Në pritje të Ramazanit të bekuar

963

Të gjitha falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Plotfuqishëm, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi pejgamberin Muhamed, mbi familjen e tij fisnike, mbi të gjithë shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë atë deri në Ditën e Gjykimit.

Ramazani është muaj i bekuar dhe çdo musliman duhet të përpiqet ta kalojë atë duke bërë vepra të mira dhe të gjitha ato që afrojnë tek Allahu i Plotfuqishëm, dhe gjithashtu duhet të largohet nga veprat e këqija dhe të gjitha ato që largojnë nga Allahu i Plotfuqishëm.

Thesaret e ramazanit janë përplot me shpërblime të cilat besimtarët do t’i fitojnë në qoftë se i hapin me çelësat e ibadetit dhe të kryerjes së veprave me të cilat fitohet kënaqësia e Allahut. Ramazani më i mirë është ai në të cilin koha kalohet në ibadet të sinqert. Kohën e ramazanit më së miri do ta shfrytëzojmë nëse u përmbahemi këshillave të mëposhtme:

1● Nëse angazhohemi në kryerjen e veprave të mira në këtë muaj të bekuar, duke e kërkuar kënaqësinë e Allahut. Të përpiqemi të jemi të tillë që nga nata e parë e ramazanit, sepse transmetohet se i Dërguari (savs) ka thënë: “Kur hyn nata e parë e muajit ramazan, shejtanët dhe xhinët e pabindur lidhën me zinxhirë, të gjitha dyert e Xhehenemit mbyllën dhe asnjëra prej tyre nuk hapet, ndërsa të gjitha dyert e Xhenetit hapen dhe asnjëra prej tyre nuk mbyllet! Një thirrës do të thërras: “O ti që kërkon vepra të mira, afrohu …” (Tirmidhiu, 682, Ibni Maxhe 1339) Në një tjetër transmetim thuhet:  “Dhe çdo natë një thirrës do të thërret: O ti që kërkon të mira, nxito! O ti që kërkon të keqen, përmbahu!”’ (Nesaiu, 2107)

2● Çdo musliman duhet me bindje t’i përgjigjet këtij thirrësi çdo natë, duke dërguar natë e ditë, vetëm vepra të mira në botën e tij të ardhshme! Jeta është e shkurtër! Nisja nga dynjaja është shumë afër! Allahu e di se a do ta përjetojmë ramazanin e ardhshëm apo jo! Prandaj le të përpiqemi t’i afrohemi Zotit tonë sa më shumë duke bërë vepra të mira: duke lexuar Kuran, duke përmendur shpesh Allahun (me fjalët: subhanAllah, elhamdulillah, la ilahe il-lAllah, Allahu ekber), duke i bërë lutje të shpeshta Zotit tonë, duke u dhënë sadaka të nevojshme, duke kërkuar që të bëhen vepra të mira dhe të lihen të këqijat, duke ua mësuar të tjerëve të mirën, duke i pastruar zemrat tona, gjuhën dhe gjymtyrët, duke kërkuar njohuri të sheriatit, duke thirrur në fenë e Allahut të Madhërishëm, duke përhapur sunetin e Pejgamberit (savs), duke ua mësuar të tjerëve Kuranin dhe çdo punë të dobishme. I Dërguari (savs) thotë: “Njerëzit më të mirë janë ata që janë më të dobishëm për njerëzit e tjerë!” (El-Kuda’i, Musnedush-Shihab, 1234)

3● Në këtë muaj të bekuar, t’i kthehemi shpirtit tonë, të bëjmë llogari, ta rishikojmë atë para se të na vjen vdekja jonë, veprimet tona t’i peshojmë para se të na peshohen, të përgatitemi për ditën e ekspozimit të madh kur asnjë vepër nuk do të jetë e fshehur. Omeri (r.a.) ka thënë: “Llogaritni (veten tuaj) para se të ju llogarisin! Peshoni veprimet tuaja para se t’ua peshojnë! Sot e keni shumë më lehtë për t’u llogaritur se sa që do të jetë nesër!” (Tirmidhiu, 2459)

4● Në këtë muaj të bekuar, muajin e garave në punë të mira, të pendohemi tek Allahu i Plotfuqishëm me pendim të sinqert. Zoti ynë, Allahu i Madhërishëm, të gjithë neve na drejtohet me fjalët: [1])

“O ju që keni besuar, pendohuni te Allahu me një pendim të sinqertë në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’u shpie në xhenete, nën të cilat rrjedhin lumenj…” (Et-Tahrim, 8)

Pendimi ynë le të jetë i sinqert për Allahun e Plotfuqishëm! Le të pendohemi sinqerisht nga frika e Allahut, duke shpresuar faljen e Tij, pastaj t’i përvishemi kryerjes së veprave të mira, ndërsa të këqijat t’i braktisim. Pejgamberi (savs) thotë: „Ai që pendohet nga mëkatet është si ai që nuk ka mëkate!“ (Ibn Maxhe 3446) Allahu i Madhërishëm atij i cili sinqerisht pendohet për veprat e tij të këqija, ato veprat e këqija ia shndërron në vepra të mira, siç thotë i Plotfuqishmi: [2])

“Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai falë shumë.” (El-Furkan, 70)

5● Në këtë muaj të bekuar të ramazanit, le të hyjmë të fortë dhe me vendosmëri, me ambicie të larta, me dëshirë të papërshkrueshme për afërsi me Zotin tonë! Neglizhencën e deritashme ta zëvendësojmë me nxitim për vepra të mira, duke kërkuar mbrojtje nga dënimi i Allahut, duke kryer vepra që çojnë në Xhenet dhe ngritje të gradave aty, si dhe vepra që mbrojnë nga Xhehenemi! Të zgjohemi nga gjumi! Zemrat tona t’i ngjallim me përmendjen e shpeshtë të Allahut! Të nisemi për te mëshira e Tij dhe te shpërblimi i madh! Në këtë botë të shikojmë si në përkohshmëri: [3])

“O ju njerëz, dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve…” (el-Hadid, 20)

Le të bëhemi prej atyre që ruhen nga dynjaja dhe kënaqësitë e saj mashtruese! Le të bëhemi prej atyre që do të lakmojnë botën tjetër, dhe ajo është me të vërtetë, e vetmja e vlefshme dhe e përjetshme!

Pejgamberi (savs) thotë: “Vërtet kjo botë është e ëmbël dhe tërheqëse! Allahu me të vërtetë do t’ju çojë në të për të parë se si do të veproni! Andaj, kini kujdes (ruajuni) nga dynjaja!” (Muslimi, 2742)

6● Le të largohemi nga çdo formë e të keqes! Le të largohemi nga vendet dhe takimet ku bëhen mëkatet, veprat e liga dhe të këqija! Le të largohemi nga takimet e përgojimit, sharjeve dhe blasfemisë, dhe nga çdo fjalim që e zemëron Allahun! Mos ta harrojmë thënien e cituar më lartë nga Pejgamberi (savs), i cili thotë: “Dhe çdo natë (në ramazan) një thirrës do të thërret: O ti që kërkon të mira, nxito! O ti që kërkon të keqen, përmbahu!”

Ndërsa qëndrueshmërinë dhe suksesin e jep vetëm Allahu i Madhërishëm!

Përshtati: Miftar Ajdini


1 – يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا تُوبُوا إِلَى اللَّـهِ تَوْبَةً نَّصُوحًا عَسَىٰ رَبُّكُمْ أَن يُكَفِّرَ عَنكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ وَيُدْخِلَكُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ ..

2- إِلَّا مَن تَابَ وَآمَنَ وَعَمِلَ عَمَلًا صَالِحًا فَأُولَـٰئِكَ يُبَدِّلُ اللَّـهُ سَيِّئَاتِهِمْ حَسَنَاتٍ  وَكَانَ اللَّـهُ غَفُورًا رَّحِيمًا ﴿٧٠

3 – اعْلَمُوا أَنَّمَا الْحَيَاةُ الدُّنْيَا لَعِبٌ وَلَهْوٌ وَزِينَةٌ وَتَفَاخُرٌ بَيْنَكُمْ وَتَكَاثُرٌ فِي الْأَمْوَالِ وَالْأَوْلَادِ … ﴿٢٠