Transmetohet se njëherë Imam Shafiu, kishte diskutuar me një dijetar për një çështje të paqartë dhe të komplikuar. Ata nuk po mund të pajtoheshin, debati kishte zgjatur, saqë kishin mbetur pa zë, por asnjëri nuk po mund ta bindte tjetrin në mendimin e vet. Në fund u duk sikur ky dijetari u zemërua, u mbyll në vetvete, por kur e mbaruan shoqërimin (ndejën), dhe kur ky deshi të dalë, Imam Shafiu u kthye kah ai, e kapi për dore dhe i tha: “A nuk është normale që për diçka të mos pajtohemi, por ne të mbetemi vëllezër?”
Në një rast, disa dijetarë erdhën për të biseduar me halifin, dhe njëri prej tyre filloi ta citojë një hadith. Njëri prej të pranishmëve, i çuditur, e pyeti:
“Çfarë është ky hadith? Si ke arritur tek ai? Po gënjen për të Dërguarin e Allahut?”
Ai u përgjigj: “Ky është hadith autentik.”
Por ky përsëri kundërshtoi: “Jo, këtë hadith unë as nuk e kam dëgjuar as nuk e kam mësuar!”
Aty, në mesin e tyre, ndodhej një nëpunës i mençur i halifit, i cili u kthye kah dijetari dhe në heshtje e pyeti:
“O hoxhë i nderuar, a i di ti të gjitha hadithet e Pejgamberit savs përmendësh?”
Jo, u përgjigj ai.
“A i di së paku gjysmën e tyre?” Vazhdoi nëpunësi.
Ndoshta, u përgjigj ky.
“Atëherë, mendoje se ky hadith është nga ajo gjysma që ti nuk e di!” E këshilloi dhe kështu e zgjidhi problemin.
Fudajl ibn Ijadi dhe Abdullah ibn Mubareku ishin shokë të pandashëm dhe të dy ishin dijetarë të devotshëm.
Një ditë u ndanë, Abdullahu shkoi në luftë, kurse Fudajl mbeti në harem (Qabe) ku falej dhe bënte ibadet. Një ditë u pikëllua dhe i rrodhën lotët. U ul në harem, bëri ibadet dhe u përmallua për shokun e tij. Iu kujtua se si së bashku e bënin dhikër Allahun. Pastaj ia shkroi një letër Abdullahut, në të cilën e luti që të kthehet e të bëjnë ibadet në harem, të bëjnë dhikër dhe të lexojnë Kuran. Kur e lexoi Abdullahu këtë, e mori një copë letër dhe ia shkroi këtë përgjigje Fudajlit:
Ti që po bën ibadet në harem, nëse na sheh neve do ta kuptosh se ibadeti juaj është lojë. Dikush e lag fytyrën e tij me lot, ndërsa gjokset tonë janë të ngjyrosur me gjak! Dikush kalin e tij nuk e lodh aspak, ndërsa kuajt tonë qysh në agim janë të lodhur. Juve ju vjen aroma e shafranit, ndërsa ne pluhurosemi dhe na mbulon pluhur devotshmërie. Tek ne kanë arritur fjalët e Pejgamberit savs, të sakta dhe të vërteta, dhe nuk janë gënjeshtra. Nuk është i njëjtë pluhuri në hundën e njeriut që Allahun e lartëson, dhe tymi i zjarrit që flakëron. Këto janë fjalët e librit të Allahut, që mes nesh ligjërohen, se shehidi kurrë nuk është i vdekur, dhe kjo nuk mohohet.
Pastaj vazhdoi:
Ka besimtarë të cilëve Allahu i Madhërishëm ju ka dhënë mundësi që të agjërojnë, kurse disa të tjerë nuk janë në gjendje këtë ta bëjnë. Ka të atillë që ju ka dhënë mundësi Kuranin ta lexojnë, ndërsa disa të tjerë janë në pozitë që shkencën ta studiojnë. Disa kanë mundësi në luftë që të shkojnë, e disa që namaz natën të bëjnë. Prandaj, ajo që bën ti nuk është aspak më e mirë sesa ajo që bëj unë. Por nga ana tjetër, as ajo që bëj unë nuk është më e mirë se ajo që bën ti. Pra, të dy ne jemi duke vepruar mirë. Allahu i Madhërishëm thotë: Dhe, Zoti yt krijon ç’të dojë dhe Ai zgjedh; e, ata (adhuruesit e idhujve), nuk mund të zgjedhin. (el-Kasas, 68)
Ja si ishin metodat e sahabëve.
Me një rast jobesimtarët ishin mbledhur për t’u nisur në luftë kundër muslimanëve në Medine. Arabët deri atëherë nuk kishin parë ushtri aq të fortë dhe të madhe. Muslimanët e hapën një kanal të cilin jobesimtarët nuk mund ta kalonin e të hynin në Medine, për këtë arsye ata e ngritën kampin e tyre në anën tjetër të kanalit. Në Medinë n’atë kohë jetonte fisi hebre Benu Kurejdha i cili ju thurte intriga muslimanëve. Dhe ata ju ofruan ndihmë jobesimtarëve. Pas disa ditëve të vështira, Allahu i Madhërishëm e dërgoi një stuhi të fortë dhe i dërgoi ushtarët e Tij kundër jobesimtarëve, të cilët edhe u shpartalluan. Kështu ata, të poshtëruar filluan të tërhiqen në shtëpi. Pejgamberi (savs) u tërhoq nga Hendeku dhe u nis për Medine.
Muslimanët i deponuan armët dhe shkuan në shtëpitë e tyre, edhe Pejgamberi (savs) shkoi në shtëpinë e tij, i la armët dhe e lau trupin.
Rreth mesditës, i erdhi Xhibrili a.s. dhe e thirri, Pejgamberi (savs) u ngrit dhe shpejt doli i frikësuar.
A i paske deponuar armët o Dërguari i Allahut? E pyeti Xhibrili, kurse Pejgamberi (savs) ju përgjigj: Po!
Xhibrili i tha: “Melekët ende nuk i kanë deponuar armët e tyre. Ne i kemi ndjekur ata deri në Hamre, tash prej aty po kthehem. Allahu i Madhërishëm ju urdhëron që të shkoni te fisi Benu Kurejdha dhe t’i mposhtni! Edhe unë po shkoj në drejtim të tyre!“
Atëherë Pejgamberi (savs) e urdhëroi tellallin dhe ai i thirri njerëzit.
Pejgamberi (savs) ju tha: “Kush është i dëgjueshëm dhe i bindur, ikindinë e fal vetëm kur të vjen te Benu Kurejdha!”
Sahabët i morën armët, duke shprehur dëgjueshmërinë dhe bindjen dhe u nisën për te kalaja e fisit Kurejdha. Hyri koha e ikindisë, por ata ende nuk kishin mbërritur. Njëri prej tyre tha: “Nuk do të falemi deri sa të mbërrijmë te Benu Kurejdha!”
Tjetri e kundërshtoi dhe tha: “Jo, jo, por ne do të falemi, askush prej nesh me ty nuk është dakord!”
Në këtë mënyrë ai deshi t’i bindë edhe të tjerët që të falen menjëherë, dhe kështu një grup prej tyre u falen dhe më pas vazhduan rrugën. Grupi tjetër e shtyri faljen e namazit të ikindisë për më vonë, dhe e falen te Benu Kurejdha. Në lidhje me këtë rast e lajmëruan Pejgamberin (savs), por ai nuk e qortoi asnjërën nga këto dy grupe të sahabëve.
Pastaj Pejgamberi (savs) e rrethoi kështjellën e fisit Benu Kurejdha, dhe në fund, i mposhti me ndihmën e Allahut.
Paramendoni se si sahabët janë ndarë në mendime, por kanë mbetur vëllezër, dhe mosmarrëveshjet nuk i kanë çuar që të bëjnë rrëmujë apo të grinden!
Nëse i trajtojmë njerëzit kështu me bujari, me qetësi, me zemërgjerësi, do të bëhemi të preferuarit dhe të dashurit e tyre, por çka është edhe më e rëndësishme, do të bëhemi edhe të dashurit e Allahut të Plotfuqishëm. Grindja është një e keqe e madhe.
Mesazhi i tekstit:
Nuk është qëllimi që të pajtohemi, por qëllimi ynë është që mos të përleshemi.
Përshtati: Miftar Ajdini