Besimtari dhe milingona – vëzhgimi pasiv i krimit

511

Edhepse Allahu i Plotfuqishëm në shumë vende në Kuran e përmend vrasjen e ‎pejgamberëve, nuk ka përshkrim konkret për vrasjen e ndonjë pejgamberi:‎

“Ata që nuk besojnë në dokumentet e Allahut dhe i vrasin pejgamberët pa farë të drejte, e i vrasin edhe ata njerëz të cilët kërkojnë të veprohet me drejtësi, paralajmëroi me dënim të dhembshëm.” (Alu Imran, 21)

“…Sepse ata i mohonin argumentet e Zotit dhe i mbytnin pejgamberët pa farë të drejte…” (el-Bekare, 61)

Një përshkrim konkret i momentit kur një pejgamber duhej të vritej është në rastin e Ibrahimit ‎‎(a.s.), por Allahu e shpëtoi dhe kështu u shmang skena e vdekjes së një pejgamberi.‎

“(Mohuesit) thanë: ‘Digjeni atë (Ibrahimin) dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni të bëni ndonjë vepër!’ Ne, thamë: ‘O zjarr, bëhu i ftohtë dhe bëhu shpëtim për Ibrahimin!” (el-Enbija’, 68-69)

Kjo shmangie e skenës së vdekjes mund të shihet si një mënyrë kuranore për mbrojtjen dhe ‎respektimin e personalitetit të pejgamberëve.‎

Këtu do t’i kushtohet vëmendje një përshkrimi konkret të vrasjes, jo të vetë pejgamberit, por të ‎simbolit të asaj që ai përfaqësonte. Pejgamberi Salih (a.s.), iu dërgua popullit Themud, i cili ‎me popullin Ad janë përmendur më shpesh në Kuran, si shembuj të njerëzve të padrejtë të cilët ‎kanë bërë çrregullime në Tokë, për shkak të ndjenjës së superioritetit mbi të tjerët. Salihu ‎‎(a.s.), si edhe në rastet e pejgamberëve të tjerë, ka qenë shumë i respektuar në shoqëri, ‎derisa filloi t’i ftojë të tjerët për të bërë vepra të mira, për një mënyrë të drejtë të jetës dhe për ‎besim në Allahun e Plotfuqishëm:‎

“Ata thanë: “O Salih! Ti ke qenë shpresa jonë, para kësaj (fjale). A mos vallë, ti don të na ndalosh ta adhurojmë atë, që e kanë adhuruar prindërit tanë? Me të vërtetë, na jemi në dilemë, që na bën të dyshojmë në thirrjen tënde.” (Hud, 62)

Edhe sot, njeriu që është proaktiv, i cili tenton të ketë ndikim pozitiv në shoqëri mund të jetë i ‎ekspozuar ndaj kritikave dhe sulmeve në publik, dhe për shkak të parimeve dhe qëndrimeve ‎fetare, ta humbas statusin në shoqëri, të cilin e kishte më parë. Mirëpo, në rastin e Salihut ‎dhe pejgamberëve të tjerë, njeriu e kupton se respekti i vërtetë është ai që e fiton tek Zoti, jo tek ‎njerëzit. Populli Themud kërkuan nga Salihu që tu sjellë argument në formën e mrekullive ‎nëse me të vërtetë është pejgamber. Allahu i Plotfuqishëm ia dha një mrekulli, një shenjë të ‎pejgamberisë ia dërgoi një deve, e cila me madhësinë e saj, me pamjen dhe me sasinë e ‎qumështit, të cilin e prodhonte, shkaktoi frikë në mesin e njerëzve dhe ishte një mrekulli e ‎vërtetë. Ajo kishte të drejtën ta shfrytëzonte ujin e burimit, të cilin e shfrytëzonin edhe njerëzit ‎dhe kështu ajo jetoi deri në momentin kur ata vendosën që ta vrasin. Ata e vranë simbolin e ‎pejgamberisë së Salihut.‎

“Ata thanë: “Ti je vetëm njeri – nga të magjepsurit; (153) ti je vetëm njeri – ashtu si ne, andaj na sjell një mrekulli, nëse thua të vërtetën!” (154) (Salihu) tha: “Ja, kjo është deveja (dokument), – për të ka pije (uji) në ditë të caktuara; e për ju – në ditë tjetër të caktuar, (155) dhe mos i bëni kurrfarë të keqe asaj, se ju godet dënimi i Ditës së madhe! ‎‎(156) Por, ata – e therën atë, e pastaj u penduan, (157) dhe i goditi dënimi ata. Me të vërtetë, në këtë ka argument (këshillë), por shumica e tyre, nuk janë besimtarë, (158) e Zoti yt, me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe Mëshirues. (159)” (esh-Shuara, 153-159)

“Në qytet, kanë qenë 9 persona që bënin ngatërresa, e nuk vënin rregull.” (en-Neml, 48)

Mbytjen e kishte planifikuar një grup njerëzish, një person e kreu mbytjen, dhe pothuajse i ‎tërë populli me heshtje apo me shprehje të kënaqësisë e mbështeti mbytjen. Ky proces, i cili ‎çoi deri te mbytja, është model i mbytjeve të shumta në historinë e njerëzimit, prej të cilave ‎dikur janë vrarë miliona njerëz, si në rastin e përshkallëzimit të nazizmit, fashizmit dhe ‎ideologjive të tjera. Në mbretëritë, shtetet dhe shoqëritë e ndryshme gjithmonë një grup i ‎vogël njerëzish ka planifikuar dhe ideologjikisht ka udhëzuar individin apo individët që të ‎jenë kriminelë, ekzekutues, ata të cilët fizikisht do të kryejnë vrasje, ndërsa masat e gjera ‎popullore, për shkak të mungesës së arsimimit, por mbi të gjitha për shkak të pragmatizmit ‎dhe konformizmit, kanë qenë të dobëta dhe në këtë mënyrë tërthorazi i kanë mbështetur ‎vrasjet. I ngjashëm ka qenë rasti edhe në viset tona gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe ‎gjatë luftës së fundit.‎

Besimtari sikur që nuk guxon t’i lejojë vetes të jetë ideolog ose autor i krimit, po ashtu nuk ‎guxon të jetë indiferent për të keqen që planifikohet ose ekzekutohet në mjedisin e tij, në ‎shoqërinë dhe në shtetin e tij. Gjithashtu, nuk guxon për shkak të ndjenjës së përkatësisë së ‎një kombi apo në emër të interesave kombëtare t’i mbështesë vrasësit dhe kriminelët tjerë. ‎

Natyrisht, përveç vrasjeve, ekzistojnë edhe forma të tjera të krimeve, të cilat njeriu mund t’i ‎mbështesë me indiferencën e tij ose me mungesën e reagimit. Prandaj, si besimtar dhe ‎qytetar, ai nuk guxon të mbetet i pandjeshëm ndaj korrupsionit, ryshfetit, shfrytëzimit të ‎pushtetit dhe funksioneve, punësimit të padrejtë etj. Ndonjëherë mund të fitohet përshtypja ‎se njeriu me reagimin e tij nuk mund t’i ndalojë disa procese negative, mirëpo, për të është e ‎mjaftueshme që të reagojë në kuadër të mundësive të tij.‎

Ndoshta si një lloj anekdote e feve të shpallura, këtu mund të na shërbej si shembull nga ‎transmetimi i cili flet për milingonën e cila bartte ujë për ta shuar zjarrin e përgatitur për ‎Ibrahimin (a.s.). Derisa të tjerë e përqeshën dhe e pyetën pse ajo mendon se me të mund të ‎ndryshojë diçka, ajo u përgjigj se po e bën atë që të dihet se në anën e kujt është.

 //Elvedin Subašić; https://www.preporod.com//‎

Përkthim: Miftar Ajdini