e tyre të njeriut.
Pas gjithë kësaj, si dënim i kësaj bote dhe paralajmërim, Allahu i Plotfuqishëm bën që të paraqiten sëmundje të rënda ngjitëse, si aidsi, sifilizi, gonorreja … të cilat ishin të panjohura për vetë gjyshërit tanë dhe paraardhësit e tyre. Janë tmerruese të dhënat se çdo ditë nga këto sëmundje, sëmuren dhe vdesin mijëra njerëz në botë. Për fat të keq, në mesin e tyre, një numër i madh i fëmijëve, pa asnjë faj, nga nënat e tyre me lindje e trashëgojnë sëmundjen. Deri kohët e fundit, kjo sëmundje ishte e huaj për neve muslimanët, dhe kur flitej për të, kishim ndjenjën se e gjithë kjo po ndodh në një tjetër planet. Por sot situata ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Sot ne shpesh dëgjojmë se në vendin tonë ka një numër të konsiderueshëm të njerëzve të infektuar me këtë virus. Allahu i dashur na ruajt nga kjo sprovë.
*****************
2. Lloji i dytë i mëkatit i përmendur në këtë hadith të Pejgamberit (savs) është mashtrimi gjatë matjes dhe peshimit. Mënyrat e ndryshme të mashtrimit të njerëzve dhe matjes së shtrembër për pasojë kanë urinë, varfërinë dhe padrejtësinë e sundimtarëve.
Allahu i Plotfuqishëm, duke folur për këtë, në Kuran thotë: “Mjerë për ata që kur matin – mungojnë, – Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë, – E, kur t’iu masin të tjerëve me litër ose me kandar – ju pakësojnë.” (el-Mutaffifin, 1-3)
Njerëzit mendjelehtë të mashtruar me vesvese të shejtanit mendojnë se me heqje dhe mashtrim do t’i sigurojnë vetes fitim më të mirë dhe më të madh. Ata mendojnë se do të pasurohen nëse dikujt ia mohojnë të drejtën e tij. Ne jemi dëshmitarë të ujit në qumësht, të produkteve pa deklarata të sakta, apo edhe më keq, me peshore false të bëra me qëllim nëpër tregje apo dyqane. Ka kaluar koha e njerëzve të ndershëm të cilët blerësit ia kanë paraqitur edhe lidhësen e këputur të këpucëve, për çka edhe këpucët janë shitur më lirë se zakonisht. Por si pasojë e mashtrimit dhe matjes shtrembër me qëllim nuk ka pasuri dhe begati, por uri, varfëri, skamje dhe padrejtësi. Me të vërtetë pasuria haram, pa marrë parasysh sa është e madhe apo e vogël, nuk mund të rrisë pronën e njeriut, por përkundrazi ajo e shkatërron atë.
*****************
3. Më tutje, Pejgamberi (savs) thotë se shmangia e urdhrit të Allahut për dhënien e zekatit shkakton thatësirë, e cila, përsëri shumë e dëmton vetë njeriun. Zekati është shtyllë e Islamit dhe është e paimagjinueshme që muslimani të bëjë koprraci apo mos ta japë zekatin, nëse është i obliguar për ta bërë këtë. Mirëpo, tregimi ynë për zekatin në këto troje mbetet në atë se zekati është shtyllë e Islamit, por megjithatë, pavarësisht nga fakti se është shtyllë apo themel i Islamit, shqiptarët masovikisht i shmangën këtij institucioni, duke menduar se do të varfërohen nëse e ndajnë atë pjesë që nuk u takon atyre. Këtë pohim e konfirmon numri (i vogël) i atyre që çdo vit e japin zekatin ashtu siç kërkon Allahu prej tyre. Dhe besoni, ata që e japin janë shumë më pak sesa që mund ta imagjinojmë. E atëherë mund të pyesim, po a besojmë ne në Allahun dhe në premtimet e Tij?!
Dhe mos të harrojmë se thatësirat që po i shkatërrojnë të mbjellat janë pasojë e koprracisë sonë dhe e mëkateve tona, kurse Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Kurrsesi le të mos mendojnë ata se është mirë për ta që bëhen dorështrënguar e koprracë me dhuntitë që ua ka dhënë Allahu atyre; jo, kjo është keq për ta. Padyshim, koprracia do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kiametit. Të Allahut janë trashëgimi i qiejve dhe i Tokës, dhe Allahu e di mirë çka punoni ju.” (Alu Imran, 180)
*****************
4. Çështja e katërt që Pejgamberi (savs) e ka përmendur në hadithin e sotëm është shkelja e marrëveshjes të cilën e kanë lidhur shpirtrat tonë me Allahun e Plotfuqishëm, Krijuesin e qiejve dhe të Tokës dhe gjithçka që ekziston. Dhe vetëm ta përkujtojmë se shpirtrat tanë janë zotuar për bindje dhe besnikëri të pakushtëzuar ndaj Allahut të Plotfuqishëm
Dhe sa herë që muslimanët e kundërshtojnë marrëveshjen me Krijuesin e tyre dhe për sundues suprem marrin dikë tjetër përveç Allahut, atëherë Allahu do të bëjë që mbi ta të sundojë armiku i jashtëm, i cili do t’ua merr pasurinë, nderin dhe dinjitetin.
Sa herë populli ynë është bindur se kjo është e vërtetë?
Sa herë që e kanë harruar Allahun, Pejgamberin e Tij dhe Kuranin, dhe sa herë për këtë arsye e kanë humbur pasurinë e tyre, e kanë humbur jetën e tyre dhe janë çnderuar para syve të më të afërmve?
Lufta e fundit në vendin tonë dhe në popullin tonë është shembulli më i freskët i kësaj për të cilën jam duke folur sot. E kemi harruar Zotin dhe kemi përjetuar katastrofë të paparë.
*****************
5. Dhe e fundit për të cilën na ka paralajmëruar Pejgamberi ynë (savs) përmes këtij hadithi janë grindjet dhe përçarjet të cilat do të shfaqen në mesin e muslimanëve. Sigurisht se edhe kjo vjen si pasojë e mëkateve tona. Kryesisht për shkak të mos respektimit të rregullave kuranore, duke zgjedhur atë që na përshtatet dhe duke refuzuar atë që nuk na përshtatet. Kurse grindjet dhe përçarjet mes muslimanëve janë më të këqija edhe se armiku i huaj. Këtë kemi mundur ta ndjejmë shumë herë. Kurse Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Thuaj: “Ai është i fuqishëm t’ju ndëshkojë prej së larti ose nën këmbët tuaja, ose t’ju ndajë në grupe, e njëri-tjetrit t’ia tregoni fuqinë (në luftë në mes veti). Shih si ua shpjegojmë Na dokumentet, që të kuptojnë ata!” (el-En’am, 65)
Në fund, i lutemi Allahut të Plotfuqishëm që të përfitojmë nga hutbeja e sotme, dhe ajo të na jetë dëshmi për ne në Ditën e Gjykimit, e mos të jetë dëshmi kundër nesh. Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini