Në xhenaze si tifoz!

984

Një njeri, musliman ka vdekur. Krejt jetën e ka kaluar me ne. Me disa e ka kaluar fëmijërinë, me disa rininë dhe pleqërinë, ndërsa me të tjerët e ka kaluar atë kohën e paraparë me ligj 40 vite të stazhit të punës. Dhe në fund vdes, vjen momenti i gjykuar kur meleku i vdekjes e kryen detyrën e tij të punës, marrjen e shpirtit, kurse pas tij mbeten familja, të afërmit, miqtë, kolegët e punës, fqinjët. Dhe a e dini çka është pikëlluese, të paktën unë si musliman kështu e shoh, një numër i mirë i shokëve të tij me të cilët e ka kaluar fëmijërinë e tij, rininë, pleqërinë, stazhin e punës, me të cilën e ndau të mirën dhe të keqën, nuk duan t’ia … falin xhenazen!!!!

Derisa imami të pranishmëve ua përkujton vdekjen dhe u flet për jetën e të ndjerit, të gjithë ata miqtë e tij, fqinjët, e madje edhe të afërmit, qëndrojë mënjanë dhe shikojnë. Çfarë shikojnë? Shikojnë se si janë rreshtuar në saff njerëzit që shokut, mikut, fqinjit të tyre shumëvjeçar t’ia falin namazin e xhenazes. Shikojnë me kujdes në largësi rreth 50 metra, hm… çka është e sigurt – e sigurt. Çfarë i pengon ata që të afrohen pak më afër, të qëndrojnë me muslimanët tjerë në saff?

E njëjta skenë përsëritet edhe në varreza derisa e varrosim të vdekurin. I kam shikuar ata njerëz dhe pozitat e trupit të tyre. Kryesisht janë tri qëndrime themelore që mund të shihen tek këta njerëz. Unë i kam quajtur “tifozë“, jo me keqdashje, por besoni, në bazë të sjelljes së tyre, vetëm ju mungojnë flamujt, boritjet dhe daullet;

Pozita e parë, e cila është shumë e shpeshtë, është që duart i kanë prapa shpinës, gati në prapanicë. Të relaksuar, të qetë, si qëndrimi i zakonshëm në tregje, në stacione etj.

Pozita e dytë, gjithashtu pozitë shumë e shpeshtë, është që duart e tyre janë të kryqëzuara në gjoksin e tyre. Dhe në qoftë se kësaj ia shtojmë edhe syzet e diellit, atëherë kjo jep përjetim të veçantë. Në këtë mënyrë, sikur të tregojnë ndonjë mosbindje, sikur nuk kanë frikë nga vdekja, sikur kurrë nuk do të vdesin dhe nuk do të vijnë në vendin e tij.

Pozita e tretë, të cilën shpesh e zënë “tifozët” derisa e shikojnë xhenazen, është, qëndrimi me duar në xhepa.

Në varreza, derisa ne e lëshojmë xhenazen dhe e mbulojmë me dhe, ata edhe më tutje janë anash, por ky nuk është fundi, atëherë në varreza e ndryshojnë pozitën e trupit. Kështu që mund t’i shohim me cigare në dorë. Po, derisa ne e varrosim të vdekurin dhe përpiqemi kush do të hedh më shumë dhe, ai bukur mënjanë i mbështetur në shtyllë, pinë cigare. Pastaj, pozitë mjaft e shpeshtë e trupit është të folurit në telefon celular. Ah vëllai im, rast dhe situatë ideale, në xhenaze për të kontraktuar punë, marrëveshje tregtie, bisedë me gruan. E pastaj biseda, shtrëngimi i duarve, të qeshura, mirëpo jo të zakonshme… Kur të gjitha i mbledh dhe i zbret, atëherë përse ka ardhur ky musliman? A ka ardhur që ta përcjell me nder dhe dinjitet shokun, mikun, fqinjin apo të afërmin nga fëmijëria, njeriun me të cilin e ka kaluar stazhin e punës, apo ka ardhur thjesht për ta parë njerëzit. Ka ardhur formalisht për ta parë njerëzit, por për shkak të mungesës së kulturës tij, e ka treguar fytyrën e vërtetë.

Shpesh në xhenaze vijnë edhe pjesëtarë të besimeve të tjera. Faleminderit atyre, dhe me të vërtetë, e për këtë jam dëshmitar, se me respekt më të madh sillen ata ndaj të vdekurit, se sa disa prej muslimanëve tonë. Unë e kuptoj, je ateist dhe rrinë anash, në rregull. Por ti që veten e konsideron musliman, japish selam, beson në Zot, shkon edhe për bajram në xhami dhe nuk do ta falësh xhenazen, kjo nuk më hyn në kokë. Cila është arsyeja? Injoranca, po a është problem dhe turp të konsultohesh me imamin lokal, dhe të mësosh ta falësh xhenazen. Sot, kjo të paktën është e lehtë, librat janë në dispozicion dhe interneti është përplot me to. A është arsyeja ndonjë siklet dhe turp që dikush nga shokët do të thotë: “Ja edhe ai ka filluar të qëndrojë në saff!” Shiko, unë mendoj se turpi më i madh është të qëndruarit anash, me duart në xhepa apo t’i kruash flokët.

Ata të cilët të përfolin pse ti qëndron në saff, mendo a kanë të drejtë, sepse në atë mënyrë ti ke treguar dinjitet në përcjelljen e mikut apo fqinjit të vdekur, ndërsa qëndrimi mënjanë pa asnjë arsye, gjithsesi duket i çuditshëm për të gjithë ata njerëz që qëndrojnë në saff, e sidomos për familjen e të vdekurit e cila e di se ju keni qenë shok të mirë. Mos është ndoshta në pyetje ndonjë inat apo princip? Ajo e jona klasike: “Kur po shoh krejt se kush po falen, unë valla nuk dua!” Lëre, secili falet për vete, në pyetje është fytyra, kultura islame e sjelljes, që në mënyrë të ndershme e me dinjitet ta përcjellësh shokun, mikun, fqinjin apo të afërmin për në botën më të mirë.

Unë shpesh kam qenë dëshmitar, që pas faljes së xhenazes, imami ju drejtohet njerëzve që rrinin anash, duke menduar se janë të feve të tjera, dhe ju thotë: “I falënderojmë fqinjët tanë dhe miqtë, anëtarë të feve të tjera, që kanë ardhur për ta përcjellë të vdekurin tonë me dinjitet.” “Tifozët” tonë atëherë i ulin kokat, ndoshta nga turpi, dhe duhet t’u vijë turp, sepse kjo sjellje arrogante ndaj fqinjit, shokut apo mikut të vdekur është dëshmi e mos seriozitetit total.

Ju bëj thirrje të gjithë muslimanëve të cilët për çfarëdo arsye nuk e falin xhenazen e miqve, fqinjëve dhe të afërmve të tyre, që këtë të fillojnë ta bëjnë. Nëse ti nuk di të falesh, mëso, në qoftë se e ke të papërshtatshme, thyej ato paragjykime të pa baza, në qoftë se këtë e bën për ndonjë inat apo parim, zbrit pak se edhe ty nesër do të falin. Mos i lejo vetes që nga distanca prej 50 metrash me duart në prapanicë, me telefon celular në dorë, ose duke qeshur, t’ia jep ‘nderimin’ e fundit mikut apo fqinjit tënd.

Shpesh më vjen në mendje rasti, kur ishte një xhenaze në një fshat, dhe, derisa njerëzit faleshin, një bashkëkombës yni nuk falej. Ishte mbështetur për gardhi i kthyer me shpinë, ndoshta i vinte keq që i ka vdekur shoku. Nejse, derisa e shikonte livadhin, aty kulloste një kalë i bukur. Derisa e shikonte, ai mendoi me vete: “O Zoti im, të gjithë po e falin xhenazen përveç meje dhe këtij kali.” Ai e kuptoi gabimin e tij ndaj të vdekurit, u turpërua dhe pastaj kërkoi nga Imami që ta mësojë se si falet xhenazja. Dhe çfarë duhet mësuar, vetëm të merret abdes dhe të këndohen katër tekbire, asgjë më shumë.

Unë nuk dua që këtë tekst dikush ta perceptoj si tallje apo nënçmim i atyre që qëndrojnë mënjanë gjatë xhenazes, JO, por thjesht për ta këshilluar njëri-tjetrin, për të treguar sjellje të mirë ndaj të vdekurit, sigurisht nëse e konsideron veten musliman dhe në qoftë se beson në Allahun e Plotfuqishëm. Të falemi, para se të na falin neve! (Saudin Cokoja/n-um.com)

Përkthim: Miftar Ajdini