Ndihmoje mëkatarin që ta braktisë mëkatin, mos e shtyjë më thellë në humnerën e mëkatit!
Transmetohet se sahabiu Ebu Derda (r.a.), me një rast kishte kaluar pranë një grupi të njerëzve të cilët ishin mbledhur rreth një njeriu, të cilin po e goditnin dhe po e fyenin. Ai i kishte pyetur:
“Si është puna, pse po veproni kështu?”
Ata ishin përgjigjur:
“Ky horr ka kryer një mëkat të madh, andaj ne po e ndëshkojmë.”
Ebu Derda (r.a.), pyet:
“Nëse ky njeri kishte ra në pus, a do ta nxirrnit dhe shpëtonit?”
Ata thanë: “Sigurisht se do ta nxirrnim nga pusi.”
Atëherë, ai u thotë atyre:
“Pra, mos e fyeni dhe mos e goditni, por këshillojeni, tregoni atij për efektet e dëmshme të mëkatit që ka kryer dhe falënderonie Allahun që ju ka ruajt juve nga ai mëkat!”
Ata, duke u habitur me veprimin e tij, e pyetën:
“Ti a nuk e urren këtë mëkatarin?”
Ebu Derda (r.a.), u përgjigj:
“Unë e urrej veprimin (të keqen) e tij, dhe nëse e braktis atë, ai është vëllai im.”
Në atë moment ata e dëgjuan, atë njeriun të cilin e goditnin për shkak të mëkatit, duke i shqiptuar fjalët e tevbes dhe pendimit.
Ky moral i mrekullueshëm, të cilin e zotëronin dhe në të cilin u edukuan sahabët, i mungon një shumice prej nesh. Është shumë më e lehtë, më islamike dhe më efikase, mëkatarin ta këshillojmë në mënyrë të bukur, dhe Allahun ta falënderojmë, që neve na ka shpëtuar nga mëkatet e mëdha dhe shkatërrimtare, sesa mëkatarin ta fyejmë, ta refuzojmë dhe ta shtyjmë edhe më thellë në humnerën e mëkatit.
Përkthim: Miftar Ajdini