Baraspesha midis shpirtit dhe trupit

1664

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është: Baraspesha midis shpirtit dhe trupit

Allahu i Madhërishëm thotë:

“Disa njerëz thonë: “Zoti ynë epna të mira në këtë botë!” Por për këta s’ka asnjë të mirë në ahiret. E, disa nga njerëzit thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë dhe në jetën tjetër! Dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!” Për veprat që këta kanë punuar ka shpërblim. – Se, Allahu, i bënë llogaritë shpejt.” (el-Bekare, 200-202)

Në një hadith thuhet: “Puno për botën tjetër sikur do të vdesësh nesër, dhe puno për këtë botë sikur do të jetosh përgjithmonë!”

Një njeri i devotshëm i quajtur Shekik el-Belhi niset në një udhëtim të gjatë me qëllim të tregtisë dhe fitimit. Para nisjes shkoi të përshëndetet me mikun e tij Ibrahim ibn Ed’hemin dhe i tha atij se në këtë udhëtim do të qëndronte më gjatë. Mirëpo, nuk kaluan vetëm disa ditë dhe ai u kthye. Kur e pa në xhami, Ibrahimi e pyeti me habi: “Pse je kthyer kaq shpejt?”

Shekiku u përgjigj: “Gjatë rrugës unë e pashë një gjë shumë të çuditshme, andaj vendosa të mos shkoj në rrugë!”

“Qoftë me hajr, çka paske parë?” – e pyeti Ibrahimi.

Shekiku e filloi tregimin e tij: “Duke udhëtuar u lodha, andaj vendosa të pushoj në një zonë të shkretë dhe shterpë. Aty vërejta një zog të verbër dhe të çalë, kështu që i thashë vetes: Si jeton ky shpend në këtë vend të largët, kur as nuk sheh dhe as nuk lëviz? Nuk kaloi shumë kohë kur aty fluturoi një zog tjetër, i cili i solli ushqim zogut të parë. Kjo u përsërit disa herë në ditë. Unë i thashë vetes: Ai që e furnizoi këtë zog të pafuqishëm në këtë vend të shkretë dhe shterpë, do të më furnizojë edhe mua! Dhe atëherë unë hoqa dorë nga udhëtimi dhe u ktheva!”

“Vërtetë je i çuditshëm, o Shekik” – i tha Ibrahimi.

– “Pse ke pranuar të jesh zogu i verbër dhe i çalë i cili jeton nga ndihmat e të tjerëve!?

– Pse nuk deshe të jesh zogu tjetër i cili përpiqet të merr ushqim për vete, e pastaj ju ndihmon edhe të verbërve dhe të pa aftëve!?

– A nuk e di ti që dora e sipërme është më e mirë se dora e poshtme!?”

Kur i dëgjoi këto fjalë Shekiku u ngrit dhe ia puthi dorën Ibrahimit.

Pastaj tha: “Ti je mësuesi ynë!”

Më pas iu kthye tregtisë dhe biznesit të tij.

Siç po shohim, Islami e inkurajon punën, jo mospunën. Njeriu që punon e ushqen edhe veten edhe të tjerët, ndërsa ai që nuk punon, i cili është përtac, ai nuk mund ta ushqejë as veten e tij, e lërë më të tjerët.

Të dashur vëllezër!

Ky parim vlen në disa vende normale, të rregulluara, por jo në Kosovë.

Pse ne jemi përjashtim? Sepse ata që janë duke na udhëhequr (politikanët, pronarët e bizneseve, punëdhënësit …), ata të cilët çdo ditë para masave rrahin gjoks se janë patriotë, se janë muslimanë, ata nuk kanë frikë as nga Allahu as nga shteti. Mund ta kam të qartë pse nuk kanë frikë nga shteti, sepse shtet pothuajse nuk ka, sepse po të kishte shtet, nuk do ta lejonte këtë zhvatje mbi popullin, por nuk e kam të qartë si nuk po frikësohen nga Allahu, i Cili në Librin e Tij të shenjtë thotë:

“Allahu, me të vërtetë, urdhëron që të veprohet me drejtësi, mirësi, t’u ndihmohet të afërmve, ndërsa e ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon që të pranoni këshillat.” (en-Nahl, 90)

Të drejtat e punëtorëve në Islam janë si vijon:

• Paga punëtorit duhet t’i jepet me kohë, sepse Pejgamberi savs ka thënë: “Jepni punëtorit pagën e tij para se t’i thahet djersa.” Te ne thahet edhe djersa edhe punëtori, por nuk i jepet paga, andaj për raste të këtilla Pejgamberi savs ka thënë:

“Në Ditën e Gjykimit unë do të jam kundërshtar i tre personave:

(1) i njeriut i cili ka premtuar diçka në emrin tim, por nuk e ka përmbushur;

(2) i njeriut i cili e shet një njeri tjetër të lirë, dhe

(3) i njeriut i cili e ka marrë një punëtor për t’i punuar me pagesë, dhe prej tij ka marrë çdo gjë që ka kërkuar, por nuk ia ka paguar hakun.”

• Lartësia e pagës duhet të jetë në nivel të arsyeshëm, d.m.th. të jetë e mjaftueshme që punëtorët dhe familjet e tyre të jetojnë një jetë dinjitoze dhe humane, sepse në Kuran thuhet: “Plotësoni matjen dhe mos u bëni nga ata që mungojnë (në matje)* dhe peshoni me terezi të drejtë * dhe mos ua pakësoni njerëzve gjërat e tyre, dhe mos bëni ngatërresa në Tokë.” (Shuara, 181-183)

A janë pagat dhe pensionet në Kosovë të mjaftueshme për një jetë dinjitoze dhe humane?

• Punëtori nuk duhet të ngarkohet me atë që nuk është në gjendje ta bëjë, sepse Pejgamberi savs ka thënë: “Kur të ndodhët i varfri te i pasuri kjo është sprovë; kur të ndodhet i dobëti tek i forti është sprovë; shërbëtori tek zotëria është sprovë, andaj zotëria le t’i frikësohet Allahut dhe mos ta ngarkojë me atë që nuk mund ta bëj, dhe nëse e ngarkon le t’i ndihmojë, dhe nëse diçka nuk bën, mos ta dënojë!”

• Respektimi i kontratave të nënshkruara, sepse Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë:

“O besimtarë! Plotësoni obligimet (marrëveshjet)!”

• Trajtimi i bukur i punëtorit, sepse Pejgamberi savs thotë: “Nuk do të hyjnë në Xhenet ai që sillet keq ndaj atyre që është përgjegjës, ndërsa i mallkuar është ai që muslimanit i shkakton dëm apo i bën intriga.”

Duke i respektuar të drejtat e mësipërme, ne e sigurojmë ndihmën e Allahut për veten tonë, sepse Pejgamberi savs ka thënë: “Ju me të vërtetë ndihmoheni dhe furnizoheni për shkak të të dobtëve mes jush.”

Mesazhi i kësaj ligjërate është ky:

Mos të lejojmë që për shkak të fitimit e biznesit ta humbim shpirtin, por as mos të lejojmë që gjatë kujdesit për shpirtin ta humbim kafshatën!

O Zot, na ndihmo që të bëhemi prej atyre që do ta ruajmë baraspeshën midis kërkesave të trupit dhe kërkesave të shpirtit dhe mos ta dëmtojmë asnjërën prej tyre!

O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!

Fali prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur, të cilët te ne e përcollën dritën e Islamit!

Fëmijët dhe pasardhësit tonë bëji prijës të umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!

Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në Xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini