Pavarësisht se sa e ruan njeriu shëndetin e tij, vjen koha kur e kaplon ndonjë sëmundje dhe pamundësi. Atëherë si të sillemi dhe çfarë të bëjmë? Ky artikull e aktualizon kodin e sjelljes së muslimanit në rast të sëmundjes, dhe flet edhe për nevojën e vizitës së pacientëve të tjerë, si dhe për sjelljen ndaj tyre.
Shëndeti është një nga mirësitë që Allahu u ka dhënë njerëzve. Në Kur’an dhe Sunnet janë të përshkruara metodat e veprimit parandalues për ta ruajtur shëndetin. Në qoftë se njeriu kujdeset për ruajtjen e higjienës, për pastërtinë, për abdesin, për gusulin, për konsumim të matur të ushqimit dhe pijeve, duke u larguar nga alkooli, nga droga, nga mishi i derrit dhe produktet e derrit – ai mundet në këtë botë, në masë të madhe t’i zvogëlojë një numër të sëmundjeve të cilat shkaktohen nga qëndrimi ynë i pakujdesshëm ndaj vetvetes dhe nga largimi i konsiderueshëm prej parimeve dhe mësimeve islame.
Megjithatë, pa marrë parasysh se sa e ruan njeriu shëndetin e tij shpesh e godet vala e ndonjë sëmundjeje. Në qoftë se sëmundja shfaqet: çfarë duhet të bëj muslimani dhe si duhet të sillet në atë situatë? Në këtë pyetje përgjigja do të jepet në tekst.
Duhet lutur Allahun e Madhërishëm për shëndetin
Muslimani duhet t’i lutet Allahut të Madhërishëm për shëndetin para se ta humbë atë. Ibn Ebi Bekre r.a. transmeton se Pejgamberi savs i është lutur Allahut për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit: “O Allah, jepi shëndet trupit tim, o Allah, jepi shëndet dëgjimit tim, o Allah, jepi shëndet shikimit tim, nuk ka zot tjetër përveç Teje!”
Mjekimi në rast të sëmundjes
Muslimani është i detyruar që të shërohet në qoftë se e godet ndonjë sëmundje, sepse këtë e ka rekomanduar i Dërguari i Allahut savs, duke vënë në dukje transmetimin e Ebu Hurejres r.a. se: “Allahu nuk ka dhënë asnjë sëmundje, për të cilën nuk e ka krijuar edhe ilaçin!” Në transmetimin e Xhabirit r.a. të shënuar nga Muslimi, Pejgamberi savs, në mënyrë të qartë thotë: “Për çdo sëmundje ka ilaç, kështu që kur ju ta gjeni ilaçin përkatës për atë sëmundje, ajo, me ndihmën e Allahut do të shërohet!”
Nga transmetimi i Xhabirit r.a. bëhet e ditur se Pejgamberi savs, ia kishte dërguar mjekun Ubejj b. Kabit r.a. kur ai ishte sëmurë. Sahabiu i njëjtë, në një tjetër transmetim thotë: “Sad bin Muadhi r.a. ka qenë i qëlluar në venën qendrore të dorës. Pejgamberi savs, ia kreu pasterizimin në dorë me një hekur të ngjashëm me majën e shigjetës. Pas kësaj, dora i ishte fryrë, e ai ia kishte përsëritur procesin.”
Ndalimi i shërimit me alkool
Shumë njerëz ende besojnë se alkooli shëron, edhe pse Pejgamberi savs, kategorikisht e ka ndaluar përdorimin e alkoolit, madje edhe për qëllime shërimi. Prandaj, duhet t’i shmangemi shërimit me alkool dhe mos ta përdorim atë që është haram.
Konfirmimin e kësaj e gjejmë në transmetimin e Vail el-Hadremiut i cili transmeton se Tarik b. Suvejd el-Xhufi r.a. e kishte pyetur Pejgamberin savs për alkoolin, dhe ai ia kishte ndaluar prodhimin e tij. Tariku i kishte sqaruar se ai këtë e prodhonte ekskluzivisht vetëm për shërim. Me atë rast i Dërguari i Allahut savs kishte thënë: “Ky nuk është shërim! Kjo është sëmundje!”
Të sëmurit i shlyhen mëkatet
Me të vërtetë është e mrekullueshme të jesh besimtar. Edhe sëmundja që e godet besimtarin për të nuk është fatkeqësi, por mirësi dhe begati. Nëse besimtari e kupton drejtë rregullin e Allahut dhe fatin e Tij, ai edhe sëmundjen do ta konsiderojë si caktim të Allahut dhe do të jetë i kënaqur me të, duke e ditur se ajo do ta shpëtojë nga ndonjë dënim i botës tjetër, ose megjithatë, do ta pastrojë nga mëkatet. Është inkurajues transmetimi i Ebu Seidit dhe Ebu Hurejres r.a. në të cilin Pejgamberi savs premton: “Muslimanin nuk e godet asnjë vështirësi apo sëmundje, hidhërim apo brengë, as ndonjë fatkeqësi, apo edhe ndonjë grithje e zakonshme e therrës, e që për të të mos i falet (ndonjë) mëkat!”
Allahu i Madhërishëm vetëm përmes sfidave të ndryshme të jetës dhe përmes sëmundjeve të ndryshme, besimtarët i pastron nga të gjitha shtresat e mëkateve, të këqijave dhe parregullsive. Problemi është vetëm se si kjo të kuptohet ashtu si duhet dhe të përballohet me dinjitet, duke shpresuar në shpërblimin e Allahut të Plotfuqishëm.
Shpresojmë se transmetimi vijues dukshëm do të na ndihmojë. Ebu Hurejre r.a. transmeton se Pejgamberi savs ka thënë: “Besimtarët vazhdimisht i godasin sfidat e ndryshme si në veten e tyre, në fëmijët e tyre dhe në pasurinë e tyre, derisa tu fshihen të gjitha mëkatet e tyre, ashtu që të takohen me Allahun pa asnjë mëkat.”
Për humbjen e shikimit shpërblimi është me xhenet
Secila sëmundje apo sfidë sjell falje të mëkateve dhe shpërblim nga ana e Allahut të Lartësuar, në proporcion me peshën e sëmundjes apo sfidës të cilën e dhuron Allahu. Njëra nga sfidat më të mëdha, nga sëmundjet dhe paaftësitë fizike është humbja e shikimit (syrit). Kush bëhet i durueshëm pas kësaj dhe është i kënaqur me caktimin e Allahut të Lartësuar, do të shpërblehet me xhenet. Këtë Pejgamberi savs, në mënyrë të qartë e përmend në hadithin kudsij, të cilin prej tij e transmeton Enes b. Maliku r.a.: “Allahu i Madhërishëm thotë: “Kur ta vë në sprovë robin Tim me marrjen e shikimit, dhe ai këtë e përballon me durim, atë mungesë do të ia kompensoj me xhenet!”
Të sëmurit nuk i ndërpriten shpërblimet për veprat e kryera
I sëmuri nuk duhet ta humbas shpresën në mëshirën e Allahut, sepse edhe duke qenë i sëmurë shpërblimet i rrjedhin për veprat të cilat i ka bërë derisa ka qenë i shëndoshë, ashtu që ai me sëmundjen e tij praktikisht nuk humb asnjë shpërblim i cili i takon. Kjo është edhe një dëshmi e mëshirës së Allahut të Madhërishëm ndaj krijesave të Tij.
Enes b. Maliku r.a. transmeton një hadith interesant nga Pejgamberi savs, i cili për këtë thotë: “Çdo muslimani, i cili ka bërë vepra të mira derisa ka qenë i shëndoshë, Allahu i Madhërishëm do t’ia shkruajë veprën e mirë edhe gjatë sëmundjes së tij, pastaj nëse shërohet – e ka pastruar, e nëse ia merr shpirtin – do t’ia falë mëkatet!”
Vizita e të sëmurit është detyrë
Pejgamberi savs, vizitën e të sëmurit e ka numëruar në kuadër të detyrave të muslimanëve ndaj njëri-tjetrit. Kështu në transmetimin e Aliut r.a. Pejgamberi savs thotë:
“Detyrat e muslimanit ndaj muslimanit tjetër janë gjashtë:
– që ta përshëndet me selam kur të takohet me të,
– që t’i përgjigjet në thirrje,
– që të thotë ‘Jerhamukellah’ kur ai teshtin dhe thotë ‘El-hamdu lilah’,
– që ta vizitojë kur të sëmuret,
– që t’ia falë xhenazen kur të vdesë dhe
– t’i dëshirojë atij atë që dëshiron për vete.”
Në transmetimin e Muslimit në vend të “dhe t’i dëshirojë atij atë që dëshiron për vete” thuhet: “Nëse i kërkon që ta këshillojë, ai duhet ta bëjë këtë”.
Në transmetimin e Buhariut nga Ebu Musa r.a. urdhërohet vizita e të sëmurit. Këtë Pejgamberi savs padyshim e thekson: “Vizitoni të sëmurët, ushqeni të uriturit dhe lironi të robëruarit!”
Inkurajim për të vizituar të sëmurin
Islami vizitën e të sëmurit e ka pozicionuar shumë lartë, duke e krahasuar me vizitën e Krijuesit të botëve. Le të shikojmë hadithin që e transmeton Ebu Hurejre r.a. në të cilin Pejgamberi savs thotë:
“Allahu i Madhërishëm do të thotë në Ditën e Gjykimit: “O Njeri, Unë kam qenë i sëmurë, por ti nuk më ke vizituar.” Njeriu do të pyes: “Si mund t’Ju vizitoj, O Zot, kur Ti je Zot i botëve?!”.
Do t’i thuhet: “A nuk e ke ditur se filan robi Im ka qenë i sëmurë, e ti nuk e ke vizituar? A nuk e di se do të më gjeje Mua te ai sikur ta vizitoje!?”
Imam Neveviu, duke e komentuar këtë hadith për fjalën se njeriu aty do ta gjente Krijuesin e botëve, në fakt do të thotë, se aty ai do ta gjente shpërblimin dhe nderimin e Allahut, sikur ta vizitonte atë njeri.
Duhet vizituar edhe jomuslimanin e sëmurë
Pejgamberi savs na mëson se duhet ta vizitojmë madje edhe jomuslimanin e sëmurë, në qoftë se e kemi fqinj, të afërm apo partner biznesi. Këtë e konfirmon hadithi që e transmeton Enes b. Maliku r.a., i cili thotë: “Një herë u sëmurë një djalosh hebre, i cili i kishte shërbyer Pejgamberit savs, kështu që Pejgamberi savs shkoi për vizitë duke u ulur te koka e tij dhe i tha: “Pranoje Islamin!”
Djaloshi e shikoi babanë e tij i cili ishte aty, dhe babai i tij i sugjeroi që djali t’i bindet Muhamedit savs. Gjë që djaloshi edhe e bëri, e pranoi Islamin, ndërsa Pejgamberi savs duke dalë nga shtëpia tha: “Falënderimi i qoftë Allahut që e shpëtoi prej zjarrit!”
Pra, vizita nuk ishte vetëm për të vizituar, por Pejgamberi savs e bëri edhe një gjest të mrekullueshëm dhe djaloshin e shpëtoi nga xhehenemi, pasiqë djaloshi kishte vdekur pas një kohe të shkurtër.
Sa situata të tilla të ngjashme ne i lëshojmë, duke mos dëshiruar t’i shpëtojmë fqinjët tonë, të njohurit dhe bashkëpunëtorët afaristë. Të jemi të bindur, se ata neve do të na akuzojnë në Ditën e gjykimit, për gjestin tonë vërtet johuman: lejimin që të digjen në zjarrin e xhehenemit!!
Shpërblimi i atij që e viziton të sëmurin
Pejgamberi savs i inkurajon besimtarët për vizitën e të sëmurëve duke ju premtuar atyre shpërblime të mëdha. Në transmetimin e Thevbanit r.a. Pejgamberi savs premton fruta të xhenetit: “Kur një musliman shkon për ta vizituar vëllain e tij musliman, ai gjendet në hurfë të xhenetit deri sa të kthehet!” Dikush e pyeti Alejhiselamin: “Çka është hurfa e xhenetit?” Ai u përgjigj: “Ky është fryti i xhenetit!”
