HUTBEJA E FUNDIT E RAMAZANIT – 2023
Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut të Plotfuqishëm për të gjitha begatitë që na ka dhënë. Falënderim të veçantë i shprehim për begatinë e ramazanit. I dërgojmë salavat dhe selam të Dërguarit të fundit dhe të dashurit të Allahut, Muhamedit (a.s.), familjes së tij, sahabëve të tij, dhe të gjithë robërve të mirë të Allahut.
Vëllezër besimtarë!
Ramazani i bekuar është muaji në të cilin veprat e mira shpërblehen shumëfish. Përveç që është muaji i agjërimit, i namazit vullnetar dhe i leximit të Kuranit, ramazani është edhe muaj i zekatit dhe i sadakasë, muaj i ndarjes së pasurisë dhe ndihmës materiale për muslimanët e varfër, veçanërisht për të afërmit. Prandaj, nuk është për t’u habitur që Muhamedi (savs), i cili përndryshe njihej për bujarinë e tij, ishte edhe më bujar pikërisht në muajin ramazan. Transemtimet thonë se Pejgamberi (savs), në ramazan ishte më bujar se era e dërguar për t’i shpërndan retë, prej të cilave bie shiu i bereqetshëm.
Dy tregimet e mëposhtme le të na shërbejnë për nxitje që t’i afrohemi Allahut të Plotfuqishëm në këtë muaj të bekuar dhe me këtë lloj ibadeti, sepse vetëm Allahu e di se çfarë dhe sa shpërblim i pret agjëruesit edhe për një sasi të vogël sadakaje në ramazan.
1 – „Sadakaja për babain e vdekur e bëri të pasur!”
Duke rrëfyer ëndrrën e tij, një dijetar islam, ndër të tjera ka thënë: “Kam parë në ëndërr një grup muslimanësh të cilët kanë vdekur dhe të gjithë ishin të lumtur dhe të kënaqur, përveç një plaku në mesin e tyre, i cili shkonte pas të tjerëve por ishte i pikëlluar dhe i shqetësuar. Në ëndërr e pyeta për shkakun e pikëllimit të tij, kurse ai m’u përgjigj: ‘Këta janë të gëzuar sepse familjarët e tyre, të cilët janë ende në dynja, po japin sadaka për ta dhe po bëjnë vepra të tjera të mira, kurse për mua askush nuk po e bën këtë.’ Une e pyeta atë: ‘A nuk ke ti ndonjë pasardhës në dynja që të japë sadaka për ty?’ Ai m’u përgjigj: ‘Unë e kam një djalë që punon në një lumë si zbardhues liri.’ Kur u zgjova shkova te lumi për të parë nëse ëndrra ishte e vërtetë. Dhe me të vërtetë, buzë lumit pashë një djalë të ri që e zbardhte lirin, duke përsëritur vazhdimisht një fjalë: ‘Skamje, skamje!’ Unë e pyeta: ‘O djalosh, çfarë don të thuash me ato fjalë?’ Ai m’u përgjigj: ‘Ajo don të thotë, se furnizimi im dhe i familjes sime është i dobët.’ Pastaj unë i thashë: ‘Pse nuk po jep sadaka për babanë tënd të vdekur?’ Ai m’u përgjigj: ‘Unë nuk posedoj asnjë pasuri.’ Megjithatë, u përpoqa ta nxisja që të jepte sadaka, kështu që i thashë: ‘Jep sadaka ndonjë gjë, qoftë edhe e parëndësishme.’ Pastaj i riu u zemërua dhe mori tri herë ujë me grushta nga lumi dhe i hodhi në breg, duke thënë: ‘Ja, kjo është sadakaja ime për babanë tim, sepse nuk kam asgjë tjetër.’ Natën e dytë, e pashë përsëri atë plakun në ëndërr, por tani ai ishte i lumtur dhe i gëzuar. E pyeta: ‘Cila është gjendja jote tani?’ Ai m’u përgjigj: ‘Ai uji i paktë që djali im e hodhi në breg si sadaka për mua, ishte shumë i dobishëm për mua dhe ajo sadaka më largoi pikëllimin dhe brengën. Unë shpresoj që Allahu t’i japë bereqet në pasurinë e tij dhe ta ketë me bollëk.’ Unë u habita nga përgjigja e tij, andaj thashë: ‘Ata tre grushta ujë nuk janë asgjë, nuk kanë vlerë, sepse djali yt nuk i ka dhënë të pijë të eturit, që ti të marrësh sevape prej saj.’ Atëherë plaku tha: ‘Kur ai i hodhi tre grushta ujë në breg, në atë moment në breg ndodhej një peshk që po i jepte shenjat e fundit të jetës, dhe kur ai e derdhi ujin mbi të, ai u ringjall dhe arriti të kthehej në lumë. Për shkak të asaj vepre të mirë të djalit tim për mua, Allahu i Lartësuar më ka shpërblyer shumë, dhe po e lus Allahun që djalit tim t’i japë të mira në këtë botë dhe në ahiret.’ Pas disa muajsh e mora vesh. se djali i atij plakut nga ëndrra ime ishte bërë një burrë jashtëzakonisht i pasur.”
