Si t’i përgjigjemi padrejtësisë dhe zullumit?

502

Për një kohë të gjatë, bota ku po jetojmë nuk është më botë e ideve të së mirës, drejtësisë dhe paanësisë. Po jetojmë në botën e interesave. Gjithnjë e më tepër po realizohet fjalia e famshme e Hobs-it: Njeriu për njeriun është ujk! Po jetojmë në mesin e ujqërve! Nuk guxojmë të bëhemi as dele, por as ujqër!

Ndaj kësaj që po ndodh rreth nesh, si mund të përgjigjemi në mënyrë korrekte, njerëzore dhe islame? Është më e lehtë të thuhet se nuk na nevojë! Me terror dhe dhunë sigurisht se nuk ka nevojë. Por të jepet përgjigje se si duhet, është më e vështirë.

Në këto kohë të konfuzionit, është mirë t’i kujtojmë fjalët e pejgamberit tonë Muhamedit savs, të cilat na i transmeton Aliu r.a., mbi atë se: Me siguri do të ndodhin intrigat! Kurse në pyetjen – Cila është dalja prej tyre?

Pejgamberi savs tha: Kurani! Në Kuran ka lajme për atë që ishte para jush dhe njoftim për atë që do të vijë pas jush, si dhe gjykim për atë që është në mes jush. Ai është të folurit e qartë dhe nuk është farsë. Kush e braktis Kuranin nga kryelartësia – Allahu do ta shkatërrojë atë! Ai që kërkon udhëzim në diçka tjetër, Allahu do ta lë në humbje! Kurani është litari i fortë i Allahut, ai është paralajmërim i mençur dhe rrugë e drejtë. Pasionet nuk mund ta shtrembërojnë, as gjuhët nuk mund ta ndryshojnë. Dijetarët me të nuk ngopen, as ai me përsëritje të vazhdueshme nuk harxhohet. Mrekullitë e tij nuk kanë fund. Kuranin, kur e dëgjuan xhinët nuk munden të rezistojnë pa thënë: Me të vërtetë, kemi dëgjuar (një) Kuran të mrekullueshëm, i cili udhëzon në rrugë të drejtë. Kush flet me Kuran – e flet të vërtetën, kush punon sipas tij – do të shpërblehet, kush gjykon sipas tij – ka gjykuar drejtë, dhe kush bën thirrje për tek ai – është i udhëzuar në rrugën e drejtë.

Prandaj, ne thirremi në fjalët e Kuranit famëmadh, ku kërkojmë dalje nga intrigat. Allahu i Madhërishëm në fund të sures el-Haxhxh, shumë bukur thotë:

“Dhe, luftoni në rrugën e Allahut, ashtu si duhet luftuar. Ai, ju ka zgjedhë dhe nuk ju ka bërë juve në fé kurrfarë vështirësie – ashtu si (ka qenë) në fenë e babës suaj, Ibrahimit. Ai (Allahu), ju ka quajtur muslimanë – qysh më parë, por edhe në këtë (Kur’an), që pejgamberi të jetë dëshmitar i juaj, dhe që ju të jeni dëshmitar të njerëzve tjerë. Andaj, faleni namazin dhe jepni zekatin dhe mbështetuni te Allahu! Ai është mbrojtës i juaj. E, sa mbrojtës dhe ndihmës i mrekullueshëm është Ai!” (el-Haxhxh, 78)

Ne me mënyrën tonë të organizimit të botës dhe jetës dhe me moralin tonë, duhet tu dëshmojmë komuniteteve tjera se çfarë duhet të jetë njeriu, jo vetëm në botën tjetër, por edhe në këtë botë. Ne duhet të jemi model dhe mishërim i raporteve me Zotin, me njerëzit, me kafshët dhe me natyrën.

Për disa, qëllimi i vërtetë është e kundërta – që muslimanët t’i paraqesin si model dhe mishërim i asaj që njeriu nuk duhet të jetë. Është e mjerueshme që në këtë proces, gjenden njerëz me mendje të lehtë dhe moral të dyshimtë, që me veprimet e tyre u shkojnë këtyre për shtati.

