Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Vëllezër besimtarë!
Në hutben e sotme, me lejen e Allahut, do të flasim në temën: Momenti i fundit i jetës
Ajo çfarë do të duhej njeriun për çdo ditë ta mundoj dhe ta preokupojë mendjen e tij është takimi i tij i fundit në këtë botë, takimi me Melekun e vdekjes, kur të shfaqet agonia e vdekjes dhe kur të vjen momenti i largimit nga kjo botë. Një shumicë e njerëzve nuk mendojnë fare për këtë, Allahu e di më së miri përse, por do të duhej të mendonin, sepse koha kalon shpejt dhe nesër mund të jetë tepër vonë. Kur të takohesh me Melekun e vdekjes, kjo është fundi i rrugës, nuk ka më rrugë, koha jote është numëruar. Natyrisht, atëherë do ta kishe dhënë gjithë botën, sikur të mundësh të kthehesh, që të bësh ndonjë vepër të mirë, por nuk mundët, ky është fundi.
Ky është takim shumë i hidhur për atë që jetën e ka kaluar i pakujdesshëm, në mosbindje ndaj Zotit. Situatë shumë e frikshme, gjithë jetën e ke shpenzuar, dhe tani është koha për ta lënë këtë botë.
Nuk ka miq, nuk ka familje, nuk ka pasuri, je vetëm, po shkon nga kjo botë, të gjitha përpjekjet tua për ta ndaluar atë që po të ndodh janë të pasuksesshme, makthi yt më i keq është duke ndodhur, para syve tu. Me shpejtësi të dritës në mendje të fluturojnë ditët e kaluara të rinisë, të zbavitjes dhe gëzimit, të qeshurave, të argëtimit, alkooli, femrat, e shumë më tepër… Tani po pendohesh për mëkatet, tani kur je bindur se e vërtetë është ajo që të kanë paralajmëruar, por gati, nuk ka kthim prapa. Po shkon atje ku do të jetë më keq, çdo pjesë e qenies tënde po qan, po bërtet nga frika, po përpiqesh për të shpëtuar nga ajo që të ka ndodhur, panik i paparë të kaplon, por nuk ka kthim…
Vdekjen, takimin e fundit në këtë botë, takim me Melekun e vdekjes, njeriu duhet ta kujtojë shpesh gjatë ditës.
Çka mendon nëse Meleku i vdekjes, të gjen në mosbindje ndaj Allahut? Je duke u zbavitur, alkooli para teje, me shikim plot epsh i shikon femrat, je plot energji, kalon ashtu qysh di më së miri, dhe pastaj, pa ndonjë njoftim apo paralajmërim, Meleku i vdekjes paraqitet para teje, ka ardhë për ty!
Mendja e njeriut nuk është në gjendje të kuptoj se ai të cilin Meleku i vdekjes e gjen në haram çka mendon në atë moment.
Nuk ka dyshim, askush prej nesh nuk e di se kur do të na vizitojë Meleku i vdekjes, ndoshta sot, ndoshta nesër, ndoshta për 50 vjet, apo ndoshta pikërisht në këtë moment…
Shtrihesh në shtrat dhe të zë gjumi, nuk ke garanci se do të zgjohesh përsëri, e pret mëngjesin dhe ditën e re, nuk ke garanci se do të mbijetosh deri në natën e ardhshme.
Sigurisht, asnjë nga ne nuk dëshiron që Meleku i vdekjes ta gjejë në haram, sepse i mjeri ai të cilin Meleku i vdekjes e gjen në haram, Allahu na ruajt prej një përfundimi të tillë.
Për këtë arsye, për njeriun është më e mençur që vdekjen ta kujtojë vazhdimisht dhe të kujdeset për veprimet e tij, sepse kurrë nuk i dihet, ndoshta pikërisht kjo vepër e tij do të jetë e fundit. Kujdesu për veten tënde dhe për veprat tuaja, lëri të tjerët, çfarë dobi ka bariu i cili e ruan tufën e huaj, kurse tufa e tij endet nëpër haram.
Sado shumë kohë që ke, është pak për t’u shqetësuar për veprimet njerëzve tjerë, kur ata do t’i vizitojë Meleku i vdekjes, ti nuk do të jesh aty, prandaj, ti kujdesu për veten tënde dhe për veprat tua.
Kur mendon pak më thellë, kupton se njeriu është rojtar që ruan veten e tij, rojtar i cili gjithmonë i vigjëllon kufijtë dhe e ruan vendin nga armiqtë, dmth e ruan vetveten nga mëkatet, e nëse rojtari heq dorë nga roja, armiqtë do të sulmojnë kur nuk i pret dhe do të shkatërrojnë çdo gjë. Nëse njeriu është i pakujdesshëm ndaj jetës së tij, dhe lëshohet në mëkate, mëkatet do ta sulmojnë nga të gjitha anët dhe do ta mposhtin, kështu që kur i vjen meleku i vdekjes dhe e gjen atë në atë gjendje, ka pak shanse që ta pret diçka tjetër përveç Xhehenemit, pak shanse janë, edhe nëse fare ka, Allahu e di më së miri.
Prandaj, njeriut nuk i mbetët asgjë tjetër përpos të bëjë mirë në çdo moment të jetës së tij. Vetëm imagjino, lexon Kuran për kënaqësinë e Allahut dhe Meleku i vdekjes të gjen në atë gjendje, sa fund i bukur, sa vepër e mirë e mrekullueshme.
E pra, siç pata lexuar njëherë, ku thuhet: „Jeto çdo moment sikur të jetë i fundit në jetën tënde, njëherë me siguri do të kesh të drejtë”, andaj kështu dhe po e përfundojmë: Bëj vepra të mira në çdo moment të jetës, sikur të jetë e fundit, njëherë me të vërtetë do të kesh të drejtë.
O Allah, na bëj neve besimtarë të vërtetë, me të cilët Ti je i kënaqur, që të jemi prej atyre që marrin mësim!
– O Zot na i prano veprat tona të mira dhe na i fal mëkatet dhe gabimet!
– O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!
– Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!
– Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!
– O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e përcjellën dritën e Islamit, kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut! Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin.
Përshtati: Miftar Ajdini