Pse jemi krijuar?

519

Allahu i Plotfuqishëm, na jep përgjigjen në Kuran:‎

“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (edh-Dharijat, 56)

Ne jemi krijuar për t’i bërë ibadet Allahut të Plotfuqishëm. Dhe, ibadet është çdo vepër që i ‎pëlqen Zotit tonë, Allahut të Plotfuqishëm. Ndoshta përkufizimin më të mirë të ibadetit e ka ‎thënë Ibn Tejmije:

“Ibadeti është një emër i përbashkët për të gjitha fjalët dhe veprat e njeriut me të cilat Allahu është i kënaqur, qofshin ato vepra publike si: namazi, zekati, agjërimi, haxhillëku, xhihadi, respekti ndaj prindërve, përmbushja e marrëveshjeve, etj, apo qofshin ato sekrete si: dashuria ndaj Allahut të Plotfuqishmit, ndaj pejgamberit Muhamed ‎‎(a.s.), shpresa në mëshirën dhe faljen e Allahut, frika nga ndëshkimi i Tij, falënderimi për begatitë, mbështetja te Allahu etj.”

Zoti ynë, Allahu i Plotfuqishëm, nuk është opsion, Allahu nuk është plani B, Allahu nuk ‎është alternativë.‎

Allahu duhet të jetë prioriteti ynë i vetëm, qëllimi ynë i vetëm në jetë, sepse ne jemi krijuar për ‎hir të ibadetit për Allahun e Plotfuqishëm.‎

Allahu i Plotfuqishëm në suren el-Bejjine, 5, thotë:

‎‎“E janë urdhëruar ata që t’i luten vetëm Allahut, që sinqerisht, si besimtarë të vërtetë, të predikojnë fenë dhe të bëjnë namaz, dhe të ndajnë zekatin; e kjo është feja e drejtë.”

Në hadithin që e regjistron Muslimi, transmetohet se Resulullahu (savs) i ka thënë Ebu Musa ‎el-Eshariut:

‎‎“E drejta e Allahut tek njerëzit është që ta adhurojnë Atë dhe askënd të mos ia përshkruajnë shok (mos t’i bëjnë shirk), kurse e drejta e njerëzve tek Allahu është të mos i dënojë ata nëse nuk i bëjnë shirk.”

Përkthim: Miftar Ajdini