Tetë fjali të cilat nuk duhet t’ua thoni profesorëve!
Pa marrë parasysh se a është fjala për pyetje të shtruar në ligjëratë apo në bisedë gjatë konsultimeve, disa fjali kurrë nuk duhet t’ua thoni profesorëve.
Po i sjellim disa shembuj.
1. Pse duhet ta mësoj këtë lëndë?
Një numër i lëndëve të cilat jeni të obliguar t’i mësoni shpesh herë juve nuk ju interesojnë, por ato me arsye janë kyçur në orarin tuaj. Ndoshta jo të gjitha, por shumica e informacioneve me siguri do të jenë të mirëseardhura për ju në arsimimin e mëtejshëm dhe në punësim.
Gjithashtu, nëse profesorit ia bëni këtë pyetje, me siguri ju nuk do të ndryshoni asgjë, por në mënyrë të hapur do t’ia bëni me dije se lënda e tij për ju nuk është e rëndësishme.
2. A do të jetë kjo në provim?
Profesorët investojnë shumë kohë dhe mund për t’i përgatitur ligjëratat. Nëse ua bëni këtë pyetje, ju lëni përshtypje se jeni të interesuar vetëm për pjesën e materialit që testohet. Edhe pse kjo më së shumti edhe është e vërtetë, megjithatë, këtë nuk guxoni t’ia bëni me dije profesorit.
Në vend të kësaj, pyesni se si kjo materie është e lidhur me atë paraprake. Kështu do të tregoni se ju me të vërtetë jeni të interesuar për atë që profesori do të flasë dhe se ju e keni përcjellë edhe ligjëratën e kaluar.
3. Kolegut i keni dhënë më shumë pikë në provim, edhe ai ka shkruar aq sa unë.
Pasiqë profesorët kanë me qindra studentë, atyre nuk mund t’ju kujtohet secili provim i korrigjuar. Nëse mendoni se jeni dëmtuar në pikë, sillni provimin e kolegët tuaj dhe tregojani profesorit. Natyrisht, me këtë rrezikoni që profesori të dyshojë për kopjim dhe në vend se t’ju shtojë pikët juve, t’ia heq kolegut tuaj. Vetë vlerësoni se a ia vlen të rrezikoni.
4. Kam shkruar keq në provim. A mund të ri-shkruaj?
Mos prisni që profesori të ju trajtojë ndryshe nga kolegët tuaj. Nëse do t’ju lejojë profesori ta ri-shkruani provimin, ai ketë duhet t’ua lejojë edhe të gjithë atyre që e mësojnë këtë lëndë, por kjo ka shumë gjasa të mos ndodhë.
Prandaj, nëse vërtetë keni shkruar keq në provim, më mirë do të ishte ta pyesni profesorin nëse ka mundësi të shkruani një punim seminarik ose t’i nënshtroheni një provimi gojor dhe kështu ta përmirësoni notën, por gjithsesi shkoni në konsultime për të parë se ku keni bërë gabim në provim.
5. A do të më nevojiten ndonjëherë në jetën time këto informacione?
Edhe pse ekuacioni i shkallës dytë sigurisht nuk do t’ju duhet gjatë kohës së drekës, por çdo lëndë është projektuar ashtu që gradualisht të jep informacione në ligjëratën e caktuar, të cilat ju ndihmojnë ta kuptoni materien në tërësi, dhe që në fund t’i kaloni me sukses provimet.
Mundohuni të mbani mend sa më shumë informacione nga profesorët tuaj. Megjithatë ata janë ekspertë në fushën e tyre.
6. A mund të ma zgjatni afatin për dorëzimin e punimit seminarik?
Kurrë mos ia bëni këtë pyetje profesorit pasi që të ketë kaluar afati i fundit për dorëzimin e punimit seminarik.
Në rast të sëmundjes ose të ndonjë arsyeje tjetër për shkak të së cilës ju nuk jeni në gjendje ta shkruani punimin seminarik me kohë, kontaktoni me profesorin para skadimit të afatit dhe shpjegojani situatën. Me siguri se do t’ju ndihmojë.
7. Nuk di ta shkruaj punimin seminarik. Më tregoni se si ta shkruaj.
Kurrë mos kërkoni nga profesorët që t’ju ofrojnë zgjidhje përfundimtare para se ju të filloni ta shkruani punimin. Profesorët zakonisht ju japin detyra me qëllim që ju pak të mundoheni rreth zgjidhjes së tyre.
Nëse vërtetë hasni në vështirësi gjatë shkrimit të punimit, shkoni te profesori me problemin konkret dhe tregoni saktësisht se cilën çështje nuk keni mundur ta zgjidhni. Kështu profesori do të shohë se ju jeni munduar dhe do të ketë mundësi t’ua shpjegojë atë që ju vërtetë nuk e keni kuptuar.
8. Më nevojitet nota 10 –she nga lënda Juaj për sukses (mesatare).
Veprim i keq. Sidomos nëse këtë ia thoni profesorit gjatë afatit të provimeve. Përgjigja e tij mund të jetë: “Koleg, për këtë është dashur të mendoni me kohë!”
Qysh nga fillimi i semestrit dëshmoni profesorit se dëshironi notë të mirë nga lënda e tij dhe se jeni të gatshëm të punoni për ta realizuar këtë. Filloni me prezantim të rregullt në ligjërata dhe në konsultime.
Në komunikim me profesorët gjithmonë tregoni respekt dhe vlerësojini përpjekjet e tyre në arsimimin tuaj. Nëse profesori ka mbajtur ligjëratë të shkëlqyeshme, mos hezitoni për ta lavdëruar.
Përkthim: Miftar Ajdini