Detyrë e njeriut është që të punojë dhe të përpiqet…

375

Detyrë e njeriut është që të punojë dhe të përpiqet, por jo me çdo kusht edhe të arrijë sukses

Një prind tregon: “Te djali im, Halidi, që nga fëmijëria e hershme, shkalla e suksesit në ‎shkollë ishte 60 deri 70 për qind. Në klasën e 4 të shkollës fillore, fillova të ushtroja presion ‎mbi të, që ai të ishte më i mirë dhe më i suksesshëm. Nëna e tij shumë herë e krahasonte ‎me kolegët e tij, me vëllezërit dhe me kushërinjtë, të cilët ishin më të suksesshëm se ai, deri ‎në atë masë, sa që ai u zhyt në një krizë mendore, filloi të fliste vetë më vete, qante në ‎gjumë dhe ishte në një gjendje të rëndë depresioni.‎

Shkuam te psikiatri më i mirë dhe u ankuan për gjendjen e vështirë psikike të djalit tonë. ‎Mjeku na dha një ilaç për forcimin e kujtesës, i cili më vonë ia shkaktoi formimin e ujit në ‎tru.‎

Një ditë, ndjeva se do ta çonim djalin tonë Halidin deri në çmenduri. Ne dëshironim që ai ta ‎realizonte ëndrrën tonë (jo të tijën), dhe të bëhej dijetar, por kjo ishte e njëjtë, sikur të ‎kërkosh që kali të arrijë shpejtësi aq të madhe, sa që ta tejkalojë trenin. Ndjeva se djali im ‎filloi të largohej nga unë, kështu që vendosa ta ndryshoja metodën time vdekjeprurëse në ‎edukimin dhe arsimimin e tij.‎

Shkova që ta vizitojë në shkollë, dhe e luta mësuesin e Halidit, që t’u thotë fëmijëve se unë ‎dua t’i them diçka të rëndësishme djalit tim para kolegëve të tij. Unë dola para nxënësve ‎dhe e thirra djalin tim që të qëndronte pranë meje. E kapa për dore, dhe pastaj iu drejtova ‎kolegëve të tij:

‘Dëgjoni, fëmijë! Ky është djali im dhe unë e dua shumë. Ai bën shumë ‎përpjekje dhe shumë i përsërit mësimet e shkollës, por pa marrë parasysh se çfarë suksesi ‎ka në shkollë, dashuria ime për të është e madhe dhe e papërshkrueshme. Prej sot, unë ‎do ta zbatoj një rregull i cili thotë: “Detyrë e njeriut është që të punojë dhe të përpiqet, por jo me çdo kusht edhe të arrijë sukses!” Dhe ta dini, se nga sot, nëse ai përpiqet dhe ‎bëhet më i miri, ose nëse pas përpjekjeve është mesatar, ai në çdo rast është djali im dhe ‎dashuria ime e madhe. Unë dua ta shpreh keqardhjen time para jush, dhe t’i kërkojë falje ‎djalit tim, Halidit, për metodat që kam përdorur me të.’‎

Pas kësaj e putha djalin tim në kokë, kurse lotët më rridhnin faqeve teposhtë, sikurse edhe ‎djalit tim Halidit. Pastaj e përqafova, ndërsa të gjithë nxënësit na duartrokitën.‎

U ktheva në shtëpi i relaksuar dhe i kënaqur, ndërsa Halidi u kthye nga shkolla i lumtur si ‎kurrë më parë.‎

Ai më tha: ‘Faleminderit, o baba, sot më ke bërë krenar! Shoku im më i mirë, më tha: ‎‎‘Dhashtë Zoti, që edhe babai im të jetë si i yti!’‎

Ditët po kalonin dhe erdhi koha e provimeve. Unë po e zbatoja rregullin e përmendur me ‎djalin tim Halidin, dhe gjendja e tij mendore u përmirësua shpejt. Atij iu kthye gjumi i qetë, ‎nuk fliste me vetveten dhe iu ndërpre urinimi i detyruar dhe i shpeshtë që e kishte më parë. ‎Gjendja e Halidit u përmirësua, edhe shpirtrat tonë u qetësuan për këtë. Megjithëse ‎mesatarja e Halidit në shkollë nuk u përmirësua, ne tani e pranojmë atë ashtu si është, ‎sepse e kemi kuptuar se këto janë aftësitë dhe mundësitë e tij.”‎

Përkthim: Miftar Ajdini