Prandaj, mos kini turp të jepni sadaka qoftë edhe në sasi të vogël, sidomos në ramazan. Dijeni se bamirësia ndaj prindërve nuk përfundon pas vdekjes së tyre. Sepse, për shkak të bamirësisë që bëjmë për ta, Allahu i Plotfuqishëm na dhuron bereqet dhe pasuri në këtë jetë dhe i shpërblen begatshëm të gjithë ata që bëjnë vepra të mira dhe luten për prindërit e tyre të vdekur.
2 – „Gruaja si simbol i devotshmërisë dhe bujarisë!“
Thuhet se në kohën e Musait (a.s.), jetonte një çift i martuar që ishin jashtëzakonisht të varfër. Varfëria e tyre zgjati shumë dhe nga ajo ata mbroheshin vetëm me durimin e besimtarëve. Një natë, derisa ishin të shtrirë në shtrat, gruaja e pyeti burrin e saj: “A nuk është Musai (a.s.) i Dërguari i Allahut dhe a nuk po fol drejtpërdrejt me Allahun?” “Po.” – u përgjigj burri. Gruaja i tha: “Atëherë, pse të mos shkojmë tek ai dhe t’i ankohemi për gjendjen tonë të vështirë, dhe le ta lus ai Allahun që të na furnizojë nga bollëku i Tij, në mënyrë që pjesën tjetër të jetës ta jetojmë në pasuri dhe prosperitet?” Burri u përgjigj: “Propozimi yt është i mrekullueshëm, grua!” Në mëngjes shkuan te Musai (a.s.), u ankuan për gjendjen e tyre dhe i kërkuan që t’i lutej Allahut që t’u jepte pasuri, e cila do t’i bënte të pavarur nga njerëzit.
Musai (a.s.) i dëgjoi dhe iu lut Allahut që asaj familje, pra çiftit të martuar, t’i jepte pasuri. Allahu i Plotfuqishëm, iu përgjigj lutjes së tij dhe i shpalli: “O Musa, thuaju se do t’u dhuroj furnizim atyre, dhe ata do të jenë të pasur, por vetëm një vit. Kur të kalojë një vit ata do të kthehen sërish në gjendjen e mëparshme të varfërisë.” Musai (a.s.), i njoftoi për këtë dhe ata të dy u gëzuan pa masë për lutjen e pranuar.
Dhe, me të vërtetë, atyre u erdhën furnizime nga të gjitha anët, prej nga as që e kishin pritur. Ata u bënë jashtëzakonisht të pasur, si rezultat i së cilës jeta e tyre ndryshoi rrënjësisht. Mirëpo, ashtu siç varfëria nuk i hodhi në dëshpërim, ata as pasuria nuk i bëri mendjemëdhenj. Gruaja e devotshme një ditë i tha burrit të saj: “Duhet ta kemi parasysh se pasuria jonë do të zgjasë vetëm një vit, kurse pastaj përsëri ne do të kthehemi në varfëri, prandaj propozoj që këtë pasuri ta investojmë dhe ta përdorim, që njerëzit të na kujtojnë si bamirës, ashtu që kur të kalojë një vit, dhe kur të kthehemi në varfëri, njerëzit ta kujtojnë bamirësinë tonë dhe të na ndihmojnë ashtu siç i kemi ndihmuar ne ata.”
Burri përsëri u pajtua me mendimin e gruas së tij dhe vendosën që të ndërtonin një shtëpi për udhëtarët, dhe atë, në vendin ku kryqëzoheshin shtatë rrugë. Ata e ndërtuan një ndërtesë si karavan saraj, e cila i kishte shtatë dyer, në mënyrë që të mund të hyhej në shtëpi drejtpërdrejt nga të shtatë drejtimet.
Ata e mobiluan shtëpinë dhe ndërtuan një kuzhinë të madhe, kështu që çdo ditë prisnin musafirë dhe udhëtarë nga e gjithë bota. Përgatitnin ushqim për ta dhe ua siguronin bujtjen gjatë natës. Kështu po kalonin ditët dhe muajt , kurse Musai (a.s.) po e ndiqte me kujdes gjendjen dhe sjelljen e tyre.
Kaloi një vit që kur ishin pasuruar, por gjendja e tyre nuk u ndryshua. Ata të dy po vazhdonin të përgatisnin çdo ditë ushqim për udhëtarët, ashtu që edhe e kishin harruar kohën kur do t’u zhdukej pasuria.
Pasi që erdhi viti tjetër, Musai (a.s.), u befasua nga gjendja e tyre, kështu që iu drejtua Allahut me këto fjalë: “O Zot, ti iu përgjigj lutjes sime për këta dy njerëz dhe premtove se do të bëhen të pasur për një vit, kurse tani erdhi viti tjetër, kurse gjendja e tyre e pasurisë dhe e bollëkut nuk po ndryshon. Pse?” Allahu i Lartësuar iu përgjigj: “O Musa, unë u hapa një derë të furnizimit kurse ata hapën shtatë dyer për t’i ushqyer robërit e Mi. Mua më vjen turp që robërit e Mi të jenë më fisnikë se sa Unë.”
O Allahu i Plotfuqishëm, na e prano agjërimin tonë, leximin tonë të Kuranit, teravitë tona dhe të gjitha namazet, lutjet tona dhe të gjitha llojet e ibadetit tonë dhe na mundëso që edhe shumë ramazana të tjerë t’i presim dhe t’i agjërojm dhe prej tyre të përfitojmë edhe për këtë botë edhe për botën tjetër! Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini