“Çfarëdo që të jeni ju, ashtu do të jenë sundimtarët tuaj”

449

Duke pasur parasysh se ne shumë shpesh jemi në gjendje që t’i zgjedhim eprorët tanë në nivele të ndryshme dhe në segmente të ndryshme të jetës sonë të kësaj bote, e konsideroj të përshtatshme t’i përmendi disa shembuj në lidhje me këtë temë por që kanë bazë fetare.

Shprehja që shpesh përmendet në këtë kontekst është ajo që u theksua në titull, ku thuhet: “Çfarëdo që të jeni ju, ashtu do të jenë sundimtarët tuaj” (El-Kuda’i në ‘Musnedush-shihab’, 1/336 dhe Dejlemi në Musnedul-firdevs)

Një numër i dijetarëve e konsiderojnë hadith, edhe pse me sened të dobët, që nuk e përjashton korrektësinë dhe realitetin e tij në kohë dhe situata të ndryshme.

Kjo do të thotë, se Allahu i Plotfuqishëm bën që njerëzit të udhëhiqen dhe sundohen nga eprorët të varur nga vetë ata, dmth, çfarë ata me sjelljen e tyre e meritojnë. Në këtë kontekst, është edhe ajeti kuranor në të cilin Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“Që, kështu, Ne i japim pushtet disa zullumqarëve mbi të tjerët, për atë që kanë fituar ata.” (el-En’am, 129)

Kuptimi i këtij ajeti fisnik do të jetë: Sikur që grupi i prishur për shokë të tyre i morën xhinët të cilët i shpinë në mashtrim, ashtu Allahu do të bëjë edhe me zullumqarët, do t’i nënshtroi ndaj njëri-tjetrit, do ta shkatërrojë njërin me tjetrin, një grup do ta ndihmojë kurse ndaj një tjetri do të hakmerret, për shkak të padrejtësisë dhe dhunës që kanë bërë.

Pra, nëse janë të mirë të nënshtruarit, do të qeverisen nga ata që janë të mirë, ndërsa nëse ata nuk janë të mirë, atëherë edhe autoritetet do të jenë të këqijë.

Në një hadith, Pejgamberi savs thotë: “Kush i ndihmon tiranit, Allahu do të bëjë që ai të sundojë mbi të.” (Ibn Asakir)

Transmeton Seidi nga Katade, se ai duke e interpretuar ajetin e cituar më lart, ka thënë: “Allahu i Plotfuqishëm bën që njerëzit të shoqërohen ndërmjet veti në përputhje me përcaktimet dhe veprat e tyre, kështu që besimtari është mik i besimtarit kudo që të gjendet, ndërsa jobesimtari është mik i jobesimtarit kudo që të gjendet.”

Një poet ka thënë:

“Nuk ka asnjë dorë, e që dora e Allahut të mos jetë mbi të… dhe nuk ka asnjë tiran, e që të mos sprovohet me tiran më të madh se ai.”  (Tefsiri Ibn Kethirit, fq. 437)

Transmetohet se Hasan Basriu e kishte dëgjuar një njeri duke e mallkuar Haxhaxhin, dhe i kishte thënë: “Mos e bëj këtë, ajo pse ai është i tillë, fajin e keni ju vetë. Unë frikësohem, se nëse ndërrohet ai, të mos ju bëhen sundimtarë majmunët dhe derrat.” (Taberaniu)

Sahabiu i njohur Keab Ahbar r.a. ka thënë: “Në çdo kohë, Allahu i Plotfuqishëm i dërgon sundimtarët të cilët janë sikurse edhe pasuesit e tyre, nëse e kanë të përcaktuar mirë, ua dërgon ata që do t’i drejtojnë kah e mira, por nëse u është përcaktuar shkatërrimi, atëherë ua dërgon ata që do t’i shpijnë në shkatërrim.”