Pejgamberi savs i premtoi xhenetin atij që, ndër të tjera, e viziton të sëmurin.
Në transmetimin e Ebu Hurejres r.a. kjo theksohet në mënyrë të qartë. Pra, Pejgamberi savs, kishte pyetur:
“Kush ka agjëruar sot?” Ebu Bekri r.a. ishte përgjigjur: “Unë!”
Ai pastaj kishte pyetur: “Kush nga ju sot ka falur namaz të xhenazes?”
Ebu Bekri ishte përgjigjur: “Unë.”
Pejgamberi përsëri pyet: “Kush nga ju sot ka ushqyer një të uritur?”
Ebu Bekri, përsëri, përgjigjet: “Unë!”
Pejgamberi savs, në fund, pyet: “Kush prej jush sot ka vizituar ndonjë të sëmurë?”
Ebu Bekri përsëri përgjigjet: “Unë!”
Pejgamberi savs, pas kësaj thotë: “Personi që i bën të gjitha këto brenda një dite do të hyjë në xhenet!”
Çka lexohet tek i sëmuri ?
Kur të shkohet te i sëmuri, duhet të shfrytëzohet rasti dhe të bëhet lutje-dua për shërimin e tij. Kjo ka qenë praktika e Pejgamberit savs.
Hz. Aishja r.a. transmeton se Pejgamberi savs kur e vizitonte ndonjë të sëmurë, e fërkonte me dorën e tij të djathtë dhe pastaj lexonte: “O Allah, Zoti i njerëzve, largoje vuajtjen dhe shëroje, sepse Ti shëron. Nuk ka shërim tjetër përveç shërimit Tënd. Shëroje me shërim pas të cilit nuk ka dhembje!”
Është mirë që pranë të sëmurit të lexohet lutja të cilën Xhibrili a.s. ia ka lexuar Pejgamberit savs, kur ai ndjeu dhimbje.
Ebu Se’id el-Hudri r.a. transmeton se Xhibrili erdhi te Pejgamberi savs, dhe pasi ky ju ankua për sëmundje, ai i lexoi: “Me emrin e Allahut po të shëroj nga çdo gjë që të shqetëson, nga e keqja e çdo personi apo e syrit xheloz. Allahu është shëruesi yt. Me emrin e Allahut po të shëroj!”
Ibni Abbasi r.a. transmeton se i Dërguari savs ka thënë: “Kushdo që viziton të sëmurin, para se t’i vjen ora e vdekjes, dhe pranë tij 7 herë lexon: “I lutemi Allahut të Madh, Krijuesit të Arshit të madh që të shëroj ty!” Allahu do ta shërojë nga ajo sëmundje!”
Çfarë lexon i sëmuri?
Nëse i sëmuri ndien ndonjë dhimbje, Pejgamberi savs, ka këshilluar që të bëjë lutje, e cila do t’i ndihmojë në përballimin e dhimbjes.
Ebu Abdullah Osman bin Ebil-‘As r.a. transmeton se ai ishte ankuar te Pejgamberi savs për dhimbjet që i kishte ndjerë në trup prej se e kishte pranuar Islamin, dhe ai e kishte këshilluar që ta vë dorën e tij aty ku dhemb dhe pastaj për të thotë 3 herë: “Bismil-lah”, dhe pastaj 7 herë: “Mbështetem tek Allahun dhe fuqia e Tij nga e keqja që e ndjej dhe i frikësohem”.
Çfarë lexon ai që e ka humbur shpresën në jetë?
I sëmuri duhet ta përmend Allahun e Madhërishëm dhe t’i lutet Atij, e në veçanti këtë duhet ta bëjë në çastet kur ndjen se sëmundja e tij ia ndjell vdekjen.
Kështu bëri edhe Pejgamberi savs para vdekjes së tij, kur ishte i mbështetur në Aishen r.a. dhe atëherë, siç thotë ajo, lexoi: “O Allah, më fal mua, më mëshiro mua dhe më bashko me shokun e Lartëmadhërishëm!”
Në transmetimin tjetër të Aishes r.a. Pejgamberi savs, në sëmundjen e tij të vdekjes lexoi: “O Allah, më ndihmo në këto çaste të vdekjes!”
Ndalohet sharja dhe mallkimi i sëmundjes
Është e natyrshme që neve nuk na pëlqen çdo gjë që na pengon dhe na shkakton vështirësi të caktuara. Sëmundja është rraskapitëse, shpejt na mërzit, prandaj, shpeshherë reagojmë në mënyrë të palejuar, duke u shprehur keq në lidhje me sëmundjen. Megjithatë, sikur ta dimë se sa na ndihmon sëmundja në pastrimin nga mëkatet dhe në një lloj dezinfektimi të gjendjes shpirtërore, nuk do vepronim kështu.
Pejgamberi savs, i ka paralajmëruar sahabët që mos ta mallkojnë sëmundjen dhe të mos flasin për të me urrejtje dhe përbuzje. Në transmetimin e Xhabirit r.a. kjo vërehet në mënyrë eksplicite. Në të vërtetë, Pejgamberi savs, kishte hyrë te Ummus-Saib, e cila dridhej, sepse kishte temperaturë të lartë, kështu që ai pyeti:
“Çfarë ke?” Ajo u përgjigj: “Ethet, Allahu mos i dhashtë bereqet!”
Pejgamberi savs atëherë tha: “Mos i mallko ethet, sepse ajo i eliminon mëkatet e njeriut, sikur që shakulli i farkëtarit që eliminon ndryshkun nga hekuri!”
Është e ndaluar të kërkohet vdekja në sëmundje
Kur njeriu gjendet në një situatë të vështirë, në ndonjë sprovë të madhe, apo sëmundjeve rëndë, duhet ruajtur vetëkontrollin dhe duhet kuptuar se Krijuesi i botëve po na sprovon dhe dëshiron që të mbetemi të fortë, të durueshëm dhe me dinjitet. Është e ndaluar, që në ato momente, të kërkohet apo të dëshirohet vdekja. Kushdo që vjen në situatë të tillë të pa lakmueshme është më mirë që të veprojë në pajtim me këshillën e Pejgamberit savs, të cilën e transmeton Enes b. Malik r.a.:
“Asnjë nga ju, në asnjë mënyrë, le të mos e dëshirojë vdekjen për shkak të vështirësisë që e ka goditur, dhe nëse patjetër duhet ta bëjë, atëherë le të thotë: O Allah, më mbaj në jetë për sa kohë që jeta është më e mirë për mua, dhe më vdis nëse vdekja është më e mirë për mua!”
Përmbledhje
Në përfundim të temës së aktualizuar do të përmendim edhe disa elemente që duhet të kihen parasysh, kur t’i vizitojmë të sëmurët:
1. Mos të qëndrohet gjatë te i sëmuri, sepse kjo mund ta lodhë, siç thotë poeti arab: “Nuk është aq e vështirë sëmundja, sikur fqinjë të na linin të qetë!”
2. T’i jepet selam të sëmurit dhe të pranishmëve dhe, duke iu drejtuar atij, të lutet Allahu i Madhërishëm për shërimin e tij, gjë që do t’i forconte shpresën dhe do t’ia rritte disponimin.
3. Pas selamit, i japim dorën të sëmurit dhe pastaj i vejmë dorën tonë në ballin e tij, sepse me këtë shprehim afërsinë me të dhe interesin tonë të shtuar për shërimin e tij.
4. Të lutet i sëmuri që të bëjë lutje për neve, sepse lutja e të sëmurit nuk refuzohet.
5. Në praninë e të sëmurit mos të flitet në lidhje me vdekjen dhe mos t’i tregohet për vdekjen e askujt, sepse kjo mund ta shqetësojë dhe të ndikojë tek ai negativisht.
6. Mos të flitet me zë të lartë, që mos ta shqetësojmë.
7. Mos të detyrohet për të ngrënë dhe për të pirë, sepse kjo mund ta shqetësojë.
8. T’i dërgohet ndonjë dhuratë të sëmurit, që do të ishte shenjë e dukshme e vëmendjes sonë ndaj tij.
Autor: dr. Shefik Kurdiq
Përkthim: Miftar Ajdini