A t’ua kthejmë padrejtësinë në masë të njëjtë?

Të gjithë muslimanët e arsyeshëm, pa dyshim, distancohen nga ata që kryejnë dhunë dhe terror. Të mençurit pajtohen se kjo nuk është përgjigje islame. Kurse disa pyesin – po çka është pra?

Të rinjtë, tek të cilët emocionet shpesh shkojnë para arsyes, shtrojnë pyetjen – po ata çka po na bëjnë neve? Ne po shohim se muslimanëve në mbarë botën po ju bëhen shumë padrejtësi, dhe padrejtësia po na dhemb! Por kjo padrejtësi a na jep arsyetim para Allahut dhe njerëzve, që padrejtësinë ta kthejmë me terror dhe dhunë? Sigurisht që jo!

Pejgamberi savs, ka përjetuar shumë padrejtësi.

Me këtë rast po e veçojmë Betejën e famshme të Uhudit, kur me rastin e nisjes së ushtrisë, lideri i hipokritëve, Abdullah bin Ubejj i ktheu rreth 300 luftëtarë.

Shigjetarët, të cilëve Pejgamberi savs u tha qartë, se në asnjë mënyrë mos t’i lënë pozitat – ata i lëshuan pozitat e tyre dhe çuan në një humbje të rëndë të muslimanëve. Shtatëdhjetë sahabë u masakruan keq, kurse Pejgamberi savs u plagos. Atëherë, në ato momente të vështira, edhe atë e kapluan emocionet, sa që u kërcënua për një hakmarrje të dhembshme në luftën e ardhshme. Mirëpo, Allahu i Plotfuqishëm, Krijuesi i botëve, i Gjithëmëshirshmi, i shpalli Pejgamberit savs dhe të gjithë neve ajete të urta, të cilat janë të vlefshme deri në Ditën e Ringjalljes:

“E, nëse ndëshkoni, ndëshkoni ashtu si keni qenë të ndëshkuar ju, e nëse duroheni, kjo është më së miri për të durueshmit. Duro! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut. Dhe, mos u pikëllo për ta, e mos u ngushto ti për shkak të dredhive të tyre, me të vërtetë, Allahu është me ata, që i druajnë Allahut dhe që janë bamirës.” (en-Nahl, 126-128)

Ja përgjigja! DURIMI, jo durimi si vuajtje, por durimi për gjetjen e mirëmenduar të përgjigjes më të mirë, në kohën më të mirë, në mënyrën më të mirë dhe në vendin e duhur. Hakmarrja i kthehet vetëm atij që vërtet është fajtor, dhe vetëm në masë të njëjtë, asnjë grimcë më tepër.

Fajtor është vetëm ai që vërtetë është fajtor.

Secili është përgjegjës vetëm për veprimet e tij.

Pejgamberi savs pas këtyre fjalëve të Allahut të Plotfuqishëm, nuk është hakmarrë as ndaj hipokritëve, as ndaj shigjetarëve të mbijetuar të cilët i lëshuan pozitat e tyre dhe as ndaj idhujtarëve të cilët patën kryer krime të tmerrshme. Rezultatin përfundimtar ne e dimë – shumë prej tyre vetëm pesë vjet pas kësaj Beteje përqafuan Islamin.

Prandaj, nëse ne vërtetë ia duam të mirën Islamit dhe muslimanëve duhet të ‘durojmë’, pa marrë parasysh se sa e dhimbshme të jetë padrejtësia.

Përgjigja e Islamit është – drejtësia! Ne kurrë nuk duhet t’i harrojmë ajetet e sures el-Maide:

“O besimtarë! – bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me të drejtë! Le të mos u nxis juve urrejtja ndaj një kombi për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë (ndaj miqve dhe armiqve), se drejtësia është më afër devotshmërisë (dispozitave të islamizmit), dhe frikësohuni Allahut! Se, Allahu, është i dijshëm për çdo gjë që punoni ju.” (el-Ma’ide)

Asnjëherë terrori nuk është përgjigje për terrorin, dhuna për dhunën apo padrejtësia për padrejtësinë.

Përkthim: Miftar Ajdini