Largimi i njerëzve nga dijetarët, është rruga e shkatërrimit

527

Metoda e njohur e luftës kundër islamit, në të kaluarën, por edhe tash,
është rrënimi i autoritetit, në mënyrë që me njerëzit të manipulohet dhe
që njerëzit të shkojnë në shkatërrim

Njëra nga metodat e luftës kundër Islamit, të cilën së bashku e praktikojnë një shumicë, pasqyrohet në faktin se ata përpiqen që në sytë e të rinjve dhe grupeve tjera të njerëzve, dijetarët islamë dhe të gjithë ata që ndjekin atë rrugë, t’i komprometojnë dhe t’i paraqesin në dritë negative. Njerëzit e tillë i ndjekin shkrimet dhe fjalimet e dijetarëve, pastaj aty hulumtojnë terma dy kuptimore, me të cilat ata nuk pajtohen, pastaj e hulumtojnë edhe të kaluarën e tyre, ua nxjerrin fjalët e tyre jashtë kontekstit, ju bëjnë shpifje, ju atribuojnë atyre gjëra që ata nuk i kanë, dhe krejt këtë e bëjnë me qëllim që t’i frikësojnë dhe largojnë njerëzit nga dijetarët.

Shpesh mund të dëgjojmë lloje të ndryshme të shpifjeve të cilat u drejtohen njerëzve të ditur: se janë të paguar, se njerëzit duan t’i kthejnë në kohën e gurit, se nuk e kuptojnë realitetin, se fjala e tyre është fjalë e urrejtjes, se diplomat e tyre i kanë marrë në mënyrë të lehtë etj.

A keni parë ndonjëherë që mediat ta ftojnë musafir në diskutimin e hapur ndonjë dijetar, me qëllim që njerëzve tu tregojë për përpjekjet dhe kontributin që është duke dhënë për shoqërinë në të cilën ai jeton? Asnjëherë, ose shumë rrallë.

Edhe kur e ftojnë ndonjërin, bëjnë përpjekje maksimale me metodat e tyre të poshtra gazetareske, që mos ta lejojnë të thotë çdo gjë që dëshiron, ose i bëjnë pyetje në të cilat është shumë të vështirë tu përgjigjet direkt. E nga ana tjetër, shohim se rregullisht në programet e tyre defilojnë njerëz që merren me muzikë, politikë, sport, dhe me ta zhvillojnë dialog dhe shoqërinë e njoftojnë me ta, duke u përpjekur maksimalisht që t’i paraqesin si persona të suksesshëm, si të tillë që meritojnë të imitohen dhe të ndiqen.

Pse këtë nuk e bëjnë me dijetarët? Thjesht, sepse në këtë mënyrë shoqëria jonë do të kuptonte se me çfarë njerëz kemi të bëjmë.

Prandaj, ata vazhdimisht flasin për dijetarët, duke i paraqitur në mënyrën më të keqe të mundshme, duke mos ju lejuar atyre që ata vetë shoqërisë t’ia prezantojnë veten e tyre dhe pikëpamjet e tyre mbi jetën dhe shoqërinë në të cilën jetojnë.

Për fat të keq, kjo nuk është metoda që e përdorin vetëm ata që edhe fshehtas edhe publikisht luftojnë kundër Islamit, por kjo është një metodë afatgjate, me rrënjë historike, të cilën e përdorin edhe pasuesit e fraksioneve dhe sekteve të caktuara të cilat i mvishen Islamit. Kështu i gjejmë ata për çdo ditë duke i fyer, duke i sulmuar dhe duke shpifur për dijetarët islamikë, por edhe për të gjithë njerëzit e tjerë që duan ta përshtatin jetën e tyre në përputhje me rregullat e Islamit. Këtë ata e bëjnë me qëllim që njerëzit t’i largojnë nga dijetarët, sepse sipas tyre, dijetarët janë problemi më i madh i umetit. Andaj është e qartë se pse këtë e bëjnë të dyja palët. Ata e bëjnë këtë sepse dijetarët janë ata të cilët do t’ua tregojnë qëllimet e tyre, do t’ua sqarojnë mashtrimet e tyre, do t’i ftojnë njerëzit në atë që është e dobishme. E këtë nuk e duan asnjëra nga të dyja palët e cekura më lart.

Në momentin kur njerëzit të largohen nga ata (dijetarët), për të cilët i Plotfuqishmi ka urdhëruar që tu kthehen dhe t’i pyesin, njerëzit me siguri do të shkojnë në rrugën e shkatërrimit.

Ka thënë Ebu Bekër Muhamed b. Husein el-Axhuri: “Çka mendoni ju, Allahu ju mëshiroftë, për një rrugë në të cilën ka shumë pengesa, ndërsa njerëzit duhet të kalojnë nëpër atë rrugë gjatë natës së errët? Nëse nuk kanë llamba që ua ndriçojnë rrugën, do të përjetojnë shumë kokëçarje. Por, Allahu i Madhërishëm ua ndriçon atë rrugë me drita dhe ata pa asnjë problem e kalojnë rrugën. Pas tyre vjen një grup tjetër i njerëzve të cilët nisën rrugës së njëjtë, por gjatë kalimit të tyre ndalen dritat përgjatë rrugës dhe ata mbeten në errësirë. Çka mendoni, si është puna e tyre? E njëjtë është pyetja dhe gjendja edhe me dijetarët në krahasim me njerëzit e tjerë. Shumë njerëz nuk dinë si t’i kryejnë ibadetet e detyrueshme, dhe si ta braktisin atë që është e ndaluar, as nuk dinë si ta adhurojnë Allahun si duhet. Të gjitha këto të përmendurat ata nuk janë në gjendje t’i zbatojnë përpos me ndihmën e dijetarëve. Dhe kur të vdesin dijetarët, njerëzit mbeten në dilema, dituria ngadalë zhduket pas vdekjes së tyre, dhe pastaj përhapet injoranca. Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun! A ka fatkeqësi më të madhe për muslimanët sesa kjo?” (Ahlakul ulema, 29)

Në realitet, ne shohim se shumë njerëz për shkak të dijetarëve dhe këshillave të tyre e kanë ndryshuar jetën e vet. Pasi ishin më parë kriminelë, keqbërës të mëdhenj, ishin barrë për shoqërinë ku jetonin, ishin të dhënë pas shumë veseve, pastaj kur i braktisen të gjitha këto, ata u bënë të moralshëm dhe shumë të dobishëm për shoqërinë ku jetojnë.

Allahu i Plotfuqishëm në disa vende në Kuran, direkt dhe indirekt, i ka lavdëruar dijetarët dhe ka urdhëruar që tu kthehemi atyre kur të jemi në dyshim. E gjithë kjo që u përmend nuk do të thotë se dijetarët janë të pagabueshëm, por më urgjente është që njerëzit tu drejtohen atyre për të gjitha dilemat dhe ata t’i drejtojnë njerëzit sipas njohurive që ua ka dhënë Allahu.

Thotë Allahu i Lartëmadhërishëm: “Edhe para teje kemi dërguar vetëm njerëz, të cilëve u kemi shpallur (ashtu si ty); andaj, pyetni njerëzit e dijshëm, nëse nuk dini ju!” (el-Enbija, 7)

Me rastin e ngjarjes së famshme që ndodhi gjatë jetës së Pejgamberit savs, kur një njeri ishte bërë xhunub në gjumë (kishte nevojë të merr gusël), ndërsa ishte i plagosur në kokë, i thanë se duhet patjetër të lahet sepse nuk mund ta heq gjendjen e xhunubllëkut me tejemum, gjë që çoi në vdekjen e tij si pasojë e kësaj larjeje. Pejgamberi savs tha: Pse nuk kanë pyetur nëse nuk kanë ditur, me të vërtetë ilaç për mosdije dhe dilemë është pyetja. (Ebu Davudi nga Xhabiri r.a., 2/159)

Duke e komentuar hadithin në të cilin është përmendur se gratë e sahabëve kanë pyetur për dispozitën e larjes pas polucionit të gruas në ëndërr, Imam Abdulberri ka thënë: “Ky hadith na tregon se në cilën gjendje kanë qenë gratë e asaj kohe, sa janë brengosur në lidhje me çështjet e fesë, dhe për to kanë pyetur. Kjo e obligon çdo besimtar dhe besimtare, që kur nuk e din ndonjë dispozitë të fesë, të bëjë pyetje për të. Pejgamberi savs ka thënë: Me të vërtetë ilaç për mosdije dhe dilemë është pyetja.”  (Et-Temhid, 1/239)

Prandaj, vëllezër të respektuar, nuk duhet të befasohemi kur t’i shohim sektarët e njohur, mediat dhe armiqtë e tjerë të Islamit, duke e denoncuar ndonjë njeri të mirë që e njohim.

Mos t’ua vëmë veshin atyre, le të kemi mendim të mirë për dijetarët!

Le të jemi të vetëdijshëm se ata e kanë objektiv përmbysjen e autoritetit të dijetarëve në shoqërinë në të cilën jetojnë. Dhe kur ta arrijnë këtë, dera për realizimin e objektivave të ulëta të armikut është e hapur.

Ka thënë Hasan Basriu: Kur të shfaqen intrigat dhe sprovat, ato i kuptojnë dijetarët, ndërsa kur të mbarojnë dhe zhduken, atëherë i kuptojnë edhe injorantët! (Et-Tabekatul-Kubra, 7/122

Përkthim: Miftar Ajdini