Transmetohet se Abdulmelik ibn Mervan njëherë u tha pasuesve të tij: “O njerëz, ju nuk jeni korrektë ndaj nesh (sundimtarëve), nga ne po kërkoni që të sillemi si Ebu Bekri dhe Omeri r.a., kurse ju nuk po veproni as nuk po silleni ndaj nesh, ashtu siç kanë vepruar Osmani dhe Aliu r.a. dhe sahabët tjerë.”

Gjithashtu përmendet thënia: “Njerëzit janë në fenë e sundimtarëve të tyre” që do të thotë, nëse sundimtari është i mirë dhe i drejtë, ashtu do të jenë edhe ithtarët e tij, dhe anasjelltas. Gjithashtu është e natyrshme që njerëzit t’i ndjekin sunduesit e tyre, ashtu që njerëzit i imitojnë dhe ndjekin eprorët e tyre në të mirë apo në të keqe. Edhe pse në shumë situata në histori, sundimtarët i kanë detyruar njerëzit që ta pranojnë fenë e tyre, pavarësisht a ka qenë e drejtë apo jo.

Është e njohur thënia: “Ajo që shihni të shëmtuar në kohën tuaj është nga ajo që keni bërë me veprat tuaja”.

Në këtë temë shpesh përmendet edhe kjo thënie: “Eprorët tuaj janë rezultat i veprave tuaja. Çfarë të jeni ju, të tillë do të jenë edhe eprorët tuaj.”

Ibn Kajjimi r.h. duke folur për këtë temë ka thënë: “Nga urtësia dhe hikmeti i Allahut është se ka bërë që sundimtarët dhe eprorët e popullit të jenë rezultat i veprimeve të njerëzve dhe vartësve, përkatësisht, që Allahu ka bërë që veprat e njerëzve të manifestohen nëpërmjet gjendjes së sundimtarëve të tyre. Prandaj, nëse njerëzit i përmbahen rrugës së drejtë edhe sunduesit dhe eprorët e tyre do të jenë si ata. Ndërsa, nëse njerëzit janë të padrejtë dhe bëjnë dhunë, ashtu do të jenë edhe eprorët e tyre.

Nëse ata nuk e japin zekatin dhe bëjnë koprraci me atë që e kanë në posedim, atëherë edhe eprorët e tyre do t’ua privojnë të drejtat e tyre tek ata.

Nëse njerëzit e rrëmbejnë padrejtësisht pronën e njerëzve të dobët, atëherë edhe Allahu do të bëjë që sundimtarët e tyre në mënyrë të paligjshme t’ua marrin pasuritë e tyre, do tu imponojnë taksa të panevojshme dhe të ngjashme.

Nëse njerëzit nga të dobëtit rrëmbejnë diçka që nuk u takon, Allahu do të bëjë që edhe eprorët e tyre prej tyre do të marrin me forcë. Kështu eprorët e tyre shfaqen dhe manifestohen përmes veprimeve dhe sjelljeve të tyre. Prandaj, mençuria e Allahut ka bërë që mbi njerëzit e këqij dhe mëkatarë, të sundojnë vetëm njerëz që janë si ata.

Ashtu sikur që kanë qenë gjeneratat e para nga më të mirët, ashtu edhe eprorët e tyre kanë qenë nga njerëzit më të mirë të asaj kohe, ndërsa kur njerëzit e filluan teposhtën, ashtu edhe eprorët e tyre ishin edhe më të këqij. Çdo brez i ka eprorët dhe sundimtarët të cilët i përgjigjen sjelljes dhe gjendjes së tyre…”

Në bazë të kësaj që u tha, veçanërisht mund ta theksojmë rëndësinë e ajetit kuranor, në të cilin Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Allahu nuk e prish gjendjen e një populli, për derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre.” (err-Rrad, 11)

Si dhe të hadithit të Pejgamberit savs: “Udhëheqësit tuaj më të mirë janë ata që ju i doni, por edhe ata ju duan juve. Ndërsa udhëheqësit tuaj më të këqij janë ata që ju i urreni, por edhe ata ju urrejnë juve, ju i mallkoni ata, e edhe ata ju mallkojnë juve.” (Muslimi, sahih). //Fuad Sediq; //www.preporod.com//

Përshtati: Miftar Ajdini